E Shtunë, 31 Tetor 2026

Livni kërcënon me tjetër operacion në Gaza

Tel Aviv - Ministrja izraelite e Punëve të Jashtme, Tzipi Livni, paralajmëroi sot për një operacion të ri ushtarak izraelit në Gaza, nëse do të vazhdojë kontrabanda e armëve drejt këtij territori palestinez që kontrollohet nga Hamasi. "Nëse kontrabanda e armëve drejt Gazës do të vazhdojë, një operacion mbrojtës nga Izraeli do të ishte i pashmangshëm dhe për këtë arsye komuniteti ndërkombëtar duhet të gjejë mjetet e ligjshme dhe operacionale për t'i dhënë fund", deklaroi Livni gjatë një takimi me homologun e saj qipriot, Markos Kyprianou.

"Irani duhet ta dijë se dërgimi kontrabandë (...) i armëve Hamasit, duke shkelur marrëveshjet ndërkombëtare, duhet të marrë fund", shtoi Livni. Izraeli zhvilloi nga 27 dhjetori deri më 18 janar një ofensivë të gjerë kundër Hamasit në Gaza, që shkaktoi më shumë se 1 300 të vdekur palestinezë, duke pasur si qëllim të shpallur ndalimin e kontrabandës që nga Egjipti dhe të shtënat me raketa kundër Izraelit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›