E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zoti në mendjen tonë

Religjioni shpesh, në mënyrë të paqëllimshme, ka mundësuar skepticizmin shkencor. Besimtarët do të sfidojnë shkencën. A mund të shpjegohet zhvillimi i jetës, apo i sensit moral, apo këmbëngulja pothuajse universale ndaj religjionit? Ndaj kësaj, materialistët përgjigjen: Mund ta bëjmë, e gjitha është biologji dhe kimi, duke e hedhur poshtë hipotezën për Zotin.

Në këtë debat të mykur, Andrew Newberg, ndoshta eksperti udhëheqës i Amerikës mbi bazën neurologjike të religjionit, sjell një perspektivë të freskët. Në librin e tij të ri "Si e ndryshon Zoti trurin tënd", që e ka shkruar së bashku me Mark Robert Waldman-in, përmbledh disa vite të hulumtimit të rëndësishëm mbi bazën biologjike të përvojës religjioze. Dhe ofron plot sfida edhe për skeptikët, edhe për besimtarët.

Duke përdorur studime të imazheve të trurit të murgeshave françeskane dhe ushtruesve të budizmit, si dhe sikëve e sufive, së bashku me njerëz për të cilët meditimi është gjë e re, Newberg vlerëson se praktikat tradicionale shpirtërore, si lutja dhe kontrolli i frymëmarrjes, mund të rrisin lidhjet neutrale të trurit, duke çuar te "gjendje afatgjata të unitetit, paqes dhe dashurisë". Ai i siguron të sfiduarit mistikë se këto rrjete neutrale fillojnë të zhvillohen shpejt, çështje javësh në meditim dhe jo dekada në ndonjë majë mali në Tibet.

Dhe, edhe pse meditimi nuk kërkon besim në Zot, besimi i fuqishëm religjioz e rrit efektin e tij në tru dhe rrit "vetëdijësimin social dhe eupatinë. Ndërsa ndrydh ndjenjat dhe emocionet destruktive". Newberg argumenton se besimi religjioz shpesh sjell përparësi sociale dhe personale, duke u lejuar njerëzve të "imagjinojnë një të ardhme më të mirë". Dhe këtu ai nuk dëshiron debat, ashtu siç bëjnë ndonjëherë shkencëtarët filozofikisht dembelë. "Neuroshkenca nuk mund t‘ju tregojë nëse Zoti ekziston apo jo", deklaron Newberg. Neurobiologjia ndihmon vetëm në çështjen e shpjegimit të religjionit; nuk e shpjegon atë më tutje.

Por hulumtimi i Newbergut jep paralajmërime për religjiozët gjithashtu. Të mendosh për një Zot dashurues, fuqizon pjesë të trurit tonë, posaçërisht lobin frontal dhe pjesën ku gjenden empatia dhe arsyeja. Mendimi i një Zoti të zemëruar, e fuqizon sistemin lambik, i cili është "i mbushur me agresion dhe frikë". Është një koncept kthjellues: Zoti, të cilin zgjedhim ta duam, na kthen në imazhin e tij, pavarësisht nëse ekziston apo jo. Për Newbergun, kjo nuk është një kritikë e thjeshtë ndaj fondamentalizmit religjioz, një fenomen që ka besime dhe motivime të ndryshme. Është kritikë ndaj çfarëdo institucioni që lidh ideologjinë apo fenë me mllef dhe egoizëm. "Armiku nuk është religjioni", shkruan Newberg, "armiku është mllefi, armiqësia, jotoleranca, separatizmi, idealizmi ekstrem dhe frika paragjykuese, qoftë sekulare, religjioze apo politike".

Newberg paraqet një imazh të gjallë: dy kope të ujqërve neurologjikë, -thotë ai, -gjenden në secilin tru. Një kope është e vjetër dhe e fuqishme, e orientuar drejt mbijetesës dhe mllefit. Tjetra përbëhet nga këlyshët, pjesët më të reja të trurit, më kreativë dhe më të mëshirshëm, "por këta gjithashtu janë neurologjikisht të brishtë e të ngadalshëm kur krahasohen me aktivitetin në pjesët emocionale të trurit". Andaj, të gjitha qeniet njerëzore mbeten te një pyetje: Cilën kope e ushqejmë? "Si e ndryshon Zoti trurin tënd" ka shumë zbulime dhe disa kufizime. Në aspektin praktik, ajo parashikon një "pagëzim që mund të përmirësojë cilësinë e brendshme të jetës tënde. Për shumicën e amerikanëve, me këtë ka të bëjë spiritualizmi". Por nëse ky është spiritualizmi, nuk qenka shumë. Feja e pjekur ndonjëherë përfshin vetësakrificë, jo vetaktualizim; vuajtje. Nëse qëllimi primar i religjionit është ikje ose kënaqësi, ka metoda të tjera, më praktike, që mund të merren parasysh. "Nuk shkova në religjion për t‘u bërë i lumtur", tha C.S. Lewis. E njëjta gjë mund të thuhet për drogat psikodelike, që mund të miklojnë ekstazën shpirtërore.

Çdo diskutim mbi religjionin eventualisht vjen te pyetja e së vërtetës: A mund të dëgjojmë zërin e Zotit nga një ‘profet‘ bredhacak, apo të takojmë një njeri që dikur ishte i vdekur? Pa besime të tilla, religjioni është vetëm meditim. Hulumtimi i Newbergut tregon një ndikim të rritur të praktikave religjioze mbi ata, të cilët "besojnë me të vërtetë". Por vetë Newberg ka vështirësi për të ndarë besime të tilla. Hulumtimi i tij mbi llojshmërinë e përvojës religjioze dhe kuptimi i tij shkencor që truri natyrshëm është i tërhequr drejt sigurimeve artificiale, e lënë skeptik ndaj kapacitetit të mendjes njerëzore, që të kuptojë "të vërtetën universale apo finale". Mirëpo, ai më tha: "Deri më sot, ende po kërkoj dhe po hulumtoj", Dhe kjo është shkenca më e sinqertë nga të gjitha.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›