Sëmundja në mushkri, shtrohet në Sanatorium Sabri Godo
Anila Godo: Është jashtë rrezikut për jetën. Ministri Vasili dhe Pëllumb Pipero e vizitojnë në spital. Pipero: I është hequr uji i tepërt në mushkri, ishte në gjendje koshiente
Lëngimi prej shtatë muajsh nga një sëmundje në mushkëri ka bërë që politikani, shkrimtari dhe skenaristi i njohur Sabri Godo të shtrohet me urgjencë në Spitalin e Sëmundjeve Pulmonare në kryeqytet. Familjarët e tij e kanë dërguar 82-vjeçarin në Spitalin e Sëmundjeve të Mushkërive, “Shefqet Ndroqi”, në Tiranë mbrëmjen e së hënës, pasi Godo kishte shfaqur disa komplikacione të mëdha gjatë orëve të pasdites. Sipas mjekëve, Godo vuan nga likidi pleural (ujë në mushkëri), një sëmundje kjo nga e cila ai ka pasur probleme në mënyrë kronike. Pas trajtimit të bërë gjatë ditës së djeshme nga mjekët e Sanatoriumit, gjendja e tij shëndetësore paraqitet e mirë dhe jashtë rrezikut për jetën. Ky fakt është konfirmuar dje nga vetë vajza e tij mjeke, Anila Godo, që po kujdeset për të atin, sikurse edhe mjekët më të njohur të Spitalit të Mushkërive. Mjekja e njohur pediatre Anila Godo ka deklaruar dje për median se babai i saj Sabri Godo, politikan i njohur si hartues i Kushtetutës së Shqipërisë dhe President Nderi i Partisë Republikane, është jashtë rrezikut, disa orë pasi ai u shtrua në reanimacion për shkak të problemeve shëndetësore.“Gjendja shëndetësore paraqitet më e mirë dhe është jashtë rrezikut për jetën”, - ka thënë Anila Godo. Ndërkohë që drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë qenë dje në Sanatorium për të vizituar republikanin e njohur Sabri Godo, bëjnë të ditur se pas ndërhyrjes së realizuar ditën e djeshme, gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar. Pas vizitës që i ka bërë pasditen e djeshme Godos, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, drejtori i Politikave dhe Menaxhimit, Pëllumb Pipero, tha për gazetën se 82-vjeçari ishte në gjendje koshiente, ndonëse shfaqte shenja lodhje. “Ishte në gjendje koshiente, komunikonte, normalisht për shkak të sëmundjes kishte një frymëmarrje të vështirësuar, ishte i lodhur, por parametrat shëndetësorë i ka të stabilizuar. Vuan nga një sëmundje e rëndë në mushkëri, e cila në fakt është serioze. Sot është bërë hapja e mushkërisë për ta zvogëluar, duke i hequr likidin e tepërt. Diagnoza do të përcaktohet pasi të kryhen të gjitha ekzaminimet”, - deklaroi Pipero. Likidi pleural (ujë në mushkëri) bën që uji në mushkëri tubohet (mblidhet ose derdhet) në alveola (brenda në mushkëri dhe kjo ndodh në 90% të rasteve si pasojë e ngarkesës së zemrës që ndërlidhet, pikësëpari, me përdorim të tepruar të kripës së kuzhinës), dhe pleurës, si pasojë prapë, e ngarkesës së zemrës, pezmatimeve (tuberkulozi, bakteret tjera), tumoreve (primare në pleurë apo sekondare-metastaza nga organet tjera) apo sëmundjeve të veshkave, mëlçisë etj. Për shkak të specifikave që kërkon trajtimi i sëmundjes, ministri i Shëndetësisë ka urdhëruar drejtuesit e Sanatoriumit që ta vendosin Godon në një dhomë të veçantë. Vetëm pak ditë më parë, një tjetër personazh i njohur në politikën shqiptare, Leka Zogu, u shtrua në spital për shkak të problemeve në zemër, por tashmë gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe e ka kaluar rrezikun.
“Ishte në gjendje koshiente, komunikonte, normalisht që për shkak të sëmundjes kishte një frymëmarrje të vështirësuar, ishte i lodhur, por parametrat shëndetësorë i ka të stabilizuar. Vuan nga një sëmundje e rëndë në mushkëri, e cila në fakt është serioze. Sot është bërë hapja e mushkërisë për ta zvogëluar, duke i hequr likidin e tepërt. Diagnoza do të përcaktohet pasi të kryhen të gjitha ekzaminimet.”
Veprat
‘Plaku i Butkës’, roman historik (1966)
‘Ali Pashë Tepelena’, roman (1970)
‘Zëra nga burime të nxehta’, tregime (1972)
‘Intendenti’, tregim (1973)
‘Skënderbeu’ (1975)
‘Prova e zjarrit’, roman (1977)
‘Kohët që shkojnë, kohët që vijnë’, reportazhe (1985)
‘Ujërat e qeta’, roman (1988)
‘Koha e njeriut’, roman (1990)
‘Udhëtari’, roman (2009)
Skenarë
‘Dritat e qytezës’ (1983)
‘Intendenti’ (1980)