E Diel, 1 Nëntor 2026

Llalla: Zyrtarët fshehin pasurinë, prokuroria pushon kallëzimet

SHKRUAN: Leonard Bakillari 21-07-2011 13:03

Kreu i ILDKP ka raportuar në Komisionin e Ligjeve se gjatë punës hetimore janë vënë re pasuri të vëna në rrugë të dyshimta. Deputeti Sula: Si mund t’i shpëtojë ILDKP-së që pushimet luksoze politikanët i kryejnë në vendet më të shtrenjta të botës, që kanë ora dhe kostume shumë të shtrenjta, ku e gjejnë gjithë këtë pasuri?

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive akuzon Prokurorinë e Përgjithshme se në mënyrë jo ligjore ka pushuar çështje të kallëzuara për fshehje apo mosdeklarim të pasurive nga zyrtarët e lartë. Deklaratat janë bërë nga kreu i ILDKP-së, Adriatik Llalla, gjatë raportimit të tij djeshëm në Komisionin e Ligjeve, ku dhe u shqyrtua raporti i këtij institucioni për punën e kryer gjatë vitit 2010. Gjatë fjalës së tij përmbledhëse për veprimtarinë e kryer gjatë vitit 2010, ai ka vlerësuar se ka një rritje në ndërgjegjësimin e institucionit të akuzës për trajtimin e çështjeve të adresuara nga ILDKP, përsëri ka evidentuar se mbetet shqetësim fakti se çështjet pushohen pa u trajtuar në mënyrë të thelluar. “Krahasuar me vitin 2009, është vënë re një ndërgjegjësim në rritje nga ana e prokurorisë në trajtimin e kallëzimeve penale. Megjithatë, sërish ka çështje të cilat, në gjykimin e Inspektoratit të Lartë, janë pushuar nga organi i Prokurorisë pa argumentime ligjore bindëse”, - tha Llalla në fjalën e tij. Ai ka bërë të ditur se gjatë vitit 2010, në Prokurori janë çuar18 raste për kallëzim penal, nga të cilat 7 çështjet janë dërguar për gjykim, 7 të tjera janë pushuar, ndërsa për 4 raste të tjera, vazhdojnë ende hetimet. Nga ana tjetër, Llalla ka deklaruar se gjatë punës hetimore të ILDKP është vënë re se janë vënë pasuri në rrugë të dyshimta. “Pavarësisht nismave të ndërmarra nga Inspektorati i Lartë lidhur me përmirësimin e teknikave hetuese, edhe gjatë vitit 2010, në praktikën institucionale është konstatuar që në deklarimet periodike të subjekteve deklarues, pasqyrohen të ardhura në rrugë joformale, nëpërmjet personave të lidhur, si p.sh. dhurata në vlerat të konsiderueshme, huamarrje apo huadhënie në rrugë informale, etj.”, - u shpreh më tej kreu i ILDKP-së. Ndërkohë që kjo çështje ka ngjallur edhe revoltimin e deputetëve, të cilët kanë kërkuar nga ILDKP një punë më të thelluar dhe më profesionale për të sqaruar sesi zyrtarë të lartë deklarojnë publikisht shtim pasurie në shifrat e miliona dollarëve brenda një apo dy vitesh. “Unë gjej rastin ta them që në Shqipëri ka me të vërtetë fshehje të pasurisë dhe kjo është evidente dhe nuk mund të fshihen si struci. Kur një politikan në një vit deklaron një pasuri fikse dhe një ose 2 vite më vonë deklaron 1 milion apo 2 milionë euro, kjo është për të ardhur keq. Si mund t’i shpëtojë ILDKP-së që politikanë dhe zyrtarë të lartë kanë makina luksoze, të cilët të jeni të sigurt që një pjesë e mirë e tyre nuk i kanë deklaruar në emër të tyre? Si mund t’i shpëtojë ILDKP-së që fëmijë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve venë dhe studiojnë në universitetet më prestigjioze të botës dhe më të shtrenjtat? Si mund t’i shpëtojë ILDKP-së pushimet luksoze që politikanët i kryejnë në vendet më të shtrenjta të botës, që kanë ora dhe kostume shumë të shtrenjta, ku e gjejnë gjithë këtë pasuri?”, - u shpreh deputeti demokrat Dashnor Sula. Vetëm për vitin 2010 pranë Inspektoratit të Lartë janë administruar, duke kaluar më pas fazat e tjera të kontrolleve një total prej 5302 deklarata të interesave private, të cilat kanë kaluar në faza të mëtejshme të kontrollit. Gjithashtu, nga deklaratat e interesave private të dorëzuara gjatë vitit 2010, kanë kaluar për kontroll aritmetik e logjik deri më 31.12.2010, 4320 deklarata. Ndërkohë që gjatë vitit raportues, ILDKP ka gjobitur 46 zyrtarë për vonesa në deklarim.

Prokuroria: ILDKP të hetojë zyrtarët e lartë

Tiranë Pas deklaratës së kreut të ILDKP-së, Adriatik Llalla, se Prokuroria ka pushuar pa argumente bindëse kallëzimet e depozituara nga ky institucion, mbrëmjen e djeshme reagoi edhe Prokuroria e Përgjithshme. Nëpërmjet një deklarate për mediat akuza qendrore tha se nga 5302 deklarata pasurie të zyrtarëve të lartë që ka administruar ILDKP për vitin 2010, në Prokurorinë e Përgjithshme janë paraqitur gjithsej 18 kallëzime penale nga ky institucion. “Nga këto kallëzime 6 kanë qenë për kryetarë komunash, 2 për doganierë, 3 për ish-doganierë, 1 ish-deputet, 1 ish-zëvendësministër, 2 punonjës nga drejtoria e Tatimeve, 1 punonjës nga Ministria e Transporteve, 1 regjistrues i Pasurive të Paluajtshme, 1 ish-përmbarues”- thotë Prokuroria e Përgjithshme. Sipas saj, nga këto 8 raste, në 5 prej tyre është vendosur mosfillim i procedimit penal, sepse nuk ishin konsumuar masat administrative më parë nga vetë ILDKP, janë regjistruar 13 procedime penale nga të cilat, 9 janë çuar për gjykim duke u ngritur akuzat ndaj zyrtareve te kallëzuar, 3 janë pushuar dhe 1 është ende nën hetim. “Prokuroria fton Inspektoriatin e Deklarimit të Pasurive të fokusojë hetimin e tij administrativ drejt pasurive të zyrtarëve të nivelit të lartë të administratës publike”, - ka reaguar Prokuroria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›