Fabrika e plastikës nën flakë, për disa orë Tirana e nxirë nga tymi
Tiranë Një zjarr i madh ka përfshirën paraditen e djeshme një fabrikë të prodhimit të etiketave plastike në Tiranë. Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 11:30 në zonën e ish-Poligrafikut, kur fabrika “Arbeas” është përfshirë nga flakë të mëdha, të cilat kanë alarmuar të gjithë banorët e zonës përreth, por edhe bizneset e tjera që ndodhen në atë zonë, pasi përhapja e flakëve mund të rrezikonte djegien e disa magazinave të tjera që ndodheshin afër fabrikës së përfshirë nga flakët. Për disa orë retë e zeza të tymit dukeshin në qiell dhe ndotja ka qenë shumë e madhe. Sipas punonjësve të fabrikës, mësohet se fillimisht kanë qenë disa vatra zjarri të vogla, të cilat janë munduar të shuhen nga punonjësit, por vetëm pak çaste më vonë të gjithë kanë dalë me shpejtësi nga fabrika, pasi flakët ishin përhapur në të gjithë katin e dytë të godinës. Ndërkohë dëshmitarë të tjerë tregojnë se pasi kanë dalë punëtorët nga fabrika, një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur brenda fabrikës, duke shembur një pjesë të tavanit të fabrikës. Gjithashtu mësohet se dy punonjës të kësaj fabrike janë dërguar me urgjencë në Spital për shkak të asfiksisë, por sipas mjekëve ata janë në gjendje të mirë për jetën. Ndërkohë, sipas të afërmve të pronarit të kësaj fabrike, Arben Beqiraj, mësohet se fabrika ishte e siguruar, ndërsa dëmi i shkaktuar është rreth 10 milionë euro.
Lajmërimi
Pas shpërthimit të zjarrit kanë qenë punonjësit e fabrikës të cilët kanë njoftuar menjëherë forcat e zjarrfikësve, të cilat kanë mbërritur në vendngjarje vetëm pas 20 minutash. Menjëherë pas mbërritjes, 3 makinat e zjarrfikësve kanë nisur punën për shuarjen e flakëve, të cilat rrezikonin të përhapeshin dhe në godina të tjera, por njëkohësisht është evakuuar dhe e gjithë zona përreth, pasi brenda fabrikës gjendeshin sasi të mëdha dylienti, të cilat rrezikonin të shpërthenin dhe të sillnin një tragjedi. Edhe pas përpjekjeve të shumta të forcave zjarrfikëse, ishte thuajse e pamundur vënia nën kontroll e flakëve, të cilat herë pas here dilnin nga dritaret e fabrikës dhe ngriheshin disa metra lart në qiell. Duke parë këtë situatë, është kërkuar ndihma e zjarrfikësve të qytetit të Durrësit, të cilat kanë mbërritur brenda një kohe rekord dhe i janë bashkuar zjarrfikësve të kryeqytetit për të neutralizuar flakët. Pas gati dy orësh “luftë”, forcat zjarrfikëse të ardhura nga Tirana dhe Durrësi arritën të shuanin zjarrin, por sërish kishte sasi të mëdha tymi të zi që dilnin nga dritaret e fabrikës.
Hetimi
Menjëherë pas vënies nën kontroll të flakëve, ekspertë të grupit hetimor të Policisë së Tiranës, Prokurorisë dhe të Zjarrfikësve nisën punën për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit. Sipas dyshimeve të para, mësohet se zjarri ka ardhur si pasojë e një shkëndije elektrike, por fakti se ishin disa vatra zjarri, nuk ka përjashtuar as pistën e zjarrvënies së qëllimshme. Nga ana tjetër, ekspertët janë duke mbledhur dëshmitë e të gjithë punonjësve që ishin të pranishëm në momentin e zjarrit. Sipas disa nga dëshmive, mësohet se fillimisht kanë qenë disa vatra të vogla zjarri, të cilat, sipas punonjësve, dyshohet se kanë ardhur nga shkëndijat elektrike. Pasi janë munduar ta shuajnë zjarrin, ata kanë dalë me shpejtësi nga godina, brenda së cilës vetëm pak çaste më pas është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm që ka rrëzuar një pjesë të tavanit dhe më pas flakët kanë përfshirë të gjithë godinën. Nga ana tjetër, ekspertët e grupit hetimor kanë qëndruar deri në orët e vona pranë godinës për të zbuluar shkaqet e zjarrit, por ende nuk ka asnjë version zyrtar në lidhje me ngjarjen.