E Shtunë, 31 Tetor 2026

Llani mes Partizanit e Tiranës: Pranoj nëse luaj si titullar

Ervin Llani, pasi ka shkëlqyer për katër sezone radhazi te Shkumbini, është gati të provojë një aventurë të re, duke synuar të bëhet pjesë e një prej ekipeve të rëndësishme të Kategorisë Superiore. Për gardianin e peqinasve nuk kanë munguar ofertat dhe interesimi i klubeve elitare edhe në vitet e kaluara, por ai ka refuzuar, pasi dëshironte të ishte titullar. Por tani duket se këto skuadra e shohin Llanin si një element shumë të rëndësishëm që mund të përforcojë ndjeshëm lojën e tyre në fazën mbrojtëse.

Ish-portieri i përfaqësueses Shpresa po shihet me interesim nga Partizani dhe Tirana, dy ekipe që do të jenë pretendente kryesore për trofe në edicionin e ardhshëm. Të kuqtë kërkojnë një alternativë të vlefshme për katërkëndorin pas largimit thuajse të sigurt të Orges Shehit, i cili pritet të udhëtojë drejt Vietnamit pas ndeshjeve të Kupës UEFA. Si rrjedhojë, ata kanë kthyer sytë nga Llani, i cili ka treguar një formë të shkëlqyer gjatë edicioneve të fundit. Ndërkohë, edhe Tirana po sheh me interes portierin e Shkumbinit, pasi dëshiron të ketë në përbërje një gardian shumë cilësor për edicionin e ardhshëm. Nallbani nuk shihet më si një titullar, ndërsa i riu Osmani nuk i ka bindur drejtuesit bardheblu në sezonin e tij të parë si titullar. Për këtë arsye, ata po bëhen gati t‘i ofrojnë Llanit një kontratë për sezonin e ardhshëm, duke e parë si alternativën më të vlefshme për këtë rol.

Por gardiani i Shkumbinit ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asnjë ofertë nëse nuk i garantohet posti i titullarit, pavarësisht kontratës që do t‘i vihet përpara, apo emrit të ekipit që e kërkon. "Jam shumë i kënaqur që për mua po shprehin interesim disa prej skuadrave më të mira në Shqipëri. Oferta nga Partizani ose Tirana nuk mund të refuzohen. Por unë ia kam bërë të qartë këtyre dy skuadrave se nuk do të hedh firmën në kontratë nëse nuk do të jem titullar. Për këtë arsye, preferoj të kem një ide të qartë rreth planeve të skuadrave që më kërkojnë para se të marr një vendim përfundimtar. Për mua është e shumë e rëndësishme të aktivizohem rregullisht dhe nuk do të pranoj një rol zëvendësuesi në çdo skuadër. Tirana dhe Partizani janë ekipe të mëdha, por unë edhe më parë kam refuzuar oferta për të qenë zëvendësues, pasi mendoj se e meritoj fanellën e titullarit", u shpreh për "Shqip" portieri Ervin Llani.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›