E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi nderohet me "Urdhrin Olimpik"

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka zhvilluar dje Asamblenë e 13-të Vjetore, ku janë përcaktuar detajet për përgatitjet përpara fillimit të lojërave olimpike, "Pekin 2008". I ftuar aty ka qenë edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili është nderuar me "Urdhrin Olimpik". Motivacioni për kreun e shtetit ishte "për kontributin e padiskutueshëm në promovimin e Lëvizjes Olimpike Shqiptare dhe të Sportit në Shqipëri". Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe atij olimpik, gjatë një ceremonie të veçantë, presidenti i KOKSH, Hysen Domi, i ka dorëzuar Presidentit Topi këtë vlerësim. Pasi ka përshëndetur asamblenë dhe të pranishmit si dhe ka shprehur mirënjohjen për nderimin që iu bë, numri 1 i shtetit tha për të pranishmit në sallë: "Në realitet nuk isha përgatitur për ndonjë fjalim, por fjalët e rastit i konsideroj si gjeste sportive. Kështu që, në një ambient sportiv, në një ambient kaq miqësor, në një ambient ku njeriu ndjehet shumë rehat, e ka edhe më të lirshme për të folur, ndonëse emocionet bëjnë punën e vet. Unë, përgjithësisht, jam mësuar që të premtoj të tjerët, jap medalje për të tjerët, jap dekorata. Kjo është arsyeja përse kjo ceremoni, ku janë të tjerët ata që më dekorojnë mua, më duket disi e veçantë. Është një vlerësim, i cili do të jetë dhe do të mbetet i paharrueshëm për mua. Do të më motivojë që të jem gjithmonë shumë aktiv në misionin e natyrshëm, por edhe institucional. Them natyrshëm se qysh fëmijë, jo vetëm jam marrë me sport, por kam pasur rastin që secilin prej jush ta admiroj për kompeticionin sportiv, mbi të gjitha për vlerat njerëzore që keni shpalosur". Më tej, në fjalën e tij, Presidenti Topi theksoi rëndësinë e Lëvizjes Olimpike: "Komiteti Olimpik sot ka figura të nderuara, ka figura që kanë dhënë shumë për sportin shqiptar, për Lëvizjen Olimpike në kohë të ndryshme dhe ajo që mbetet për t‘u vlerësuar më shumë, që pak e shohim ndoshta në fusha të tjera, është solidariteti që ju keni midis jush, solidariteti sportiv, që e bën njeriun të ndjehet më njeri, e bën të ndjehet më solidar. Lëvizja Olimpike, lëvizja sportive, mbetet një nga ambasadorët më të mirë të Shqipërisë dhe kjo është arsyeja që të gjithë duhet të japim maksimumin tonë, që Lëvizja Olimpike, lëvizja sportive në përgjithësi, të jetë një mjet për të edukuar brezin e ri dhe për të përfaqësuar sa më mirë vlerat e Shqipërisë kudo në botë. Edhe njëherë ju falënderoj të gjithëve nga zemra, më keni emocionuar shumë. Më keni gëzuar shumë". Menjëherë pas marrjes së "Urdhrit Olimpik", i pyetur nga gazetarët se çfarë u uronte sportistëve shqiptarë pjesëmarrës në Olimpiadën 2008, Presidenti Topi tha: "Shqipërisë natyrisht i uroj një përfaqësim sa më të gjerë, sa më kompleks, sa më të larmishëm dhe patjetër një kompeticion që të na sjellë më shumë medalje se sa herën tjetër".

Në asamble është konfirmuar edhe përbërja e delegacionit shqiptar që do të udhëtojë drejt Kinës. Përveç sportistëve, trajnerëve dhe zyrtarëve të lartë të federatave pjesëmarrëse dhe drejtuesve të KOKSH, në këtë aktivitet të rëndësishëm sportiv nuk do të mungojnë as Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango.

E kaluara

Presidenti Topi,

me sportin "në gjak"

Presidenti Bamir Topi përfshihet mes politikanëve të pasionuar pas sportit. Megjithatë, ndryshe nga shumë kolegë të tij, që pasionin "e gjejnë" vetëm në momentet kur ka aktivitete, kreu i shtetit është nga ata njerëz që sportin e kanë në gjak. E kaluara e tij e tregon më së miri këtë: president i klubit Tirana, por mbi të gjitha një rol shumë aktiv në momentin më të vështirë të futbollit shqiptar, pezullimit nga FIFA dhe UEFA. Falë negociatave të zhvilluara prej tij, Federata e Futbollit dhe Ministria e Sporteve kanë sheshuar kontradiktat, duke bërë që të gjendej një zgjidhje për konfliktin disavjeçar. Ndihma e Presidentit Topi në rikthimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare është e padiskutueshme. "Besoj se t‘i përkushtohesh sportit nuk është thjesht pasion, së paku për personin tim, pasion i cili ka sunduar gjatë gjithë jetës sime, por edhe në këtë pozicion që jam tani, kam një detyrë më shumë që të promovoj të gjitha vlerat pozitive dhe fantastike që ka sporti", tha Topi pas vlerësimit me "Urdhrin Olimpik" në Asamblenë e KOKSH.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›