Sidni Hoxha mbetet në pritje
Nëse deri tani KOKSH shpresonte në pjesëmarrjen e 11 sportistëve në Lojërat Olimpike, duket se ky numër mund të reduktohet në 9. Fillimisht ishin 10 sportistët në listën e KOKSH, që do të shkonin në Pekin, ndërsa pritej një ftesë për shtangisten Romela Begaj. Por dje ka ardhur lajmi se Federata Ndërkombëtare e Notit ka vendosur të anulojë ftesën për notarin Sidni Hoxha, për arsye ende të pashpjeguara saktësisht. Federata Ndërkombëtare kishte ftuar Hoxhën të merrte pjesë në aktivitet, por një ankesë nga një notar tjetër ka bërë që ajo të ndryshojë vendimin e saj. Kjo situatë është krijuar si rrjedhojë e fraksioneve të krijuara në Federatën Shqiptare të Notit, të cilat mbështetin sportistë të veçantë. Por më i dëmtuari ka qenë pikërisht notari Hoxha, i cili tashmë duhet vetëm të shpresojë që Federata Ndërkombëtare të rikthejë përsëri vendimin e saj për ftesën. Në lëvizje është vënë edhe KOKSH-i, në mënyrë që të sqarohet sa më parë situata dhe të sigurohet pjesëmarrja e notarit shqiptar në "Pekin 2008".