E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes Odone, djali i filmit "Vaji i Lorencos"

Lorenco Odone, djali, prindërit e të cilit luftuan me mish e me shpirt për ta kuruar nga një sëmundje e rrallë, përpjekje e cila u bë edhe subjekt i një filmi të famshëm "Vaji i Lorencos" i vitit 1992, ndërroi jetë nga pneumonia në moshën 30-vjeçare. Mjekët kishin parashikuar se ai nuk do të mund të jetonte përtej moshës 11-vjeçare, pasi u diagnostikua me një sëmundje të pakurueshme në moshën 6-vjeçare. Por, prindërit e tij, kundër të gjitha parashikimeve, gjetën një lloj kure prej acidesh të nxjerra nga ulliri dhe ia shtuan jetën djalit të tyre. Lorenco ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Virxhinia të premten, një ditë pas ditëlindjes së tij të 30-të. Ai vdiq nga një problem me mushkëritë, i shkaktuar nga qëndrimi i gjatë në të njëjtin vend. I ati, Augusto, tha se ishte i lumtur që e kishte pasur të birin për gjithë këto vite dhe se ai do të vazhdonte të jetonte me ta edhe pas vdekjes. Lorenco kishte një sëmundje gjenetike, që në mënyrë progresive shkatërron trurin e djemve të rinj. Kjo sëmundje shkakton formimin e acideve që futen në gjak dhe dëme të pariparueshme te pacientët, deri sa më në fund u sjellin vdekjen. Kur Lorenco u diagnostikua me këtë sëmundje, mjekët nuk i dhanë më shumë se 2 vjet jetë, por prindërit refuzuan që të pranonin parashikimin e mjekëve. Edhe pse nuk ishin mjekë, ata këmbëngulën që të hulumtonin dhe të prodhonin një lëndë nga vaji i ullirit, prej së cilës jeta e djalit u zgjat rreth 20 vjet më shumë nga parashikimi i mjekëve. Lënda e prodhuar e ndalonte kalimin e acidit në gjak dhe si pasojë organizmi mund të mbijetonte. Hiri i Lorencos, sipas të atit, do të vendoset pranë bashkëshortes së tij, e cila vdiq në vitin 2000.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›