E Shtunë, 31 Tetor 2026

Llesh Biba Motive biblike të gdhendura në dru

30/06/2011  Janë punë me motive biblike, të cilat “frymëzohen” jo thjesht te rrëfimet biblike, por në motive edhe më reale dhe të prekshme që kanë të bëjnë me popullin izraelit dhe historinë e tij. Dhjetëra skulptura të gdhendura, kryesisht në dru të krijuara nga Llesh Biba, mund të quhen si një mënyrë e veçantë “nderimi” për delegacionin diplomatik izraelit që vizitoi vendin tonë dhe pati dje një takim me krerët dhe intelektualët shqiptarë. Mbështetur nga Dhoma e Tregtisë, ekspozita është një “udhëtim” jo vetëm në momente të veçanta të popullit hebre por edhe të motiveve shqiptare, për një pjesë të të cilave flet vetë autori Biba.

Një ekspozitë e krijuar me skulptura të gdhendura, frymëzuar nga motive biblike? Pse kjo ekspozitë dhe pse në këtë formë?

Po, ekspozita është me temë biblike. Ajo vjen për të nderuar shtetin tonë dhe të Izraelit. Është hera e parë që vjen në Shqipëri një delegacion i rangut të lartë diplomatik izraelit. Një nga punët këtu që ka paraqitur interes dhe është kapur e rrotulluar të paktën nga 20 hebrenj lidhet me terrorin që u është bërë në rang botëror hebrenjve, një skulpturë bocet me katër ide, kryesorja e të cilave është: këtë botë po e bëjmë lule apo granatë? Po kjo ekspozitë kur të kthehet vizita do të shkojë edhe në Tel Aviv. Kjo tregon që ne shqiptarët jo vetëm që nuk jemi racistë, por jemi edhe humanistë. Jo rastësisht ka lindur Nënë Tereza prej nesh. Ne nuk shohim as kisha, as xhami, por çfarë është gjë artistike, çfarë e kënaq tjetrin. Në kuptimin diplomatik nderohet shteti me këtë. Vetë delegacioni mund të them se ka ngelur pa mend: si ka mundësi që përveç na presin, na presin ekstra me një ekspozitë tipike ku mbi 90 për qind e problemeve që trajtohen janë hebreje?!

Është një motiv i rrahur më parë prej jush ai biblik? Çfarë motivesh trajtoni kryesisht në punët tuaja?

Motivi i punëve të mia lidhet me çështjen kombëtare. ( shën. red.:Vëren se kërkon të përdorë kudo fjalën Shqypni e jo Shqipëri). Artet figurative siç është piktura, shijohen me kolor. Skulptura shijohet me dritë-hije dhe këtë gjë e vlerëson shikuesi kur emocionohet. Nuk dua t’i bëj publike disa gjëra sepse i kam tema të veçanta në dy libra që dalin së shpejti në botim. Por e rëndësishme është të nënvizoni se këtu ka punë të rralla, aq sa iu them vizitorëve, nëse arrini të ndani këtë punë nga tjetra, puna bëhet dhuratë për ju. Unë bëj një lloj punimi në dru që shpreh shumë gjëra dhe shpreh një lidhje të pazgjidhshme. Mua më pëlqen kjo thënie. Sa më e zgjuar është lidhja, aq më e pamundur bëhet zgjidhja.

Nuk keni punuar gjatë si aktor edhe pse keni mbaruar studimet për këtë. Në të gjithë jetën tuaj artistike çfarë ju ka mbetur peng, lidhur me këtë fakt ose përtej tij?

Kam pasur sponsor Tonin Alian. Po punonim nën kujdesin e tij dhe do të nxirrnim të parën galeri me rrota. Makina ishte jashtëzakonisht interesante, e vjetër, katastrofë se harxhonte 130 litër naftë në 100 km, prodhim i ’38-ës. Pasi po shkonim pas 6-7 vjetësh në fund të punës, për të nxjerrë portën e kulturës iliro-shqiptare, portë që kur montohej ndryshonte çdo gjysmë ore 31 herë. Këto u dogjën kur u dogj biznesi i Tonin Alisë, djali i Mark Dod Alisë, (shtëpia e tyre në ’75-ën ka qenë “Big Brother”-i më i madh në Shqipëri, 85 vetë në një shtëpi. Atje m’u dogjën edhe skulptura.

Punët tuaja janë të gdhendura në dru dhe në gur. Ku e gjeni më mirë veten?

Punoj dru dhe gur. Në gur kam bërë plot gjëra që për fat janë pëlqyer nga personalitete të ndryshme të botës. Është boceti i paraqitur këtu (Do ta kthejmë botën në granatë apo në trëndafil), por kam bërë varre gjigande që janë montuar me vinça. Kur sheh gjithë këto punë të lind pyetja: po me paret si jeni? Sigurisht jam mirë, por meqenëse unë punët nuk i shes, jam si gjithë të tjerët. Varret janë të montuara, por më ka pëlqyer se po vihet re që shqiptarët tanë jashtë në pamundësi për të parë shpesh prindërit po nderojnë prindërit e tyre që kanë shkuar diku, ashtu si nëna dhe baba ime. Po i ndërtojnë duke treguar nivel të lartë artistik me kërkesa. Kështu hyri ai sistemi i varreve ilire prej guri tek ne në një formë të re. Unë punoj çdo gjë po qe se dua dhe po qe se ma lyejnë dorën me flori. Në një fotografi kam një monedhë floriri ku është Aleksandri i Madh. Të gjithë punët e mia janë të certifikuara, sepse dua që edhe shteti të jetë akoma më i lirë se sa është. Kjo tregon se Ministria e Kulturës ka interesa për certifikimin e çdo vepre arti: ku shkoi, pse e me radhë. Mund të them se në ekonominë e tregut mund të bëhen vepra të pafundme në madhësi të ndryshme. Por mbi të gjitha këto, rëndësi ka ideja, nëse me këtë vepër që paraqesim po themi diçka.

A ju pëlqejnë veprat e artit që “lulëzojnë” në Tiranë?

Tirana që kur është bërë nga arkitektët i ka piedestalet bosh. Për shembull po të shkosh para universitetit janë piedestalet gati, janë edhe projektet se ku do të vendoset Teuta, Genti e me radhë. Ato vepra arti që janë, janë shumë të mira, por unë e ti jemi të mërzitur pse s’dalin njerëzit në fotografi para tyre. Kjo më shqetëson mua si krijues. E dyta, nuk mund të bëhet Tirana, ashtu siç duhet edhe për arsye të varfërisë edhe për arsye se biznesi nuk është akoma në atë shkallë të zhvillimit që të hedhë para për zbukurimin e Tiranës. Askush nuk thotë që iks kryetar bashkie ose kryetare (inshallah një femër, se i kam më qejf femrat), nuk di të zbukurojë Tiranën, por nuk ka para. Për shembull unë kam punuar maketin e Statujës së Lirisë të porositur nga Behxhet Pacolli. Është e paparë se nëse e vure re nuk ka punim timin që shikohet vetëm në një krah. Jam çuditur dhe vazhdoj të çuditem se si ka mundësi që skulptorët do ta kalojnë mollëzën e gishtit në çdo vepër arti para se ta hedhin në bronz, do ta humbasin kohën, materialin dhe nuk mendojnë që puna të shihet rreth e rrotull. Duhet që veprat të shihen në çdo krah, por kalimi në to të jetë harmonik e mos të të vrasë syrin dhe të tregojë diçka. Janë bërë vepra gjigande me 20 ton bronz dhe nga njëra anë kanë ca fytyra, nga ana tjetër ca vithe që bie në kundërshtim edhe me atë që thotë Mikelanxhelo: nëse një vepër arti kur shihet nga mbrapa nuk të ngjall admirim për harmoni, ajo s’është vepër arti.

Nënvizoj me të madhe: skulpturë quhet çdo vepër që ngelet nga një material që i ke hequr atë që s’duhet, ndërsa skulpturë që tregon nivel të lartë artistik që quhet ajo që ngelet, por që ndjell interesin e kalimtarëve më shumë se çdo gjë tjetër. Ky artikulli juaj është i 73-I që del në këto vjet për mua. Prandaj ju uroj 73 vjet dashuri.

Meqenëse ekspozita në fjalë ndërtohet mbi motive biblike, ju vetë besoni në Zot?

Nuk besoj askund me përjashtim te Zoti. Lutem çdo natë: Besoj te ti o i madhi Zot se ta kam frikën dhe them: o zot i madh i vërtetë, nëse ke nevojë për mua më merr qysh sonte. Nëse nuk ke nevojë, më lerë të zbukuroj tokën që krijove. Amen!

Më thonë pse nuk lutesh për fëmijët?! Fëmijët luten për vete, se Zoti nuk është shërbëtori im. Kjo ka rëndësi të nënvizohet. U sugjeroj njerëzve të luten për veten. Për sa u përket priftërinjve apo klerikëve janë njerëz të zakonshëm dhe nuk kam besim tek ta vetëm kur janë në timon, duke u lutur mos të na hedhin gjëkundi.

Pra, besoj te Zoti i madh dhe te çdo njeri që pasi ma ka futur dy herë, nuk ka për të ma futur më.

Krijim me dashuri…

Ishte një djalosh i vogël, nxënës në klasën fillore kur në shtëpinë e tij në fshat krijoi një mulli me ujë me lëvozhgat e lisave. Madje vendosi dhe “një tub” për të çuar ujin te mulliri. Atëherë, Llesh Biba nuk e kishte menduar se do të krijonte me qindra skulptura të gdhendura dhe të afërmit e tij, të mahnitur nga çfarë panë, pohuan se do të bëhej mjeshtër i madh që do të zbukuronte dyer, por kurrsesi një artist. Fati deshte që Biba të studionte në Akademinë e Arteve, por ndryshe nga sa mund të mendohej nga shumëkush jo te Fakulteti i Arteve Figurative, por për aktrim dhe regjisurë.

Megjithatë, këto vite të kaluara në Akademi ishin studime të dyfishta për të. Në çdo orë pushimi që kishte shkonte te Artet Figurative dhe punonte me baltë. Kujton me nderim emrat e pedagogëve si Vlash Prifti dhe Pandi Mele, apo Muntaz Dhrami dhe Kristaq Rama, me të cilët ruan momente të bukura. “Më kanë dashur të gjithë”, pohon, ndërsa shton se këta njerëz shikonin një gjë pak ekstravagante tek ai, një lloj sjelljeje dhe brendi që me sa duket ka dashur ta rrisë pozitivisht dhe ta ruajë te vetja. “Kam qenë dhe dua të jem i tipit rrugaç në kuptimin pozitiv të fjalës. Është gjëja që duhet të frymëzojë çdo njeri”, vëren Llesh Biba. Por nuk harron të shtojë se gjëja më kryesore që nuk kërkon të humbë është vullneti për punë.

“Studiuesi Bardhyl Kosova thotë në momentin që të bie vullneti për punë, kot sa jeton. Unë dua të punoj, të dashuroj (kam 100 apo 200 të dashura, Zoti e di se sa kam) dhe nuk më pëlqen të përsëris punët. Më pëlqen të puth në ballë femrat që më duken të edukuara, tipike shqiptare. Më duken bijat e mia dhe pastaj të puth në faqe. Le ta edukojmë popullin me dashuri dhe jo me urrejtje”.

Për bukën e gojës…

E para punë “serioze”, të cilën e ka përmendur shpesh në biseda dhe intervista i takon vitit 1981. Ishte i njëjti hotel ku sot ka hapur ekspozitën e radhës kur i kërkuan të gdhendte për një delegacion shqiptar në Amerikë. “Më kërkuan të mbaroja punën për 15 ditë dhe për këtë do të më jepnin 500 lekë. Në atë vit ishte vrarë një studente nga tanku dhe unë punova një studente që i ishte mbështjellë tanku në flamur dhe tanku nuk ecte më. Por kur e dorëzova më thanë: ku e ka yllin?

I kërkova falje dhe i thashë se po shkoja ta bëja me vrap. Shkova e ndenja në shtëpi dhe nuk ia bëra yllin. Vij e I thashë: e mbarova. Ata nuk e hapën se kujtuan se e kisha bërë yllin. Pas 4-5 vjetësh vjen një gazetar dhe më pyet për historinë e yllit”. Më vonë, në ‘92-in një korrespodent i “Ilirisë”, gazetës që botohet në Amerikë e pyet përsëri për këtë. “Shkova në shtëpi dhe e torturova duke e pyetur shqiponjën: kush ka lindur i pari, ti apo Arkimedi dhe shqiponja tha: kam lindur unë dhe shtoi ç’e dua yllin përmbi kokë, përderisa Arkimedi ka lindur pas meje?!”. Kjo ishte përgjigja që dha Biba lidhur me mungesën e yllit e që ndoshta ishte një nga ato “detaje” që si shumë gjëra të tjera ndikuan që të mos punësohej për vite.

E ndërsa e pyet se pse gdhendte vazhdimisht në atë kohë, përgjigja që merr është me humor dhe tepër e thjeshtë: “Isha pa bukë”. “Më merrnin regjisorët Muharrem Fejzo, Fehmi Oshafi, Mark Topollaj dhe më thoshin: ‘pa llafe, do të të japim role të vogla, mbylle gojën, ha bukë’. Dhe unë shkoja me ta në xhirime filmash”. Por në fakt nuk ishte kjo puna e vetme dhe “kryesore” që bënte në ato ditë xhirimesh. Sjell ndërmend se si njëherë Muharrem Fejzo e pati pyetur në Pogradec gjatë xhirimeve të filmit “Binarët” si me 130 lekë të vjetra merrte dhomë 100 lekëshe, kur sekretari i parë i partisë merrte një dhomë që kushtonte 80 lekë. Përgjigjen për këtë pyetje ai dhe kolegët e tij do ta merrnin kur e gjetën Lleshin duke gdhendur. “Iu përgjigja atëherë: 30 lekë më teprojnë, 100 lekë i nxjerr nga gdhendja. Ndaj marr dhomë 100-she, teke. Se e para, nuk dua të shoh duhan me sy. E dyta, nuk dua të shoh asnjë femër që pi duhan dhe po qe se femra pi duhan, edhe bota të shuhet nuk e riprodhoj. Kaq, e urrej duhanin”. Madje kujton se në vitet e regjimit të Enver Hoxhës ka hedhur në kallëp edhe Jezu Krishtin, të cilin më pas i hidhte në pluhur sikur të ishte një kokë varri që shkon diku. “Gjithmonë kam gjetur një formë të ha bukë. Punoja dhe shisja. Nuk ka politikan shqiptar që të mos ketë ndonjë punë timen”, rrëfen artisti Biba.

Motivi shqiptar

“Ora e shqiptarit po troket”. Kjo është ajo që thotë në një prej punëve të tij të gdhendura në dru, ndërsa paraqet “një disk” të shkruar edhe në serbisht, edhe në greqisht, edhe në italisht, porse pjesë e tij janë edhe shqiptarët arbëreshë, shqiptarët nëpër botë, shqiptarët e ish-Jugosllavisë dhe çamët e Çamërisë. “Duhet të theksosh se mendimi im, të cilin e kam dhënë edhe para gjashtë vjetësh në një intervistë, është se çështja çame s’ka nevojë të zgjidhet me barut, por vetëm me ushtarë me kollare, me diplomaci”.

Në një punë tjetër përcjell idenë e tjetërsimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe ngre pyetjen pse.

Këtë e jep përmes këmbëve të një shqiponje me kthetra gjigande. “Çdo njeri duhet të mendojë pikë së pari për veten dhe pastaj për të tjerët, në këtë rast edhe për kombësinë, kombin”. Në këtë linjë është edhe një kupë me tre duar që mbajnë një sahan. Tre duart janë simbole të tre besimeve të mëdha: katolik, ortodoks, mysliman.

Kapela e republikës në dru që ka simbol stemën e Arbërit, Gjergj Kastriotit dhe të Lidhjes së Prizrenit tregon se si hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Republikën e Shqipërisë nuk u tradhtuan dhe prandaj na janë mirënjohës. Një punim tjetër interesant është ai në të cilin autori ngërthen disa ide, porse me të cilën kërkon të zgjojë njerëzit: “vëri gishtin kokës, këtë botë do ta kthejmë në granatë apo në lule?” Nuk mungojnë as arkat e vjetra me stema shqiptare, apo një album që tregon se Shqipëria ka elemente hebraikë. Krijimi i yllit të Davidit, puplat e bardha- (gazetarë e diplomatë që duan të firmosin paqen) e megjithatë… paqja nuk ekziston. Simboli i Gjergj Kastriotit në dru, por që ka yllin e Davidit, (Davidin e ka pasur simbol të forcës) dhe një libër i madh me shënime për Gjergj Kastriotin, tek i cili Llesh Biba ka mbledhur mendime të njerëzve të ndryshëm që nga 2005 për heroin tonë kombëtar, janë gjithashtu pjesë e kësaj ekspozite.

Në vend të biografisë

Pasi studioi për aktrim dhe më pas punoi si regjisor, që nga viti 1981 e deri më sot, Llesh Biba shprehet se nuk ka firmosur dhe s’ka asnjë lidhje me shtetin, edhe pse e do atë. “S’kam pasur dorën e ngrohtë të asnjë shteti, megjithatë e falënderoj shumë. Shteti e ka parë se mund të jetoj edhe pa dorën e ngrohtë të shtetit, por i shërbej atij. Thënia që përdor shpesh në ekspozita është: Punoj për shtetin tim, unë ushtari vullnetar”. “Nesër, pasnesër kur të vdes do ta llogaris që të vdes duke punuar dhe të mos rroj më shumë se 24 orë se nuk kam sistem pensionesh. I vetmi merak është përse nuk më tregojnë dosjen pse nuk jam trajtuar si aktor nga ’81 e deri më sot”, vëren, ndërsa sjell si shembull të ndjerin Vath Koreshi në kohën kur ishte ministër, si të vetmin që i dha një dokument ku thuhej: “I lëshohet ky dokument z. Llesh Bibës meqenëse nuk ka pranuar asnjë ministër Kulture t’ia japë. Që nga ’81-shi e deri më sot në demokraci, nuk është marrë në punë nga ky dikaster”.

“Isha një ndër 200 të papunët intelektualë të asaj kohe që njihja vetëm në Tiranë”.

Megjithatë, Llesh Biba ka interpretuar në disa filma artistikë ku mund të përmendim disa role: Babai përkrah Rajmonda Bulkut te “Muri i gjallë”, roja e binarëve të filmi “Binarët”, spiuni i klasës punëtore te “Guri i Besës” në Rubik, ballist trim nga Dukati në “Në emër të lirisë”, etj. Nëse e pyet për origjinën dhe vendin e lindjes përgjigjet duke qeshur: “Jam nga fshati më i mirë në botë që quhet Nënshenjt. Pastaj ka një dhjetë vende bosh. Pastaj vjen Tirana, pastaj Prishtina, pastaj Shkupi, Ulqini, pastaj Preveza e gjithë Çamëria, pastaj ka nja tetë vende bosh e pastaj Parisi e qytete të tjerë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›