E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vret të dashurën e tij 35-vjeçare për motive xhelozie

30/06/2011  Viktima, 3 vjet lidhje intime me autorin 60-vjeçar. E masakroi me çekiç dhe mjete të forta

POGRADEC- Një 35-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, nga qyteti i Pogradecit u gjet e pajetë në dhomën e një hoteli në qytetin e Pogradecit. Vdekja e saj ishte shkaktuar nga goditjet me mjete të forta, ndërsa kishte marrë plagë edhe në kokë për të cilat mendohet se agresori i kishte përplasur kokën pas krevatit. Të gjitha këto tregonin se vdekja e saj kishte ardhur pas një dhunimi çnjerëzor. Autori i kësaj ngjarjeje, fill pas vrasjes së gruas ishte larguar nga hoteli, por falë hetimeve përmes metodave speciale u bë e mundur që agresori të identifikohej shumë shpejt dhe në të njëjtën kohë të bëhej dhe arrestimi i tij. Ai është 60-vjeçari, Halit Hykellari, lindur dhe banues në fshatin Zervaskë (Gështenjas) të Pogradecit, ndërsa viktima e tij ishte shtetasja Mirela Spahiu, banuese në Pogradec. Burri 60-vjeçar i kishte marrë jetën nënës së dy fëmijëve vetëm sepse ushqente ndaj saj një ndjenjë të fortë xhelozie. Madje kanë mjaftuar këto motive, që 60-vjeçari t’i jepte të drejtë vetës për të fikur jetën e një 35-vjeçareje.

Lidhja intime

35-vjeçarja Mirela Spahiu, e divorcuar, tre vjet më parë filloi një lidhje intime me 60-vjeçarin Halit Hykellari, të cilit 5 vjet më parë i kishte vdekur bashkëshortja. Megjithatë, kjo lidhje do të përfundonte në mënyrën më tragjike dhe më absurde të mundshme. Lidhja mes gruas dhe 60- vjeçarit do të shoqërohej nga mosmarrëveshje, të cilat vinin si rezultat i xhelozisë së fortë të 60-vjeçarit. Së paku kështu kishte ndodhur edhe një ditë përpara vrasjes së gruas. Atë ditë viktima dhe autori ishin parë për një kohë të gjatë së bashku. madje ata kishin kaluar një farë kohe edhe në një nga hotelet e fshatit Hudënisht në Pogradec. Më pas ata kishin vendosur ta kalonin natën në një nga hotelet e Pogradecit, ku dhoma e hotelit do të shndërrohej në varr për 35-vjeçaren. Ndjenja e fortë e xhelozisë që mesa duket nuk përballohej nga Hykellari do ta çonte këtë të fundit drejt një akti makabër, duke i shkaktuar vdekjen përmes goditjeve me mjete të forta dhe të mprehta, madje edhe duke përdorur një çekiç dhe përplasjet pas krevatit. Pas kësaj ai do të largohej tinës nga hoteli për t’i shpëtuar gjykimit të aktit çnjerëzor.

Ngjarja

Ka qenë ora 22.00 e ditës së martë kur në Komisariatin e Policisë Pogradec kishte mbërritur informacioni se në lagjen nr. 1, në rrugën “Rreshit Çollaku”, në hotelin 6-katësh, dhe konkretisht në dhomën nr. 1 ishte gjetur e vrarë një femër. “Pas marrjes së informacionit bëri të ditur Drejtori i Policisë të Qarkut Korçë, Bernard Çaushaj, nga ana e policisë u shkua në vendngjarje. Menjëherë filloi puna për identifikimin e kufomës. Në bashkëpunim me Sektorin e Hetimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë të Qarkut Korçë dhe pas një pune të mirëorganizuar, duke përdorur me sukses të gjithë metodat speciale të hetimit u bë e mundur zbardhja, dokumentimi dhe arrestimi i autorit të kësaj ngjarje të rëndë që kishte ndodhur në qytetin e Pogradecit”. U identifikua kufoma, tha Çaushaj, e cila i përkiste shtetases Mirela Spahiu, lindur dhe banuese në Pogradec. Autori i kësaj ngjarje të rëndë ishte shtetasi Halit Hykellari, i datëlindjes 1951, banues në fshatin Zërvasëkë. Mësohet se xhelozia ka qenë shkak i kësaj ngjarje të rëndë që çoi 60-vjeçarin deri në aktin makabër, duke i marrë jetën 35- vjeçares”. Fill pas hetimeve të kryera erdhi dhe arrestimi i Hykellarit, i cili jetonte me djalin e tij të madh të martuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›