Llumnica: Vitin e ardhshëm përsëri në elitën suedeze

I cilësuar si njëri nga talentet më të mëdhenj kosovar, përderisa mbronte ngjyrat e klubit më të suksesshëm, Prishtinës, Xhevdet Llumnica, tashmë këtë epitet si duket e ka marr edhe në futbollin suedez. "Të them të drejtën, edhe pse jam shpallur futbollisti më i mirë i Ligës së tretë në të dy grupet në Suedi, aspak nuk jam i kënaqur pse gjendem në këtë rang të garave. Kam kaluar një edicion të mirë në skuadrën Husqvarna, dhe fati i keq ishte ai që na pengoi të kalojmë në Supereta (liga më cilësore suedeze), pasi që vetëm në ndeshjen e fundit kemi humbur këtë rast", ka nisur bisedën për gazetën tonë flokëverdhi Llumnica, ish-futbollist i Prishtinës, i cili aktualisht është futbollist i skuadrës Husqvarna, me të cilën, në 24 ndeshje ka shënuar 14 gola dhe njëherësh e mban epitetin e golashënuesit më të mirë në këtë kategori. "Është shumë vështirë të depërtosh në ndonjë ligë evropiane nëse nuk ke ndonjë mbështetje të fortë. Megjithatë, unë isha ai që arrita të bëj një kontratë me skuadrën elite të futbollit suedez, Kalmar, në të cilën kalova një vit. Kisha një konkurrencë shumë të fortë në këtë skuadër dhe ishte e pamundur të zë vendin e brazilianëve, të cilët aty ishin një kohë më të gjatë se unë", tregon historinë e tij Llumnica. Gjithsesi, paraqitjet e mira në skuadrën e Husqvarnës dhe golat e shënuar në këtë klub kanë rënë në sy të shumë klubeve suedeze dhe është shumë e afërt që sulmuesin prishtinas përsëri ta shohim në ndonjë skuadër më të madhe në Suedi. "Tashmë kamë një ofertë nga skuadra Bonkofla, e cila bën gara në Supereta, mirëpo nuk e di sa do të jetë e mundshme të kaloj atje, pasi unë aktualisht kam kontratë edhe për një vit me skuadrën time, Husqvarna dhe kjo mund të jetë pengesë. Por, edhe nëse këtë vit nuk do të kalojmë në rang më të lartë, vitin e ardhshëm jam i bindur që do jem pjesë e një skuadre më të madhe", tha Llumnica. Duhet theksuar se Xhevdeti ka qenë futbollistë standard i përfaqësueses së Kosovës, mirëpo këtë herë përzgjedhësi i ri, Edmond Rugova, nuk kishte dërguar ftesë në adresë të këtij futbollisti, e cila ishte befasi për shumë kënd që e njeh futbollin e Kosovës. "Kam qenë i befasuar për mosftesën nga ana e përzgjedhësit, mirëpo kjo është puna e tij dhe ai ka vendosur kështu. Unë i uroj shumë sukses përfaqësueses sonë dhe më duhet të them se, gjithmonë jam i gatshëm të luaj për përfaqësuesen e Kosovës", përfundoi Llumnica.