E Diel, 1 Nëntor 2026

Lodhja kronike, sindroma që ndryshon me mjeshtëri jetën aktive



Sindroma e lodhjes kronike është një sëmundje e çuditshme, misterioze dhe komplekse. Është cilësuar si e tillë që nga viti ‘94, kur në Londër një grup studiuesish u mblodhën për t’i vënë një emër. Që atëherë ka pasur disa ndryshime, megjithatë shkaqet kanë ngelur pak të qarta, ndërsa mjekimet eksperimentale. Shpesh shfaqet pas një gripi ose një infeksioni viral. Shkakton çrregullime të sistemit imunitar, i cili vazhdon të lëshojë antitrupa edhe pas zhdukjes së virusit. Provokon një dobësi të përgjithshme të trupit, dhimbje fizike mungesë përqendrimi dhe vëmendjeje. Por, mbi të gjitha shkakton një dekurajim dhe pikëllim të përgjithshëm. Simptoma të ngjashme me ato të depresionit, me të cilin në fakt ngatërrohet shpesh. Ka dhe nga ata që pushojnë së punuari dhe studiuari. Kështu, sipas disa studimeve të kryera nga një institut i pavarur amerikan, rreth 70 për qind të pacientëve që preken nga lodhja kronike arrijnë ta lënë punën, ndërsa sipas studimeve të tjera, vetëm 45 për qind vazhdojnë ta mbajnë një punë me kohë të plotë, ndërsa 18 për qind me kohë të pjesshme. Në fakt, më e çuditshme është thënia e vazhdueshme e personave që vuajnë nga kjo sëmundje: “Jam gjithmonë i lodhur”.
Sindroma
Fakti është që sindroma e lodhjes kronike arrin të ndryshojë me “mjeshtëri” jetën dikur aktive të personave. Jo rastësisht, në vitet ‘80 është quajtur sindromi “yuppie” për të thënë rëndimin dhe boshllëkun pas një jete aktive. Megjithatë, sindromi kronik godet më shumë gratë dhe të rinjtë, ndërsa mosha më në rrezik është pas të 30-tave. Te të moshuarit dhe fëmijët shfaqet shumë rrallë. Është evidente që nga lodhja vuajnë një pjesë e mirë e popullsisë, ku vetëm 20 për qind i drejtohen një mjeku. Ajo arrin të prekë vetëm të rriturit dhe sidomos gratë në karrierë, që nuk arrijnë të bëjnë çdo gjë. Pushimi është e vetmja kurë që nuk kushton asgjë. Një vullnet i shëndoshë është ilaçi më i mirë. Puna mendore nuk të lodh vetvetiu. Ky është një fakt interesant dhe shumë i rëndësishëm. Duket gati e pabesueshme. Por, megjithatë, para disa vjetësh, shkencëtarët janë përpjekur ta shpjegojnë se sa mund të punojë truri i njeriut, por që të mos e arrijë “aftësinë e zvogëluar të punës”, që është definicion shkencor për lodhjen. Për habinë e tyre, erdhën në përfundim se gjaku që qarkullon nëpër tru nuk tregon kurrfarë shenjash të lodhjes. Me fjalë të tjera, po ta analizonim gjakun nga damarët e punëtorit fizik pas një pune të rëndë, do të shihnim se në të ka shumë toksina, helme që janë shkaktare të lodhjes. Por, po të analizonim një pikë të gjakut nga truri i një studiuesi, do të shihnim se në të s’ka kurrfarë shenje të toksinës, madje edhe pas ditës me plot punë të rëndë mendore.
Pushimi
Të gjithë kemi nevojë për pak relaks dhe shtendosje. Pas një ose disa momenteve çlodhëse dhe medituese ju mund të vëreni që muskujt e syve do të shtendosen dhe do jeni më të përqendruar. Thuajse nëpër ballë ka kaluar një dorë e lehtë qetësuese, që ua ka hequr tendosjen e grumbulluar. Ndoshta ju duket e pabesueshme, por është e vërtetë që gjatë asaj minute e keni sprovuar fshehtësinë dhe artin e shtendosjes. Kështu mund t’i shtendosni nofullat, muskujt e fytyrës, të qafës, të shpatullave dhe të krejt trupit. Syri, megjithatë, është organi më i rëndësishëm. Shtendosja e muskujve të syve është aq e rëndësishme për të larguar tendosjen nervore, sepse sytë shfrytëzojnë 1/4 e energjisë së përgjithshme nervore që e ka tërë organizmi i njeriut. Prandaj njerëz me shikim plotësisht normal, ankohen shpeshherë se u janë lodhur sytë. Truri është i palodhshëm, pasi sipas studimeve edhe pas punës tetë apo dymbëdhjetorëshe, mund të punojë po aq mirë dhe aq shpejt, si edhe më parë. Por pse lodhemi? Psikiatrit konsiderojnë se në shumicën e rasteve, lodhja është rezultat i gjendjes sonë psikike dhe emocionale.
Lodhja
Psikiatri i njohur anglez Hadfield, thotë se “lodhja nga e cila vuan njeriu mesatar është pasojë e gjendjes psikike, ndërsa rraskapitja nga puna e pastër fizike është dukuri shumë e rrallë”. Është lodhja, mërzia, puna mendore, është nxitimi i pandërprerë, shqetësimi dhe tendosja e nervave. Pikërisht këto faktorë e rraskapitin punëtorin e zyrës, ia zvogëlojnë aftësitë e punës dhe bëhen shkaktarë të dhembjes së kokës. Po, është e vërtetë që lodhemi, sepse emocionet tona shkaktojnë tendosje nervore të organizmit tonë. Vetëm e vetëm me çlodhje. Pra, duhet të mësojmë mënyrën e relaksimit gjatë kohës së punës. Për t’u relaksuar mos u mundoni të filloni me relaksimin e shpirtit apo të nervave. Duhet të filloni me relaksimin e muskujve. Pasi ta përvetësoni artin e shtendosjes, do të kuptoni se atë mund ta shfrytëzoni gjithkund dhe kurdoherë. Është me rëndësi vetëm që atë të mos e konsideroni si mundim, sepse shtendosja është mungesë e çdo mundimi. Për t’u shtendosur rol të rëndësishëm ka vetëdija. Ndikoni në muskuj përmes vetëdijes. Muskujt e syve dhe të fytyrës “urdhërojini” të shtendosen. Këtë mund ta arrini duke i përsëritur fjalët “magjike”: “Qetësohuni! Shtendosuni!” Do të vëreni se si energjia e grumbulluar, nga muskujt e fytyrës shkon dalëngadalë tek qendra e trupit.

Këshillat e ekspertëve
Më poshtë do t’ju sjellin disa këshilla të ekspertëve se si mund të siguroni sasi shtesë të energjisë dhe të luftoni lodhjen kronike.
Kufizoni sasinë e kafeinës në orët e pasdites
Njerëzit tek ne, mesatarisht pinë 2 deri në 3 kafe në ditë, që do të thotë nga 200 deri në 300 miligramë kafeinë. Kjo sasi na mban të zgjuar dhe energjik, ashtu që deri diku është e dëshirueshme. Por, nëse kafeina konsumohet në sasi më të mëdha dhe në cilëndo kohë, pasdite dhe në mbrëmje, kjo mund të reflektohet në kualitetin e gjumin dhe të shkaktojë lodhjen në ditën e ardhshme.
Evitoni mendimet negative
Dobësia fizike na bën të lodhshëm, por edhe dobësia emocionale. Ndjenjat negative si, vuajtja, mërzia, zemërimi, shqetësimi dhe stresi kronik, mund që po ashtu të shprehet shumë keq në vitalitetin tuaj dhe t’ju dobësojnë. Në disa periudha, është normale t’i kesh këto ndjenja, pasi që janë pjesë e jetës. Por, nëse reagoni me mençuri, trupi luaj do ta ruajë energjinë.
Lajeni fytyrën me ujë
Lajeni fytyrën me ujë, ose bëni një dush kur të ndjeheni të lodhur. Sipas një studimi 55 për qind të personave të hulumtuar kanë ndjerë rritje të nivelit të energjisë, kur kanë shfrytëzuar këtë terapi me “ujë”. Po ashtu, mund të keni edhe një spraj të vogël me ujë, me anë të të cilit do të freskoheni në lodhjet momentale.
Kujdesuni për veshjen
Veshja e juaj le të jetë në shërbim të ngritjes së energjisë. Mos i ruani gjërat për raste të veçanta, por vishuni me to edhe në rastet e zakonshme, kur dëshironi të ndjeheni më mirë. Nëse e shihni veten në pasqyrë me një pamje më të mirë, kjo mund të reflektohet në fuqinë mentale. Përveç kësaj, nuk janë të tepërta edhe komplimentet të cilat do t’i fitoni gjatë ditës.
Jepini liri ndjenjave tuaja
Nëse thellë në brendi ruani një frikë, ankth dhe stres, ndoshta do të ndjeheni si një person më i fortë dhe më i qëndrueshëm. Megjithatë, në një plan afatgjatë, kjo nuk është e shëndetshme. Më së miri flisni për ndjenjat tuaja me personin tuaj më të afërt.
Dëgjoni muzikë
Dëgjimi i tingujve të këndshëm është një prej mënyrave më efikase që të liroheni nga ndjenjat më negative, ta zvogëloni shqetësimin e brendshëm dhe ta rrisni nivelin e energjisë. Sipas një studimi, personat që kanë vrapuar duke dëgjuar muzikë, kanë vrapuar më shpejtë se sa ata që kanë vrapuar në qetësi.
Merrni frymë thellë
Kur jemi të shqetësuar, shpesh marrim frymë “me mushkëri”. Ndaloni dhe koncentrohuni në frymëmarrjen tuaj. Merrni frymë thellë (me bark), me anë të hundës dhe nxirreni frymën përmes gojës. Ndjeni se si ju rritet stomaku, dhe ju lëshohet. Frymëmarrja e drejtë do t’ju lehtësojë dhe do të jeni më të pushuar.

29 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›