Durrës, fitore me numrin e votuesve, kalon vitin 2005
Durrësi mbyll për herë të parë në epokën pluraliste një proces votimi, të denjë për Evropën. Nga 290 mijë votues në nivel qarku, ku përfshihen rrethet Durrës dhe Krujë, afro 45% e tyre kanë shprehur vullnetin në kutitë e votimit. Ndërkohë që brenda vijës së verdhë të qytetit, numri i tyre ka arritur nivelet historike të fillim viteve ‘90, kohë kur përmbysej komunizmi. Në ndarjen administrative të Bashkisë së Durrësit kanë votuar 62 000 persona, kundrejt 51 000 votuesve që ishte niveli i pjesëmarrësve në zgjedhjet e 3 korrikut 2005. Pjesëmarrja ka qenë dukshëm më e lartë, edhe se ajo e zgjedhjeve vendore të dy viteve më parë, kur u regjistruan rreth 50 000 vota në garën për kryetar bashkie. Referuar shifrave, zgjedhjet e djeshme i kanë ngjarë një plebishiti, pasi asnjëherë më parë, përjashto fillimet e viteve ‘90, nuk ishte shënuar në Durrës një masivitet i tillë zgjedhor. Duke llogaritur faktin se ky qytet është ndër më të prekurit në vend nga fenomeni i emigracionit, pjesëmarrja efektive në këto zgjedhje duket se ka tejkaluar çdo parashikim. Në të gjithë qarkun kanë qenë hapur 351 qendra votimi, 165 nga të cilat i përkasin territorit të Bashkisë Durrës. Në pjesën dërrmuese të rasteve, votimi është mbyllur në orën 19:00, por në disa qendra të Fushë-Krujës, Spitallës, Sukthit dhe ish-Kënetës, për efekt radhe votuesish qendrat kanë qëndruar të hapura deri në orën 19:25 minuta. Në orën 19:30 është mbyllur qendra e fundit e votimit. Me t’u mbyllur procesi të tri partitë kryesore politike kanë përshëndetur pjesëmarrjen e gjerë. Kryedemokrati durrsak Igli Cara, u shpreh se që në orën 17:00 ishte tejkaluar pjesëmarrja e votimeve të 2005-ës. “Durrsakët treguan qytetari, standard të lartë. Është një pjesëmarrje surprizë që na bën të lumtur”, u shpreh Cara, i cili renditet i shtati në listën për deputet të PD. I vetmi problem ka qenë transferimi i materialeve të votimit në qendrat e numërimit. Deri në orën 23:00 pjesa më e madhe e kutive nuk kishin mbërritur në ambientet e caktuara për shkak të problemeve me transportin. Megjithatë, dhe pas orës 02:30, procesi i numërimit nuk kishte nisur ende në Durrës.
E para që nisi procesin e numërimit ishte qendra e Shijakut, ndërsa në tre KZAZ-të e tjera dorëzimi i kutive të votimit vijoi deri afër mesnatës. Ndërkaq simpatizantët e Partisë Demokratike me optimizëm nisën festimet në qytet për fitoren ende të pashpallur.