E Shtunë, 31 Tetor 2026

Na ishte një herë Tirana e Xhamisë së Karapicëve...

Adrian Karapici ka çelur në Akademinë e Arteve ekspozitën me fotografitë e vjetra të kryeqytetit

Kohët e fundit në galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore në Akademinë e Arteve të Bukura është çelur një ekspozitë e veçantë fotografike, e cila na kujton se si ishte metropoli shqiptar në të kaluarën e tij. “Memorie, Tirana në sytë e familjes Karapici” titullohej ekspozita që bazohej mbi riprodhimin e 60 kartolinave dhe fotografive të vjetra të Tiranës, të cilat janë pjesë e koleksionit të familjes Karapici dhe datojnë nga viti 1920 deri në vitet ’60. Adrian Karapici i ardhur para pak kohësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është organizatori i kësaj ekspozite si dhe përfaqësuesi i familjes Karapici ndërkohë që riprodhuesi i fotografive është fotografi Roland Tasho, i cili ka mundësuar risjelljen sa më optimale të imazheve të kryeqytetit shqiptar që nga koha e Zogut e deri në fund të viteve ’60. Ekspozita që u çel me mbështetjen e shoqatës “Tirana” synoi të risillte edhe një herë në kujtesën e publikut Tiranën e vjetër, për të kuptuar kështu transformimin e madh të kësaj qendre e për të kënaqur njëherësh nostalgjikët me pamjet e dikurshme të kryeqytetit, duke nisur që nga fotografitë e hershme të Rrugës së Dibrës, me Rrugën e Kavajës, Rrugën e Barrikadave, Pazarin e vjetër, e deri te Xhamia e Karapicëve, e cila kur u prish nga Mbreti Zog, u kompensua me një shumë të hollash që u përdorën nga familja e Karapicëve për të ndërtuar një tjetër objekt kulti siç ishte Medreseja e Tiranës. Siç thamë dhe më lart, veç anës artistike, projekte të tilla mbeten gjithmonë interesante pasi flasin dhe njëherësh bëjnë një dokumentim besnik të historisë pamore të transformimit të kryeqytetit në harkun e një shekulli, duke na njohur me urbanistikën, arkitekturën, parqet, monumentet e ndryshme dhe objektet e dikurshme të kultit, panoramë që lidhet me ndryshimet sociale, politike e kulturore të Tiranës së ndër gjithë këto vite.

29 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›