Berat, kutitë e para, socialistët në avantazh
BERAT - Në qarkun e Beratit, në 296 qendra votimi në tre rrethet e saj procesi i votimit u mbyll i qetë. Gjer në orët e para të mëngjesit, ishin numëruar vetëm 2 kuti, në të cilat dominonte fituase me 43.6 përqind PS-ja, me 39 përqind PD-ja dhe LSI me 9.2 përqind. Ky është rezultati paraprak në Berat, ndërkohë që shifrat zyrtare pritet të dalin sot kur të jenë numëruar të gjitha kutitë. Qyteti i Beratit, Kuçovës dhe Çorovodës në këto zgjedhje treguan maturi e qetësi duke e përmbyllur ditën e 28 qershorit pa ndonjë incident të rëndë, duke veçuar vetëm disa sporadike. Qytetarët iu drejtuan kutive të votimit që herët në mëngjes, ku pjesëmarrja e votuesve arriti në shifrën rreth 70 për qind. Në Urën–Vajgurore morën pjesë 60 për qind e zgjedhësve. Edhe në Berat, pjesëmarrja në votime ishte e lartë, dhe me incidente të vogla. Pa probleme u mbyll procesi i votimit edhe në qytetin e Çorovodës. Duhet theksuar se procesi i votimit në të gjithë qarkun filloi me rreth 30 minuta vonesë për shkak të mungesës së bojës në të gjitha qendrat e votimit. Në të gjithë Qarkun e Beratit ishin gjithsej 298 qendra votimi, ndërsa numri i votuesve është 168.724 votues. Ndërkohë, që në orët e para të mëngjesit u shënua një incident me një nga komisionerët e PD-së në fshatin Dardhë, Safet Gjata. Zëdhënësi i PD-së Kastriot Dervishi theksoi se komisioneri në qendrën Nr.3483, në Dardhë, Safet Gjata është kërcënuar dje në mëngjes me një letër që i kishin vendosur në derën e shtëpisë së tij në fshatin Dushnik. Personat anonime e kërcënonin atë se do ta vrisnin nëse do të merrte udhën për në fshatin ku ai ishte caktuar si kryetar i komisionit. Ai është shoqëruar nga përfaqësues të tjerë të PD-së ku më pas vijoi punën normalisht, ndërsa kreu edhe kallëzim për gjetjen e autorëve. Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe theksoi mbrëmë se do të kryente kallëzim penal për disa persona, simpatizantë të Partisë Demokratike. Sipas Braçes, ata e kishin kërcënuar atë me jete mbrëmë në qytetin e Kuçovës. d.xh