Mbyllet në Berlin projekti teatror “Hotel Prishtina”
Me një koncert të grupit hip-hop nga Kosova “BimBimma” përfundoi të enjten në mbrëmje në Berlin projekti teatror “Hotel Prishtina”. Për dy ditë me radhë publikut të kryeqytetit gjerman iu ofrua një program i gjerë kulturor që përmblidhte një sërë reflektimesh ndaj gjendjes aktuale në Kosovë. E kuqja flakëron në hollin e hotelit, mbi kolltukët e shpërndarë në sallon varet shandanë me dritëza. Tek cepin me mbishkrimin Hotel Prishtina është vendosur bari, pas tij është një artist i njohur pejan, një nga më të rëndësishmit në skenën e Kosovës deri para dy vjetësh: Sokol Beqiri ka sjellë në vend të punimeve artistike litra të tëra me raki kumbulle dhe rrushi dhe disa tepsi me mantija dhe lakrorë, të cilat ia shërben publikut nëpër pauza. Beqiri, i cili për një kohë të gjatë tërhiqte lokomotivën e artit bashkëkohor në Kosovë, thotë se nuk i intereson më arti. Përse? Këtë, as ai vetë nuk e di, ose nuk do ta thotë. Në “Hotel Prishtina” Beqiri ishte mishërimi trupor i kontrastit të shoqërisë së sotme kosovare të tranzicionit. Në sallonin përbri atë e kishte shprehur artistikisht artisti 28 vjeçar Dren Maliqi në punimin e tij “Ftohtë e ngrohtë”, një ventilator përballë një reflektori. “Ky është një prej punimeve të Dren Maliqit që më pëlqen shumë, sepse është një prej punimeve konceptuale të arritura, është një refleksion apo përshkrim direkt i situatave që dominojnë sot e kësaj dite dominojnë në Ballkan. Në aspektin artistik është një dramë e llojit të vet kur janë dy antagonizma të kundërta, të cilat japin impresione të fuqishme”, thotë Mehmet Behluli, profesor në Akademinë e Arteve të Kosovës. Kontradiktor ishte edhe raporti i qytetarëve të diasporës ndaj Kosovës të prezantuar në një seri portretesh me kosovarë nga Berlini me titullin “Schatzi TV”. Njëra prej tyre për shembull 14 vjeçarja Arbona është lindur në Berlin, por e quan veten kosovare dhe e merr malli për dasmat dhe festat familjare në Kosovë, megjithëse ushqimi atje është shumë i rëndë dhe kushërirat ia ngrenë nervat duke i kërkuar gjithçka që ajo ka sjellë me vete nga Gjermania. Arbona kthehet nga Kosova gjithmonë me valixhet bosh. Kontradiktor ishte edhe realiteti i filmave të “Koffer Kosova” (Valixhja Kosova), të paketuar nga menaxherja e kulturës Shota Bukoshi, sidomos në filmin e Visar Krushës, “Tre minuta vetmi” (2008), ku një i ri kosovar për një çast provokon te vetja një trill homoseksual dhe transvestit, si edhe në atë të vetë Bukoshit, “Aureola e shthurur”, që tematizon patriarkalizmin në themelet e një shoqërie në pamje të parë moderne dhe liberale. Pyetjet që lanë hapur prezantimet artistike u munduan t’i mbyllnin tre debate rreth politikës, shoqërisë dhe artit në Kosovë; njëri nga pjesëmarrësit në ta, ishte ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, i cili bën bilancin: “E ka arritur qëllimin meqë janë përcjellë informatat kryesore, botëkuptimet kryesore, idetë kryesore dhe mesazhet kryesore, të cilat e kanë prezantuar një realitet në Kosovë, edhe pse prezantimi artistik mund të dallojë shumë nganjëherë nga perceptimi i përgjithshëm që kanë qytetarët për vendin e tyre dhe për mënyrën se si do të duhej të prezantohej.”
29 Qershor 2009