Elbasan, sherr me stilolapsat-kamera
Procesi i numërimit të votave u mbajt i bllokuar deri në orën 02:00 të mëngjesit të sotëm në Elbasan. Mbledhja e kutive të votimit e më pas trajnimi i numëruesve të votave solli dhe vonesën në nxjerrjen e rezultateve për 14 kandidatët që dalin nga ky qark.
Në Elbasan, Peqin, Gramsh dhe Librazhd procesi i votimit nisi në orën 07:00 dhe ka përfunduar në orën 19:00 të mbrëmjes. Sipas statistikave të marra nga partitë, numri i votuesve në qarkun e Elbasanit ka arritur deri në 55-60 për qind. Ndërkohë që krahasuar me zgjedhjet e vitit 2007, në Bashkinë e Elbasanit votuan vetëm 37.8 për qind e popullsisë. Pas mbylljes së procesit të votimit, numërimi i tyre ka nisur në ambientet e Pallatit të Sportit “Tomor Sinani” në qytetin e Elbasanit. Rreth 96 kuti votimi kanë nisur të numërohen pas orës 21:00 të mbrëmjes. E njëjta situatë është paraqitur edhe në qytetet e tjera. Sipas Kryetarit të Komisionit Zonal, Kushtrim Aliaj, me marrjen në dorëzim të kutive të votimit, gjithçka ka qenë gati për të nisur procesin e numërimit të votave.
Gjatë procesit të djeshëm të votimit, në qarkun e Elbasanit janë regjistruar disa incidente, por që nuk kanë rrezikuar mbarëvajtjen e procesit të votimit. Gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, debate ka pasur mes kandidates për deputete të Partisë Socialiste Shega Ligori dhe kandidatit tjetër të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi. Përplasja mes kandidatëve ka ndodhur në shkollën “Kozma Naska” të lagjes “28 nëntori”. Por për fat të mirë kjo përplasje mësohet të këtë përfunduar pa probleme, duke mos rrezikuar kështu procesin e votimit. Incidenti i radhës në këtë qytet ka pasur të bëjë me stilolapsat me kamera, ku pjesa më e madhe e anëtarëve të Partisë Socialiste janë paraqitur në qendrat e votimit në Bashkinë e Elbasanit me stilolapsa që mund të kryenin rolin e incizuesit, dhe mund të fotografonin edhe gjatë procesit të votimit. Në fakt një gjë e tillë është evidentuar nga ana e drejtuesve të lartë të Partisë Demokratike në Tiranë. Pas publikimit të këtij lajmi në media, përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Elbasan kanë pezulluar procesin e votimit. Pas kësaj, përfaqësuesit e Partisë Demokratike i kanë detyruar përfaqësuesit e majtë të heqin stilolapsat nga xhepat, dhe vetëm pas kësaj ka rinisur procesi i votimit. Ndërkohë jashtë qendrave të votimit mësohet të ketë pasur edhe përleshje mes dy kampeve për heqjen e stilolapsave “kamera”. Por pavarësisht këtij incidenti mes kampeve, përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë mundur të heqin stilolapsat “kamera”, për të rinisur kështu procesin e votimit. Një tjetër incident dje është shënuar edhe në rrethin e Librazhdit, ku shoferi i kandidatit për deputet Taulant Balla ka goditur komisionerin e Partisë Demokratike. Vetëm pak orë përpara se të niste procesi i votimit në rrethin e Librazhdit, në komunën Babje, një nga komisionerët e Partisë Demokratike është goditur nga ana e shoferit të Taulant Ballës, Avni Balla. Abdulla Bardhoshi, komisioner i Partisë Demokratike, rreth orës 23:30 ka qenë nën shoqërinë e Olimbi Qoshkut, kryetare e Partisë Socialiste në këtë fshat, kur është goditur nga Avni Balla. Shoferi i deputetit të PS-së ka qenë i shoqëruar së bashku me dy persona të tjerë. Bardhoshi ka bërë denoncim për goditjen ndërsa policia ka shoqëruar në komisariat shoferin e deputetit Balla. Sipas zëdhënëses për shtyp në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, Valbona Begu, pas marrjes së dëshmisë policia e ka lënë të lirë shoferin e deputetit Balla.