E Diel, 1 Nëntor 2026

Logjika marksiste në politikë

Politika është gjeneratori i jetës sociale në Shqipëri. Këtë nuk e fshehim edhe po të duam. Kush e mohon nuk ka kuptuar asgjë. Gjithçka tjetër që mund të merret me mend dhe për bazë janë veçse zgjatime dhe satelitë të politikës në përgjithësi, në një orbitë të pafund interesash, sa fisnike, po ashtu edhe meskine. Në njëzet vjet demokraci liberale, ajo që kemi mësuar më mirë është se “pushteti është i ëmbël”. është i ëmbël i shkreti “pushtet”, për vetë faktin e pakundërshtueshëm se realizon dëshira e ëndrra - që pa politikën - do të mbeteshin veç dëshira dhe ëndrra. Kësaj politike - sidomos në Shqipëri - i kemi deleguar një guxim që tejkalon edhe kompetencat e perëndisë. Medoemos, duke nihilizuar kulturën dhe traditën vetëm në formate estetike, ne, kemi krijuar një epsh pervers për “pushtet”. “Përparësia e politikës në jetën tonë, thotë sociologu italian Francesco Alberoni - do të thotë se problemet e mëdha kërkojnë gjithmonë një ndërhyrje politike dhe është një detyrë demokratike që qytetari të marrë pjesë në politikë duke u  pozicionuar”. Deri këtu, jemi dakord të gjithë, apo-jo?Ndërkaq ai thekson me të madhe: “Por për marksistët (e vonuar!) do të thotë se të gjitha aktivitetet njerëzore pra, si shkenca, filozofia, morali, besimi, arti, informacioni duhet të gjykohen vetëm mbi bazën e politikës. Lufta politike është një luftë midis të mirës absolute dhe të keqes absolute”.Mirëpo sipas logjikës marksiste na del se “e mirë është ajo që forcon partinë tonë, kurse e keqe është ajo që forcon armikun. Të gjitha mjetet janë të ligjshme për të shtypur kundërshtarin. Nuk ka vend për neutralët. T’i lavdërosh, të respektosh njerëz me vlera që nuk janë militantë të vijës tonë është një sentimentalizëm borgjez. Duhet t’i injorosh, t’i zhvlerësosh, t’i denigrosh”.Kuptohet vetiu se sot në demokraci janë të pakët ato njerëz që mbështesin një tezë të tillë. Të gjithë, me eufemizma e llafe, denoncojnë “politikën” si urrejtje dhe konfrontim midis miqsh e armiqsh, por në të vërtetë është fiks ajo që bëjnë. Dikush më shumë e dikush më pak. Të gjithë janë në një skakierë gati për betejë, dikush është pedinë-ushtar, dikush Kali i Trojës, dikush Torra e dikush Mbretëresha. Pse të jemi hipokritë? Pothuajse të gjitha gazetat, edicionet e lajmeve dhe rubrikat e ndryshme - kinse investigative (Faktori Plus, Zonë e ndaluar-lirë apo edhe satira “Fiks Fare”) - janë selektive, mbajnë një anë dhe sulmojnë anën tjetër, citojnë vetëm faktet pro ose kundra qeverisë. Me pak fjalë nuk ka vend për skandalizim. Të gjithë e dinë, përveç atyre që janë të involvuar. Kur me një syleshësi makabre nuk pranojnë se janë “lojtarë-sulmues” të paguar nga padroni i një klubi: qoftë ky demokratik apo jakobin. Për të qenë objektivë, duhet të sillemi si një juri, që dëgjon akuzën dhe mbrojtjen, dhe pastaj shkohet në një përfundim. Por dhuna verbale është kaq e zhurmshme sa nuk e ke mendjen tek një fakt a akuzë, ku befasisht nga xhepi del një fakt dhe një akuzë tjetër, që anulon dhe narkotizon atë ç’ka ke thënë a dëgjuar më parë. E vërteta mbetet pezull. Dhuna verbale është një shtazë, që po e lëshove, pastaj të del është vështirë ta zbusësh. Mjerisht është e kuptueshme për të gjithë, mjafton të kujtojmë përfundimin italian të dhunës fizike kundër kryeministrit Silvio Berlusconi. Pra nuk është se duhet ndonjë ontologji e madhe. Dhuna verbale në politikën shqiptare po i helmon të gjitha puset e arsyes dhe po e kthen kundërshtarin në një tabelë qitjeje, ku mund të qëllohet pa frikë, duke e nihilizuar. Dhe nuk është një problem vetëm i fjalëve që bëhen plumb, siç thotë folklori. Por kemi të bëjmë më një primitivitet parapolitik që po e kthen politikën në një maket virtual të luftës civile. Ky version po dominon së fundmi në Shqipëri qysh pas zgjedhjeve parlamentare, ku po investohet fort në krijimin e një krize artificiale. Nuk është e vërtetë se meritojmë një elitë të tillë politike, shoqëria shqiptare është më e shëndetshme se elita e saj politike, e cila ngjan se është gjithmonë në një ring boksi. Kështu ka qenë dhe ka për të qenë, gjithmonë? Maxhoranca joprotagoniste që u paraqit më 8 dhjetor pro-demokracisë, do të gjykojë fakt për fakt e ide për ide, pa qenë peng i një fanatizmi tifozësh që nuk e kanë ndërmend të mendojnë më trurin e tyre. Parakalimi i asaj që e ashtuquajmë parapolitikë është një element toksik që po na helmon jetën kulturore, mjetet e komunikimit, universitetet, drejtësinë... Ajo veç po na ndalon seleksionimin e më të mirëve, dhe po na trillon imazhin e atdheut tonë të përbashkët....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›