Berisha: Premtojmë 160 mijë vende pune
Kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka çelur fushatën në qytetin e Korçës, duke premtuar më shumë vende pune. Ai ju ka kërkuar votën korçarëve në emër të rritjes së mirëqenies, të lëvizjes së lirë dhe pa viza në Evropë, dhe të kthimit të gjithë Shqipërisë në një shtet me standarde evropiane, ku të mos mungojë infrastruktura, rrugët, uji dhe dritat. Berisha sërish i është drejtuar nga Korça liderit të opozitës, Edi Rama, duke theksuar për të disatën herë se ai duhet të dalë përballë tij për të pasur një garë të ndershme dhe të përgjegjshme para qytetarëve. Kreu i qeverisë ka renditur para korçarëve arritjet e mandatit të parë qeverisës, duke premtuar se Korça në mandatin tjetër do të jetë një qytet evropian dhe se do të ketë më shumë mirëqenie dhe vende punësimi. "Ne e nisim fushatën me secilin shqiptar. E nisim fushatën për Korçën demokratike. Katër vite më parë ne morëm përsipër dhe e nisëm rrugën tonë kundër krimit dhe korrupsionit. Ne kishim vetëm vullnetin e hekurt për të ndryshuar Shqipërinë. Sot ne jemi në NATO dhe kemi aplikuar për në BE. Sot ne jemi në prag të lëvizjes së lirë drejt Evropës. Sot qytetarët e këtij vendi paguhen më shumë, pensionistët kanë pensione 30% më të larta. Por ne nuk e nisim këtë fushatë si në 2005-ën. Ne e nisim këtë fushatë pasi kemi zënë vendin e dytë për mbështetjen e biznesit, pasi u anëtarësuam në NATO, pasi kemi dyfishuar numrin e studentëve, pasi kemi shtruar rrugët dhe ju kemi dhënë energji elektrike qytetarëve, ujë të pijshëm dhe kanalizime. Sot ne kemi ndryshuar dhe kemi një Shqipëri tjetër", ka deklaruar Berisha para korçarëve. Ai tha se ka ardhur në Korçë për të kërkuar votën e qytetarëve për më shumë standarde evropiane për të gjithë. "Qytetari me problematikën e tij dhe standardet mbetet prioriteti ynë. Brenda muajit qershor fillojnë punimet e rrugës Qafë Plloçë-Qukës, sepse qytetarët shqiptarë nuk mund të jenë qytetarë evropianë pa rrugë të asfaltuara e ujë të pijshëm dhe ne do t‘i kapim këto standarde evropiane. Korça evropiane është para së gjithash një jetesë evropiane", ka shtuar më tej Berisha. Ai premtoi se në katër vitet e ardhshme të mandatit të dytë do të hapen 160 mijë vende pune. "Punësimi është qëllimi ynë më madhor për të luftuar varfërinë dhe në mandatin e dytë nuk do të ketë shqiptar që do të marrë nën 2 dollarë në ditë. Secilit prej jush i kërkoj votën jo për ato që kemi bërë dhe realizuar, por për ato që do të bëjmë për një Shqipëri evropiane", ka thënë kreu i ekzekutivit. Berisha nuk ka harruar t‘i bëjë edhe një herë thirrje Ramës për të dalë në krye të listës së kandidatëve për deputetë, duke ju drejtuar me fjalët: "I bëj thirrje Edvinit të regjistrohet sa më parë dhe të dalë në krye të listës nëse ka një farë përgjegjësie ndaj qytetarëve". Berisha ka prezantuar dje kandidatët për deputetë të Qarkut të Korçës, në krye të listës së të cilëve qëndron ministri Ridvan Bode. Ky i fundit deklaroi se PD-ja do të fitojë në Korçë për faktin se të gjithë e duan hyrjen në BE, ndërsa për Ramën, kandidati për deputet ka shtuar se ai është e keqja jo vetëm e socialistëve, por dhe një ogur i zi për gjithë shqiptarët dhe se duhet të heqë dorë nga karrigia e bashkisë.