Lohan - Berishës: Zgjidhni ngërçin politik
Ambasadori i Komisionit Evropian i ka dorëzuar dje kryeministrit Sali Berisha pyetësorin për të vlerësuar gatishmërinë e Shqipërisë në BE
"KE do të vlerësojë disa aspekte që lidhen e sundimin e ligjit, shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit"
TIRANË - Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, i dorëzoi dje Kryeministrit Sali Berisha pyetësorin që ka si qëllim testimin e Shqipërisë në marrjen përsipër të detyrimeve, që rrjedhin nga integrimi në BE.
Duke iu referuar kriterit politik që përmban pyetësori i KE-së, Lohan i kërkoi Kryeministrit Berisha që të zgjidhë krizën politike në vend. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, shefi i delegacionit të Komisionit Evropian, Lohan u shpreh se për të realizuar reformat, nevojitet mirëkuptimi midis forcave politike.
Ai solli në vëmendje edhe qëndrimin e Bashkimit Evropian për situatën politike në Shqipëri, sipas të cilit, partitë politike duhet që debatin politik ta zhvillojnë në Kuvend.
"Në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian këto reforma të vështira duhet të bazohen në konsensusin më të gjerë të mundshëm. Për ketë arsye, ne e themi dhe një herë se vendi për debatin politik është në Parlament.
Dhe për ta thënë atë me fjalët e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, në konkluzionet apo përfundimet që ky këshill ka nxjerrë: Bashkimi Evropian u bën thirrje të gjithë partive politike në Shqipëri që të ndjekin një dialog politik konstruktiv duke u përfshirë në Parlament", - tha dje Lohan. Në emër të Komisionit Evropian, Lohan kërkoi që ngërçi politik të zgjidhet sa më parë, për t'i hapur rrugën Shqipërisë drejt BE-së.
"Ne, Komisioni Evropian, me të gjithë forcën tonë të mundshme urojmë që ky ngërç në situatën politike në Shqipëri të tejkalohet përpara ose në fillim të vitit që vjen, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë përpara ashtu siç dëshirojnë dhe siç e meritojnë të gjithë qytetarët shqiptarë", - tha ai.
Pasi mori në dorëzim pyetësorin për t'ia dhënë më pas ministres së Integrimit, Kryeministri Berisha tha se qeveria është e hapur për të dëgjuar pretendimet e opozitës për të gjitha çështjet që trajton pyetësori.
"Unë shfrytëzoj këtë rast për të ftuar kryetarin e Partisë Socialiste që së bashku ta përshëndesim në një konferencë shtypi këtë moment historik për të gjithë shqiptarët, si një dëshmi e vullnetit të përbashkët të forcave politike për të kontribuar në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. E siguroj se qeveria mbetet shumë e hapur për të dëgjuar zërin e opozitës, ekspertëve të saj në të gjithë problematikën e madhe që trajton pyetësori", - nënvizoi Berisha.
Ambasadori Lohan i vuri në dukje Kryeministrit Berisha, se kriteri politik ka një rëndësi të madhe dhe se përmbushja e tij do të jetë jetike për integrimin e tij në Bashkimin Evropian. Sipas Lohan, përmbushja e këtij kriteri do të thotë që në vend të funksionojë demokracia, të sundojë ligji, shteti i së drejtës si dhe respektimi i minoriteteve.
Mosplotësimi i këtyre kërkesave, do të thotë zgjatje e procesit integrues të Shqipërisë për në BE. "Në këtë kontekst, unë do të dëshiroja që të theksoja edhe një herë rëndësinë tepër të madhe të atyre që quhen kriteret politike, funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike, sundimin e ligjeve apo shtetit të së drejtës, respektin e të drejtave për minoritetet", - u shpreh ai.
Pyetësori që do të duhet të plotësojnë 600 punonjësit e administratës publike shqiptare përmban 2280 pyetje në 384 faqe, i cili duhet të përfundojë brenda dy muajve për t'iu dorëzuar më pas Komisionit Evropian.
Lohan sqaroi se Komisioni Evropian do të shqyrtojë përgjigjet që do të jepen dhe më pas do të vlerësojë sesa progres është bërë në fushat e lartpërmendura, veçanërisht në vendosjen e shtetit të së drejtës. "Komisioni Evropian do t'i analizojë me kujdesin më të madh përgjigjet që do të jepen.
Po ashtu, Komisioni Evropian do të përpiqet që të bëjë një vlerësim të ecurisë së prekshme që do të jenë bërë pikërisht në këto fusha. Sigurisht, bëhet fjalë për ato aspekte që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit apo me shtetin e së drejtës, me luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar", - theksoi Lohan.