E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moratoriumi për skafet, Gjika: Meta premtoi shfuqizimin

DEBATI/ Prefekti i Vlorës, Hasan Halili, është shprehur se një vendim për skafet është një sakrificë që ia vlen


VLORË - Moratoriumi për skafet ka qenë në bazë të një diskutimi dje në analizën e drejtorisë së kufirit dhe migracionit të qarkut të Vlorës.


Ndërkohë që prefekti Hasan Halili e ka vlerësuar rivendosjen e tij si një sakrificë për hyrjen në BE, kreu i bashkisë së qytetit bregdetar, Shpëtim Gjika, e ka cilësuar si absurd një veprim të tillë, duke kujtuar se edhe vetë zëvendësministri Ilir Meta kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore se gjëja e parë që do të bënte pas ardhjes në pushtet, ishte heqja e moratoriumit. Kryebashkiaku e ka cilësuar vendimin për skafet si një vendim personal të kryeministrit shqiptar, i cili nuk është konsultuar me grupet e interesit.


Prefekti i Vlorës Hasan Halili teksa ka vlerësuar punën e bërë nga efektivat për këtë vit, nuk ka lënë pa komentuar edhe rihyrjen në fuqi të një trevjeçari të dytë të moratoriumit për skafet.


"Anëtarësimi drejt Evropës kalon nëpërmjet shumë pyetjeve që duhet t'iu përgjigjemi, dhe ndër të tjera është ajo çka duam t'i japim përgjigje me moratoriumin, - u shpreh prefekti teksa vijoi me pyetjen: - Është më mirë puna e 100 skafeve që të ushqehen 300 familje apo hyrja jonë drejt BE-së?


Duhet ta kuptojnë mirë këtë edhe ata që pretendojnë t'i përdorin këto skafe, por edhe ata që duan t'i përdorin me qëllime turistike, se për ne është shumë më i domosdoshëm integrimi në BE",- përmbylli Halili.


Por ndërkohë, i pyetur për moratoriumin, reagim krejt tjetër me prefektin e qarkut ka pasur kreu i vendorit të Vlorës. Duke pasur drejtimin e bashkisë së një qyteti bregdetar, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, e ka cilësuar absurd vijimin e një trevjeçari të dytë për moratoriumin.


"Ky vendim, - tha ai, - merret pas një periudhe që trevjeçarit të parë, kur edhe kishte skaduar afati dhe rikthimi i tij nënkupton penalizim për biznesin, turizmin dhe gjithë ata qytetarë e pushues që vijnë në Vlorë".


Kryebashkiaku i Vlorës e ka parë këtë thjesht si një vendim personal të marrë nga kryeministri shqiptar, pasi, sipas tij, zëvendësi i tij, Ilir Meta, gjatë fushatës premtoi se të parën gjë që do të bënte pas ardhjes në pushtet, do të ishte heqja e moratoriumit. "Është absurde sot, - tha Gjika, - të rivendosësh moratoriumin, kur Shqipëria është vend i NATO-s dhe po diskuton hyrjen drejt BE-së.


Nuk është vetëm kryeministri Berisha i interesuar për luftën kundër krimit dhe trafiqeve, por ka metoda të tjera për të mos lejuar rrugët e trafikimit, për të cilat është i interesuar edhe pushteti vendor dhe për këtë Berisha duhet të konsultohet me grupet e interesit. Gjika i ka bërë thirrje biznesit, operatorëve turistikë dhe grupeve të tjera të interesit të reagojnë në lidhje me rivendosjen e këtyre rregullave penalizuese për zhvillimin e qytetit të Vlorës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›