E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vriten vëlla e motër, arratiset autori i krimit

13/05/2010 Shkak i sherrit të kahershëm ishte një copë toke. Policia 10 mijë euro shpërblim për informatorin

Vëlla e motër në Fushë Thumanë të Krujës kanë gjetur vdekjen, pasi janë qëlluar me armë zjarri nga një person i dyshuar me të cilin kishin konflikt. Xhevrie Stafa dhe Qemal Cepani, vëlla e morët, nuk kanë mundur t’i shpëtojnë vdekjes edhe pse ata janë dërguar për trajtim të kualifikuar mjekësor në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ata janë qëlluar me armë zjarri dhe për shkak të hemorragjisë si dhe dëmtimit të organeve jetësore nuk kanë mundur të jetojnë, ndërkohë që autori i krimit ka mundur të arratiset. I akuzuar për vrasjen e dyfishtë është shtetasi Gëzim Zeneli, i cili është shpallur në kërkim nga policia.

Krimi

Dje në mesditë rreth orës 11.50 në fshatin Fushë Thumanë të Krujës janë vrarë me armë zjarri automatik shtetasit Xhevrie Stafa 50 vjeç dhe Qemal Cepani 41 vjeç. Ngjarja ka ndodhur për shkak të pronësisë së tokës teksa shtetasi i akuzuar për vrasje me paramendim Gëzim Zeneli ka shkuar në shtëpinë e personave të mësipërm për të “larë” hesapet. Burime policore që akuzojnë shtetasin Zeneli bëjnë të ditur se krimi ka ndodhur për shkak të një konflikti të njohur mes palëve. Gëzim Zeneli 30 vjeç i lindur dhe banues në Vinjollë të Laçit ka shkuar dje paradite në Fushë Thumanë, fshat kufitar me fshatin e tij të lindjes dhe aty ka nisur të debatojë me vëlla e motër Xhevrie Stafa e Qemal Cepani. Konflikti ka detyruar policinë disa herë të ndërhyjë në mesin e palëve madje edhe t’u kërkojë deklarime për shmangien e një përplasje. Por krejt ndryshe ka ndodhur dje në mesditë. Gëzim Zeneli nga Laçi ka shkuar tek prona në konflikt dhe atje është grindur me vëlla e motër Qemal Cepani e Xhevrie Stafa. Sherri ka degjeneruar në përdorimin e armës, ndërkohë që policia ka deklaruar se shtetasi Zeneli ka qenë i armatosur dhe se ai ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy personave. Të plagosurit kanë marrë plagë të rënda në bark e në kraharor. Në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar disa gëzhoja automatiku dhe është vënë në kërkim të autorit të dyshuar. Të plagosurit janë transportuar për në Spitalin Ushtarak ku edhe kanë vdekur pasi kanë hyrë në sallën e reanimacionit. Bluzat e bardha e kanë pasur të pamundur t’i shpëtojnë nga vdekja vëlla e motër. Ndërkohë të gjithë rrugët janë bllokuar për të kapur autorin e dyshuar si vrasës. Policia ka dhënë 10 mijë euro për personin që do të afrojë informacione të sakta e të plota lidhur me identifikimin e vendndodhjes së shtetasit laçian Gëzim Zeneli. Në të njëjtën kohë është vënë në shërbim të qytetarëve një numër telefoni celularë i policisë 0694102733, telefoni fiks 052 2 222 266 dhe dy numrat e sallës operative 129 dhe 126. Postblloqet e ngritura nuk kanë mundur të fusin në kurth të kërkuarin, i cili ka mundur të largohet nga vendi i krimit para se atje të shkonin efektivat e policisë. Për të zbardhur krimin janë marrë edhe dëshmi të personave që kanë qenë pranë vendit të ngjarjes, të cilët kanë pohuar lidhur me motivet dhe skenën e krimit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›