E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paratë false, mbyllen hetimet për 5 të pandehur

13/05/2010 Aksioni “Piramida”, akuza ndan aktet me qëllim administrimin e dosjes gjatë gjykimit

Vazhdojnë hetimet për të arrestuarit e tjerë. Skema e plotë

Numri i madh i të pandehurve të operacionit “Piramida” ka detyruar hetuesit e njësisë Task-Forcë, që të ndajnë aktet në disa pjesë dhe të mbyllin hetimet vetëm për pesë të pandehur, pasi për rreth 12 të tjerët është vendosur që veprimet hetimore të vazhdojnë. Sipas Prokurorisë, kjo strategji është ndjekur me qëllim që çështja të mos mbingarkohej në gjykatë, pasi numri i madh i të akuzuarve, do të sillte edhe domosdoshmërinë e avokatëve, të cilët shpesh herë mungojnë në seancat gjyqësore dhe për pasojë procesi zvarritet. Nisur nga kjo situatë, prokurorët e njësisë hetimore Task-Forcë kanë vendosur që ditën e djeshme të dërgojnë në gjykatë vetëm 5 të pandehurit Dritan Elezajn, Altin Lalaj, Xhevahir Koldashin, Arben Meçin dhe Gazmend Cerpjen. Sipas kërkesës për gjykim të përpiluar nga prokurori i Task-Forcës, të pandehurit janë pjesë e një grupi i cili kishte si specialistet falsifikimin e kartëmonedhave dhe më pas ato i shpërndanin në treg, duke i qarkulluar kryesisht në spitale, diskoteka, blerjen e drogës etj, vende këto që nuk i kushtonin shumë vëmendje cilësisë së parave. Prokuroria nënvizoi se pesë të pandehurit, kryesisht shpërndanin lekët e falsifikuara, pasi ato prodhoheshin nga skanerë dhe printerë të cilësisë së lartë, që u sekuestruan gjatë operacionit në rrugën “5 Maji” në kryeqytet. Të pandehurit dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për më shumë se një vit, kanë prodhuar kartëmonedha të falsifikuara të prerjeve 500, 1000, 2000, 5000 lekë të reja, duke i shpërndarë më pas në pothuajse të gjitha qytetet e Shqipërisë. Mësohet se nga pesë të pandehurit vetëm Dritan Elezaj është me masën detyrim për paraqitje, ndërkohë që katër të tjerët aktualisht vazhdojnë të qëndrojnë në burg. Sipas organit të akuzës, të pandehurit kishin mundur të falsifikonin 5 nga 13 elementet e sigurisë që kanë kartëmonedhat origjinale. Në punishten e tyre u kapën: shuma e parave prej 1.4 milionë lekësh, kartëmonedha të falsifikuara të prerjeve 1000, 2000 e 5000 lekë të reja, kompjuterë desktop dhe kompjuterë lap-top, të cilët shërbenin për përpunimin e kartëmonedhave të skanuara, printer dhe skaner me rezolucion të lartë, që shërbenin për printimin e prodhimin e kartëmonedhave të falsifikuara, makineri për prerje. E. Qyno

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›