Lohan: Konsensusi nuk mjafton, duhet dialog
Nuk e kanë kuptuar, apo bëjnë sikur s‘e kanë kuptuar politikanët shqiptarë? Diçka ka ndodhur përderisa Helmut Lohan, kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, ka përsëritur edhe njëherë mesazhin e tij ndaj autoriteteve shqiptare: konsensusi nuk mjafton për reformat e rëndësishme, por duhet të zhvillohet një debat i gjerë me të gjithë aktorët e shoqërisë në vend. Ambasadori i Brukselit ka bërë thirrje dje gjatë lançimit të programit të BE-së për asistencën e gjyqësorit shqiptar, që ligjet e rëndësishme për drejtësinë nuk duhet të kalojnë në Kuvend me një aksion "blitz", siç ndodhi me amendamentet kushtetuese. Por ndryshe nga herët e tjera, kur ka përshëndetur marrëveshjen mes mazhorancës dhe opozitës, diplomati gjerman që drejton misionin e Bashkimit Evropian në Tiranë, ka dhënë porosi të qarta dhe të reja për autoritetet shqiptare: Parlamentin, qeverinë, por edhe politikën. Ambasadori Lohan theksoi se konsensusi në vetvete nuk mjafton, ndaj duhet një reformë e plotë dhe duke iu referuar ristrukturimit të sistemit shqiptar (të sëmurë) të drejtësisë, kreu i delegacionit të BE-së ka bërë thirrje që duhen hartuar dhe miratuar ato ligje të cilat reformojnë totalisht gjyqësorin dhe jo vetëm "arnojnë" kuadrin aktual ligjor. Duke folur në një auditor ku ishin prezentë krerët e sistemit shqiptar të drejtësisë, ambasadori Lohan ka pasur një mesazh të qartë për politikëbërësit, por edhe për gjyqtarët e prokurorët: "Ligjet që miratohen nga Kuvendi nuk duhet të mbeten thjesht në letër, por duhet të zbatohen me përparësi". Me këtë fjali, diplomati gjerman, i cili është i njohur për mesazhet e tij direkte, ka prekur pikërisht "thembrën e Akilit" të Shqipërisë: ku ligjet jo vetëm nuk zbatohen, por ato edhe shkelen në pjesën më të madhe të kohës. Dhe për t‘i qartësuar edhe më shumë mesazhet e Brukselit zyrtar, të cilin e përfaqëson denjësisht ambasadori Helmut Lohan, diplomati gjerman theksoi se "reforma e drejtësisë është një prioritet i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit", çka do të thotë se BE e ka kusht themelor këtë reformë kyçe ndaj qeverisë shqiptare.
Misioni
Komisioni Evropian jep 4.5 milionë euro për Misionin e ri të Asistencës Evropiane për Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri (EURALIUS II) për të ndihmuar Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet e tjera shqiptare të drejtësisë për të zhvilluar një sistem gjyqësor të pavarur, të paanshëm, efikas, profesional, transparent dhe modern, duke kontribuar kështu në ringjalljen e besimit të njerëzve në institucionet e tyre dhe konsolidimin e demokracisë e shtetit ligjor në vend. Për një periudhë mbi 30-mujore, EURALIUS II do të fokusohet në fushat e organizimit dhe reformës së sistemit të drejtësisë, dialogut ndërinstitucional, përmirësimit të kapaciteteve menaxhuese të gjyqësorit dhe Ministrisë së Drejtësisë; përmirësimit të administrimit dhe planifikimit të buxhetit të gjyqësorit; hartimit të legjislacionit dhe përafrimit ligjor; çështje të sistemit penitenciar, përforcimit të rregulloreve; administratës së gjykatave dhe menaxhimit të gjyqeve dhe drejtësisë kriminale. EURALIUS II gjithashtu është mandatuar për të luajtur një funksion koordinues dhe vëzhgues në fushën e administrimit të tokave dhe të drejtave të pasurisë së paluajtshme. Ceremonia e nisjes së misionit EURALIUS II u hap nga fjalët përshëndetëse të ministrit të Drejtësisë, kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Shefi i Misionit, Roland Miklau, prezantoi ekipin e ri të misionit, të përbërë nga 9 ekspertë ndërkombëtarë afatgjatë nga vende të ndryshme anëtare të Bashkimit Evropian, 3 ekspertë lokalë dhe një numër stafi lokal administrativ. Projekti do të zbatohet nga Ministria federale austriake e Drejtësisë në konsorcium me Ministrinë federale gjermane të Drejtësisë.