E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Ballkani i qetë, pas pavarësisë së Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, deklaroi në Izrael se "pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të një shteti të ri demokratik e shumetnik që respekton të drejtat e njeriut dhe të të gjitha pakicave, rajoni i Ballkanit ka fituar tashmë një paqe dhe qëndrueshmëri afatgjatë, duke u projektuar i tëri drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe strukturat euroatlantike". Presidenti shqiptar këto vlerësime i bëri gjatë një takimi me Presidentin izraelit, Simon Peres, ku ishte në festimet e 60-vjetorit të krijimit të Izraelit dhe në konferencën presidenciale 2008, "Përballja me të nesërmen". Nga ana e tij, Peres vuri në dukje se Shqipëria është një vend mik dhe lidhjet midis dy vendeve janë të vjetra e të konsoliduara, duke bërë që edhe marrëdhëniet bilaterale të jenë shumë të mira. Peres vlerësoi së tepërmi kontributin e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit - periudhës më të errët në historinë ë kombit hebre - në mbrojtjen e jetës së hebrenjve dhe qëndrimin e saj të vendosur kundër antisemitizmit. Kreu i shtetit të Izraelit theksoi se kujtesa historike e vendit dhe popullit të tij do ta mbajë të ngulitur përgjithmonë ndihmën dhe përkrahjen e dhënë nga populli shqiptar gjatë Holokaustit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›