E Diel, 1 Nëntor 2026

BE, OKB-së: Të miratohen kompetencat e misionit në Prishtinë

Bashkimi Evropian pret një sinjal nga Kombet e Bashkuara për të marrë përgjegjësitë e veta në Kosovë, në fushën e rendit e ligjit. "Është shumë e mundshme që ne nuk do të shënojmë ndonjë përparim të posaçëm pas 15 qershorit, për aq kohë sa nuk kemi një kornizë të qartë ligjore", ka thënë kreu i misionit evropian për rend dhe ligj në Kosovë, Iv dë Kermabon (Yves de Kermabon), në një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve AFP. "Misioni është në një lloj pritjeje për vendime nga Kombet e Bashkuara", ka shtuar Kermabon. "Çdo herë që dukej se Ban Ki Mun bënte ndonjë gjest pozitiv, rusët kanë vepruar në prapaskenë për ta bllokuar atë", citon agjencia franceze e lajmeve diplomatë evropianë në Bruksel. Por Iv dë Kermabon është optimist se BE-ja do t‘i përmbushë qëllimet e saj në Kosovë, edhe sikur afatet të shtyhen "për një, dy apo tre muaj". Ndërkaq, NAT0 vazhdon me përgatitjet për trajnimin e forcave të sigurisë së Kosovës, me gjithë kundërshtimet e Moskës. Aleanca do të vazhdojë me përgatitjet për trajnimin e forcave të ardhshme të sigurisë së Kosovës, me gjithë kundërshtimin e Serbisë, Rusisë, por edhe të Spanjës si anëtare e NAT0-s, sepse Prishtina edhe ashtu do të krijojë një formacion të tillë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës më 15 qershor, kanë deklaruar zyrtarë të NAT0-s. "E dimë për kundërshtimin e Rusisë, por Moska ka të drejtën e vetos në Nju Jork (në KB), por jo këtu (selia e NAT0-s) në Bruksel", ka deklaruar një zyrtar i NAT0-s për mediat serbe, duke shtuar se vendimi për këtë ende nuk është marrë. "Ajo që është fare e qartë se edhe ashtu Prishtina do të formojë forcat e sigurisë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së re më 15 qershor, të cilën e ka lejuar përfaqësuesi i BE-së Piter Fejt, ka thënë ky zyrtar i NAT0-s. Zyrtarë të NATO-s i kërkojnë OKB-së që të sqarojë kompetencat në Kosovë pas 15 qershorit, kur parashihet të hyjë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Për këtë çështje, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap De Hop Skefer, më 22 maj do të zhvillojë një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun. NATO është e gatshme të ndihmojë qeverinë e Kosovës në zbatimin e Planit të Ahtisarit. Mediat e huaja vlerësojnë se Ban Ki Mun do ta ketë të vështirë t‘i japë një përgjigje të saktë kreut të NATO-s për këtë çështje. NATO dëshiron që të ketë një qartësi të plotë të kompetencave në Kosovë pas 15 qershorit, kur hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Zëdhënësi i NATO-s, Xhejms Apaturaj, ka thënë se NATO-ja pret ndryshime pas 15 qershorit, ndërsa NATO pret një ndarje të qartë të kompetencave në Kosovë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›