E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Bisedime? Kosova është shtet i pavarur

"Kosova është shtet i pavarur". Kjo ishte përgjigjja e zëdhënësit të qeverisë amerikane në pyetjen se a ja vlente t‘i kushtohej vëmendje thirrjes së Moskës dhe aleatëve të saj për bisedime të reja për statusin e Kosovës. Thirrjes së ministrave të Jashtëm të Rusisë, Indisë dhe Kinës për bisedime të reja mes udhëheqësve të Kosovës në Prishtinë dhe atyre serbë në Beograd për statusin e Kosovës, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i është përgjigjur shumë shkurt dhe pa ekuivokë: Kosova është shtet i pavarur. I pyetur se a ja vlente t‘i kushtohej vëmendje një thirrje të tillë të shefave të diplomacive të tri vendeve të cilët ishin takuar në Jekaterinburg të Rusisë, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Sean McCormack, tha në Uashington se kjo ishte një çështje tashmë e kryer. "Si po duket, duhet t‘ua përkujtojmë edhe njëherë të gjithëve se statusi i Kosovës tashmë është zgjidhur. Kosova është shtet i pavarur", tha shkurt dhe qartë zëdhënësi i qeverisë amerikane.

KFOR

Trupat paqeruajtëse do të vazhdojnë mandatin e tyre në Kosovë në bazë të Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, derisa të merret vendimi për të ndryshuar këtë mandat, ndërkohë që zhvillimet politike pas datës 15 qershor kur hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës do të jenë përcaktuese për të ardhmen e trupave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, tha në Prishtinë Komandanti i Krahut Jugor të Forcave të Përbashkëta të NATO-s, Mark Ficxherald. "Mandati ynë mbetet i njëjtë. KFOR-i ende mbetet nën mandatin e Rezolutës 1244. Ne do të punojmë me të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe do të koordinohemi me autoritetet në vend. Kështu që mandati ynë nuk do të ndryshojë, forcat tona do të mbeten këtu dhe do të ruajnë sigurinë". Admirali amerikan në një konferencë për media në fund të vizitës së tij njëditore në Kosovë, ka shtuar se reduktimi i forcave të NATO-s në Kosovë do të varet prej zhvillimeve politike dhe situatës në rajonet më të tensionuara, siç është Mitrovica. Ai shprehu bindjen se KFOR-i do të reduktojë numrin e ushtarëve në Kosovë, atëherë kur forcat kosovare të sigurisë janë në gjendje të kontrollojnë sundimin e ligjit në vend. Admirali Ficxherald thotë se periudha e pas 15 qershorit do të jetë sfiduese, për shkak të paqartësisë së rolit të misioneve ndërkombëtare në Kosovë. "Sa i përket të ardhmes, sigurisht që ka sfida. Do të shohim se cili do të jetë roli i OKB-së, EULEX-it. Kur bëhet fjalë për çështjen tonë, do presim udhëzues të tjerë, por aktualisht respektojmë Rezolutën 1244", tha admirali amerikan, i cili nuk parasheh të ndodhë ndonjë ndryshim në strukturën aktuale të forcave paqeruajtëse të NATO-s, të vendosura në Kosovë. Kreu i forcave të NATO-s për Evropën është shprehur i inkurajuar pas takimet me shqiptarët dhe serbët e Mitrovicës, gjatë të cilave ka dëgjuar se shpresat dhe dëshirat e tyre janë të njëjta. Ndërkaq, komandanti i KFOR-it, gjenerali francez Ksavie dë Marnak ka pranuar se janë duke shikuar me vëmendje zhvillimet politike në rrafshin ndërkombëtar që kanë lidhje me Kosovën. "Aktualisht ne po shikojmë dhe po presim zhvillimet politike, por përderisa nuk ka ndryshime domethënëse, ne e respektojmë Rezolutën 1244", tha gjenerali Dë Marnak. Në anën tjetër mbetet i paqartë trajnimi i Forcës së ardhshme të Sigurisë në Kosovë, ngritja e së cilës, në bazë të pakos së Ahtisarit, duhet të ndihmohet nga forcat e NATO-s. Përfaqësuesi i lartë ushtarak i NATO-s thotë se kjo çështje ende është duke u diskutuar në nivelin politik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›