Tre mjekë në arrest për korrupsion
Etleva Delia
Tre mjekë dhe dy infermierë të maternitetit “Koço Gliozheni” në Tiranë duhet të qëndrojnë në arrest shtëpie për akuzën e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Sektori i Antikrimit Eko-nomik në policinë e Tiranës dhe Zyra Task-Force në Prokurori, zbuluan pas tetë muajsh hetimesh abuzimet e mjekëve, duke kërkuar masën e arrestit ndaj tyre. Pas dokumentimit të rasteve të abuzimit, prokuroria kërkoi dje në gjykatë caktimin e masës së sigurisë ndaj mjekëve të dyshuar. Gjykata e Tiranës vendosi “arrest shtëpie” për mjekun gjinekolog Petrit Rexhepi, mjekun reanimator Dritan Xhangolli, infermieret (mami) Hyrë Reçi e Nilka Perhati, si dhe për mjekun anestezist Lefter Mano. Sipas provave të grumbulluara gjatë hetimit 8-mujor, mësohet se ky staf mjekësor në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë detyruar pacientet që të lindin me operacion dhe jo me lindje të zakonshme, duke përfituar një milion lekë të vjetra për çdo rast. Policia tha se gjykata e Tiranës i la mjekët në “arrest shtëpie” megjithë provat e grumbulluara gjatë tetë muajve, përfshi këtu kallëzime penale nga qytetarë të dëmtuar, si dhe përgjime telefonike e një sërë faktesh të tjera. Tetë muaj më parë disa qytetarë iu drejtuan policisë duke denoncuar tre mjekët. Më pas të dëmtuarit dëshmuan se në skemën e abuzimeve ishin përfshirë edhe dy mamitë. Prokuroria e policia mbajtën nën vëzhgim mjekët duke dokumentuar më pas disa raste korrupsioni.
Korrupsioni i mjekëve
Bazuar në kallëzimet e disa pacientëve, të cilët kishin rënë pre e mashtrimit dhe ryshfetit të një grupi mjekësh dhe infermieresh në maternitetin “Koço Gliozheni”, Antikrimi Ekonomik i Tiranës filloi hetimet 8 muaj më parë. Në bashkëpunim me prokurorët dhe hetuesit e Zyrës Task-Force të prokurorisë, u kërkua vënia në përgjim e mjekëve dhe mamive të këtij spitali, kërkesë që u pranua nga Gjykata e Tiranës. Burime nga policia thanë se gjatë kësaj periudhe u zbuluan prova mjaft të rëndësishme që e implikonin drejtpërsëdrejti këtë staf mjekësor në mitmarrje. U zbulua se ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me qëllim që të përfitonin para, detyronin pacientet që shkonin për të lindur që të mos kryenin lindje normale, por me operacion. Në këtë mënyrë ata përfitonin një milion lekë të vjetra për çdo lindje, shumë të cilën e ndanin me njëri-tjetrin. Grupi hetimor ende nuk ka në dorë një shifër të saktë për sa lindje mund të jenë kryer në këtë mënyrë dhe sa mund të jetë shuma totale që mjekët kanë përfituar nëpërmjet mitmarrjes, por në bazë të së dhënave është përllogaritur një mesatare prej 10 lindjesh në ditë. Në këtë mënyrë oficerët e policisë dyshojnë se shifrat e parave që ata kanë përfituar arrijnë në vlera mjaft të mëdha.
OPERACIONI
Pasi kanë siguruar provat kryesore për rastet e dyshuara të korrupsionit të stafit mjekësor të maternitetit “Koço Gliozheni”, oficerët e policisë dhe prokurorisë kanë vendosur dje t’i drejtohen Gjykatës për masën e sigurisë. Operacioni i koduar “Trashëgimtari”, i ka paraqitur Gjykatës së Tiranës, dosjen penale në ngarkim të mjekëve dhe infermierëve. Togat e zeza kanë vlerësuar të vendosin masën e sigurisë “arrest shtëpie”, edhe pse akuzat e ngritura nga policia e prokuroria ndaj mjekëve përmbajnë fakte të rënda bazuar në dhjetëra denoncime që kishin bërë pacientët. Pasi u shoqëruan në polici, gjinekologu Petrit Rexhepi, reanimatori Dritan Xha-ngolli, infermieret (mamitë) Hyrë Reçi e Nilka Perhati, si dhe për anestezisti Lefter Mano, u kthyen në shtëpitë e tyre. Policia sqaroi se hetimet nuk kanë përfunduar, pasi edhe ditët e fundit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ka pasur denoncime të reja ndaj mjekëve. Provat e mbledhura nga Antikrimi Ekonomik dhe Zyra Task Forcë, i përkasin vetëm periudhës 8-mujore që ata kanë qenë nën hetim, si dhe disa denoncimeve nga qytetarë të ndryshëm.
Mjeket nën akuzë
1. Petrit Rexhepi, 56 vjeç, mjek gjinekolog, Shefi i Klinikës Obstetrike, të maternitetit “Koço Gliozheni”
2. Dritan Xhangolli, 38 vjeç, mjek reaminator te “Koço Gliozheni”
3. Hyrë Reçi, 54 vjeç, infermiere (mami), te “Koço Gliozheni”
4. Nilka Perhati, 57 vjeç, infermiere (mami) te “Koço Gliozheni”
5. Lefter Mano, 53 vjeç, anestezist te “Koço Gliozheni”
Arrestimi i mjekëve në zyra
TIRANE – Edhe pse Gjykata e Tiranës vendosi ndaj tyre masën e “arrestit në shtëpi”, forcat e policisë kanë shkuar dje menjëherë pas vendimit të togave të zeza, në zyrat e mjekëve të dyshuar. Agjentët e Antikrimit Ekonomik kanë ndaluar në zyrat e tyre të punës tre mjekët dhe dy mamitë, duke i shoqëruar në ambientet e Drejtorisë të Policisë së Tiranës. Bluzat e bardha janë mbajtur në polici për rreth një orë, ku u është komunikuar akuza e ngritur ndaj tyre, si dhe vendimet e dhëna nga gjykata e kryeqytetit. Më pas forcat e policisë kanë shoqëruar mjekët për në banesat e tyre duke i urdhëruar të zbatojnë vendimin e gjykatës për qëndrimin në arrest shtëpie derisa togat e zeza të vendosin për ecurinë e mëtejshme të procesit hetimor.