E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan: Problem mungesa e Gjykatës Administrative

19/11/2009  Ambasadori i KE-së: Raporti i “Transparency International” lajm i keq për Tiranën

Pozicionimi i Shqipërisë në raportin e “Transparency International” është një lajm i keq për Tiranën zyrtare. Kështu e konsideroi ambasadori i Komisionit Evropian në vendin tonë Helmut Lohan rënien me dhjetë shkallë në vlerësimin për korrupsionin. Gjatë konferencës rajonale për biznesin ambasadori Lohan theksoi se niveli i korrupsionit në vend mbetet mjaft shqetësues. “Raporti më i fundit i “Transparency International” përbën një lajm të keq për Tiranën zyrtare. Siç edhe ka gjetur ky raport niveli i korrupsionit në vend mbetet mjaft shqetësues. Por veç kësaj biznesit i duhet të përballojë edhe kosto të tjera të larta, këtu përfshihet mungesa e Gjykatës Administrative që tashmë është bërë problematike. Tashmë edhe mungesa e opozitës në Kuvend përbën një problem për mosmiratimin e mjaft ligjeve të rëndësishme”, - deklaroi Lohan. Gjatë konferencës rajonale për biznesin Lohan kërkoi që ligji për Gjykatën Administrative të miratohet sa më parë dhe nënvizoi se mungesa e opozitës në Kuvend përbën një problem për mosmiratimin e mjaft ligjeve të rëndësishme. Gjithashtu Lohan siguroi se Komisioni Evropian do të vijojë të mbështesë Shqipërinë me asistencë për zhvillimin e vendit. Ambasadori i KE-së ka kërkuar të realizohen reformat e duhura dhe të bëhet më shumë në luftën antikorrupsion. “Transparenncy International” publikoi dy ditë më parë indeksin e perceptimit të korrupsionit për vitin 2009, ku Shqipëria renditej në vendin e 95-të, me koeficient 3.2, ndërkohë që një vit më parë ajo renditej në vendin e 85-të. Sipas këtij raporti, Shqipëria renditej në vendin e parafundit mes vendeve më të korruptuara në Ballkan, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën. Të njëjtin qëndrim negativ mbajtën edhe 6 ambasadorët e vendeve të BE-së në Tiranë, të cilët reaguan nëpërmjet një deklarate të përbashkët për shtyp, duke e cilësuar këtë si një lajm të keq për Shqipërinë. Ata e konsideruan shqetësim të madh korrupsionin dhe kërkuan marrjen e masave urgjent për të ndryshuar këtë tendencë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›