E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan: “Qeveria, përpjekje për të ndërhyrë në pavarësinë e Gjyqësorit”



Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, i pranishëm në Konferencën mbi sistemin gjyqësor, ritheksoi shqetësimin e Bashkimit Europian mbi përpjekjet e Ekzekutivit për të ndërhyrë në pavarësinë e Gjyqësorit. “I njëjti shqetësim u pasqyrua dhe në Progres-Raportin e KE-së për Shqipërinë, i cili u publikua pak ditë më parë. Ambasadori Lohan e vlerësoi si shumë të rëndësishme bashkëpunimin e të gjitha forcave politike për reformat në vend dhe veçanërisht për reformat në fushën e Gjyqësorit. Bashkëpunimi është kusht për progresin e Shqipërisë. Duhet punuar për sundimin e ligjit, pavarësisht bindjeve politike dhe përfitimeve materiale personale“, - deklaroi Lohan.
Më tej, ambasadori i KE-së shtoi se është e nevojshme të ketë debate dhe konsensus në miratimin e projektligjeve për Drejtësinë. Sipas tij, duhet të vijojë dialogu në Parlament, në mënyrë që të kemi hartimin e një ligji jo vetëm nga shumica. “Zbatimi i ligjit nuk do të ketë impaktin e duhur në opinionin publik nëse ata që merren me hartimin e tij nuk do të kenë vullnetin për të bashkëpunuar. Ata duhet të shmangin interesat politike dhe të bashkëpunojnë për një ligj sa më të mirë në sistemin e Drejtësisë”, - tha ai. Duke shtuar se më pas, faktori politik i brendshëm do të duhet të konsultohet edhe me ndërkombëtarët për të pasur një ligj model për të përmbyllur të ashtuquajturën “Reforma në Drejtësi”. Dhe, sipas Lohan, vetëm atëherë mund të thuhet se u hartua ligji i duhur, dhe jo se e bëmë këtë sa për të kaluar radhën.

KE: Pushteti gjyqësor në Shqipëri po dobësohet, Prokuroria, nën tutelë

“Sa i përket shtetit të së drejtës, me gjithë përparimet e bëra gjatë vitit të kaluar, ku mund të përmendim përpjekjet e vazhdueshme për krijimin e gjykatave administrative, si dhe hapat e parë në drejtim të zyrtarizimit të ofrimit të ndihmës ligjore, procesi i reformës gjyqësore nuk ka përfunduar ende. Procedurat gjyqësore mbeten të ngadalta, transparenca e plotë shpeshherë mungon dhe shumë çështje të rëndësishme mbeten ende për t’u trajtuar më fuqishëm, si për shembull, korrupsioni në sistemin gjyqësor. Reformat nuk mund të bëhen thjesht duke rishkruar të ashtuquajturat ligje organike. Ka më shumë rëndësi që të rishikohet se si funksionojnë në të vërtetë këto institucione. Nëse rezulton se procedurat civile apo penale nuk zbatohen në praktikë, atëherë ose duhet të ndryshohen procedurat, ose duhet që ato të zbatohen me më shumë rreptësi. Veç kësaj, duhet që përpara miratimit të një ligji të rëndësishëm, qeveria të nxitet që të bëjë konsultime më të gjera me palët më të prekura nga ligji në fjalë. Për sa i përket shërbimit civil, edhe pse kuadri ligjor është përgjithësisht i plotësuar, zbatimi i tij mbetet jo i plotë. Ekzekutimi i vendimeve të gjykatave lidhur me mosmarrëveshjet në shërbimin civil duhet shikuar pa humbur kohë. Në dhjetor 2008, Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë. Megjithëse disa nga ndryshimet sollën përmirësime në kuadrin ligjor të ndjekjes penale, kishte edhe ndryshime të tjera që shkaktuan debat për shkak të shfuqizimit të një neni, që i mbronte prokurorët nga ndjekja penale dhe shtimit të një neni që e forconte rolin e ministrit të Drejtësisë dhe Kuvendit kundrejt Prokurorisë. Në rastin më të mirë, Prokuroria do ta ruajë pavarësinë e saj dhe e vetmja pasojë do të jetë degradimi deri diku i përgjegjshmërisë së prokurorëve dhe dobësimi deri diku i rolit të Presidentit. Në rastin më të keq, Prokuroria mund të bjerë nën autoritetin e Kuvendit, duke e dobësuar kështu ndarjen kushtetuese të pushteteve”.

Shkëputur nga raporti i KE-së për Shqipërinë

23 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›