E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Vendimet e Kolegjit për zgjedhjet, të nxituara



Albert Gjoka

VJENË – Në raportimin e Zyrës së OSBE-së në Shqipëri para Këshillit të Përhershëm në Vjenë, zgjedhjet e 28 qershorit janë prezantuar me syrin e raportit “Grosruk-Glover”, por për herë të parë vlerësohen si të nxituara vendimet e Kolegjit Zgjedhor, të cilat kësaj radhe përcaktonin fatin e fituesve. Ambasadori i kësaj organizate në Tiranë, Robert Bosh, ka informuar strukturën më të lartë të OSBE-së për gjendjen në vendin tonë, ecurinë e reformave dhe të ardhmen e kësaj organizate. Në qendër të raportit kanë qenë zgjedhjet parlamentare, hyrja e Shqipërisë në NATO dhe paraqitja e kërkesës së qeverisë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Zoti Bosh ka bërë të ditur se do të ushqehet më shumë se kurrë “tutela” e Prezencës ndaj institucioneve shqiptare. Edhe kësaj radhe ai nuk ka mbështetur bojkotin e Parlamentit nga opozita, duke ripërsëritur edhe njëherë kërkesën për t’u kthyer në Kuvend. Po ashtu, ai ka theksuar rikthimin e konsensusit politik mes partive të mëdha, të thyer që prej pranverës së vitit 2009. Sipas shefit të Prezencës, tani është një moment delikat në zhvillimet politike që janë krijuar.
Zgjedhjet
Duke përmendur “përmbushjen e shumicës së angazhimeve ndaj OSBE-së” dhe “progresin e prekshëm” që shënuan zgjedhjet e 28 qershorit, për herë të parë ambasadori Bosh konstaton një fakt në lidhje me vendimet që dha Kolegji Zgjedhor.
“Ndonëse seancat e Kolegjit Elektoral, në vetvete, u mbajtën përgjithësisht në mënyrë profesionale, vendimmarrja u duk disi e nxituar”, - tha Bosh para Këshillit të Përhershëm. Ky qëndrim shënon një ngjyresë ndryshe nga qëndrimi i mëparshëm, apo edhe raporti i OSBE/ODIHR-it, duke pasur parasysh edhe denoncimet e bëra nga opozita dhe media për presione të mëdha nga ana e qeverisë ndaj anëtarëve të Kolegjit në momentin e shqyrtimit të apelimeve. Në skanerin e bërë për procesin zgjedhor janë konstatuar të drejta disa pretendime të opozitës, ndonëse pa faktime konkrete, presionet ndaj administratës dhe pushimet nga puna, lirimi i të dënuarve para ditës së votimeve, apo mosnumërimi i disa kutive të votimit. Një detaj interesant i raportuar nga OSBE-ja në Vjenë është edhe trajtimi i tri vrasjeve të ndodhura gjatë fushatës, ku sipas ambasadorit Bosh, “nuk ka prova se këto vrasje u kryen për motive politike”. Po ashtu, konsiderohen si të tepruara apo të pagjetura ankesat e opozitës në lidhje me listat e zgjedhësve, apo procesin e prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit. Në lidhje me procesin zgjedhor, zoti Bosh ka propozuar ndryshimin e formulës në komisionet zgjedhore, duke propozuar zgjerimin e përbërjes së tyre, si dhe “mënyra e shpërndarjes së mandateve”. Raporti 12 faqesh adreson kritika ndaj medias për “njëanshmëri të fortë në favor të njërës apo tjetrës prej dy partive të mëdha politike, në dëm të të tjerave”. Po ashtu, kritikohet edhe mënyra e realizimit të formulës për përfaqësimin e grave në Kuvend, duke propozuar një modifikim të saj në mënyrë që të rritet numri i grave në institucionin e Kuvendit.
Bojkoti
OSBE-ja vazhdon të jenë në linjën kundër bojkotit të institucioneve, duke iu referuar zgjidhjes që ka bërë Partia Socialiste pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Sipas dokumentit, PS-ja ka përgjegjësinë për t’u kthyer në Kuvend dhe për të luajtur rolin e saj kushtetues si “opozitë konstruktive”, aq më tepër kur ka një sërë reformash të rëndësishme të procesit të integrimit që presin të miratohen.
Bosh përmend propozimet dhe reagimet mes Berishës dhe Ramës për kushtet e vëna dhe ofertat e hedhura në tavolinë, por, sipas tij, kryesocialisti Rama ka zgjedhur rrugën e protestës. Ai përmend faktin se kryetari i PS-së nuk mbështetet në këtë linjë as nga maxhoranca, as nga ndërkombëtarët dhe as nga disa elementë brenda socialistëve. Ambasadori thotë se nuk dihet sa do të zgjasë ky bojkot. Në konkluzionet e tij, Bosh thotë se “mënyra se si do të arrihet një konsensus i tillë, e për më tepër, si do të ruhet ai me kthimin e PS-së, përbën një pikë diskutimi interesante”. “Partive politike u duhet ende një vullnet më i madh politik për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare”, - thuhet në raport. Sipas tij, “kjo do të thotë një rol të rëndësishëm dhe pozitiv për qeverinë; gjithashtu, ajo nënkupton se edhe opozita duhet të luajë një rol konstruktiv. Pa të sfidat e vërejtura në qershor do të vazhdojnë, së bashku me ciklin e zgjedhjeve ‘jo edhe aq të mira’. Klasës politike i duhet të garantojë tashmë mbylljen përfundimisht të këtij cikli”, - u shpreh Bosh para Këshillit të Përhershëm.
Reformat
Reformat e kryera nga qeveria dhe institucionet shqiptare kanë hyrë në mënyrë të detajuar në filtrin e prezencës së OSBE-së në Tiranë. Sipas tij, procesi i reformës gjyqësore nuk ka përfunduar ende. “Procedurat gjyqësore mbeten të ngadalta, transparenca e plotë shpeshherë mungon dhe shumë çështje të rëndësishme mbeten ende për t’u trajtuar më fuqishëm, si për shembull, korrupsioni në sistemin gjyqësor”, - thuhet në raportin, që sugjeron rishikimin e procedurave civile dhe penale në rast se ato nuk funksionojnë në praktikë. Po ashtu, i bëhet thirrje qeverisë që të konsultohet me grupet e interesit në rastet kur merr nisma ligjore në këtë fushë. Problem mbetet zbatimi i kuadrit ligjor në fushën e shërbimit civil. OSBE-ja kërkon gjithashtu rishikimin e ekzekutimit të vendimeve të gjykatave lidhur me mosmarrëveshjet në shërbimin civil, pa humbur kohë. Edhe për ligjin për pastërtinë e figurës, i ndërmarrë nga qeveria “Berisha”, OSBE-ja ka mbajtur qëndrimin e saj të deritanishëm. Ndër vërejtjet e përmendura janë edhe “dispozitat administrative të ligjit, të cilat nuk duket se i përmbushnin kriteret e procesit të rregullt ligjor dhe të prezumimit të pafajësisë së individëve në shqyrtim dhe nuk garantohej paanshmëria e autoritetit gjykues”. Ambasadori Bosh është shprehur edhe për ndryshimet në ligjin për Prokurorinë, i cili, sipas tij, në rastin më të mirë, “Prokuroria do ta ruajë pavarësinë e saj” dhe, në rastin më të keq, “Prokuroria mund të bjerë nën autoritetin e Kuvendit, duke e dobësuar kështu ndarjen kushtetuese të pushteteve”.
Prezenca e OSBE-së e sheh me shqetësim fenomenin e korrupsionit, duke veçuar fenomenin si më shqetësues, “sidomos në sistemin gjyqësor, shëndetësor dhe atë arsimor”. Edhe kthimi dhe kompensimit të pronave përbën ende problem. Një gjë e tillë ndodh edhe për shkak të politizimit të procesit. Decentralizimi i vendimmarrjes në qeverisjen vendore, zbatimi i ligjeve dhe strategjive për antitrafikimin, shihen si pika ku institucionet shqiptare duhet të punojnë më tepër.
Misioni
Në mbyllje të raportimit, ambasadori Bosh e konsideron shumë të rëndësishëm për vendin vitin 2010. Aq më tepër, edhe nga zhvillimet politike postzgjedhore dhe koalicioni i ri qeverisës, i cili ka vënë në axhendën e tij kryesore integrimin e vendit. Ai thotë se për këtë proces, “pritet të shihet një përpjekje e qartë për të ecur përpara me reformat”. Së fundi, shefi i Prezencës në Tiranë e konsideron tejet të rëndësishme praninë e kësaj organizate në Shqipëri, ndonëse të gjithë titullarët e institucioneve, apo edhe partitë politike, kanë kërkuar dhe presin një prani më të vogël të saj për hir të standardeve që thonë se ka arritur vendi ynë gjatë këtyre viteve.

PROCESI
Mediu për Gërdecin, faji i Prokurorisë

Mungesa e një kërkese para Kuvendit nga Prokuroria në lidhje me akuzat për tragjedinë e Gërdecit, për të hequr sërish imunitetin, e ka shpëtuar ministrin Fatmir Mediu nga hetimi i mëtejshëm. Një fakt i tillë konstatohet nga raporti i OSBE-së, që u paraqit dje në Vjenë. “Në shtator të vitit 2009, Gjykata e Lartë e pushoi çështjen kundër Mediut me argumentimin se duke u rizgjedhur si anëtar i Kuvendit dhe duke u emëruar si ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, ai kishte fituar përsëri imunitet, ndërkohë që Prokuroria nuk kishte arritur të rinovonte kërkesën për heqjen e imunitetit përpara seancës gjyqësore”, - thotë raporti i Prezencës së OBSE-së. Por, ai shton se më 8 tetor 2009, familjarët e viktimave të Gërdecit ngritën një padi të re penale kundër Mediut, duke kërkuar “de facto” rihapjen e çështjes kundër tij. Madje, shton se “këto familje kanë ndër mend ta paraqesin çështjen edhe në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut”. “Kryeministri S. Berisha ka ritheksuar qëndrimin e qeverisë, se të gjithë anëtarët e Kuvendit do të jenë në dispozicion të plotë të Prokurorisë në rast të çfarëdolloj procedimi ligjor në të ardhmen”, - përfundon raporti në lidhje me hetimin e personave të veshur me imunitet.

REAGIMI
Gjinushi: “Raporti i OSBE-së ka të pavërteta”

TIRANË – Kryetari i Partisë Social Demokrate, zoti Skënder Gjinushi, ka theksuar se raporti i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së nuk përputhet dhe ka të pavërteta në krahasim me raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit. Një deklaratë të tillë, anëtari i koalicionit opozitar e ka bërë për TV “Ora News”, ku ka komentuar paraqitjen që bëri dje ambasadori Bosh në Vjenë. Gjinushi ka deklaruar se ky raport është i një ambasadori duke u shprehur se raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-t thekson se janë përmbushur shumica e angazhimeve, por nuk janë përmbushur standardet më të larta për zgjedhje demokratike. Sipas Gjinushit, është për të ardhur keq që ambasadori Bosh e ka paraqitur raportin e OSBE/ODIHR-it me deformime para Këshillit të Përhershëm.

Komisioneri Ren: Qeveria të zgjidhë krizën politike

BRUKSEL - Komisioneri europian për Zgjerimin, Oli Ren, pret që qeveria e re në Shqipëri të zgjidhë situatën politike që u krijua pas zgjedhjeve të qershorit me vendimin e opozitës për të qëndruar jashtë Parlamentit për sa kohë që nuk ka hetim të plotë të procesit të numërimit të votave. I pyetur mbi këtë çështje, në përgjigjen e tij, sipas Top Channel, komisioneri nuk e përmend fare opozitën dhe as faktin e bojkotit të Kuvendit, por i drejtohet vetëm qeverisë së sapoformuar, duke i kërkuar të zgjidhë këtë sfidë politike. "Për Shqipërinë dhe sfidat e saj politike unë besoj se qeveria e re do të mundohet ta zgjidhë këtë çështje që është e rëndësishme për kriterin politik të Kopenhagenit dhe duhet parë si një shans, tashmë për të rritur stabilitetin politik, e në këtë mënyrë, evoluimin e orientimit europian të Shqipërisë", - u shpreh Ren. Edhe pak kohë më parë, zyrtarë të lartë të Brukselit i kanë kërkuar qeverisë që të nisë negociatat për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Ministrat e Jashtëm të BE-së e lënë jashtë axhendës së 26 tetorit Shqipërinë

Dje është publikuar axhenda e takimit të shefave të diplomacisë së vendeve të BE-së dhe sërish është lënë jashtë axhendës së tij kërkesa e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Sipas njoftimeve zyrtare të Presidencës suedeze dhe të Këshillit, do të diskutohet për Ballkanin, por jo për aplikimin e paraqitur nga qeveria “Berisha” gjatë presidencës çeke. Tashmë, ajo mbetet për t’u diskutuar vetëm në takimet informale të ministrave që mbështesin dhe lobojnë përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

23 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›