Presidenti Topi: Kapriçot politike po mbajnë peng reformën e Gjyqësorit
Kreu i shtetit “thumbon” bllokimin e reformave në Kuvend si pasojë e bojkotit. Presidenti kërkoi që sistemi gjyqësor duhet të buxhetohet më shumë në vijim
Politika në Shqipëri interferon fuqishëm në sistemin gjyqësor, një shqetësim ky që tashmë artikulohet qartë dhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Kreu i shtetit ripërsëriti dje apelin ndaj partive politike për bashkëpunim dhe dialog, si e vetmja rrugë për të realizuar reformat në sistemin e Drejtësisë, aq të kërkuara dhe nga Bashkimi Europian. Topi shfrytëzoi hapjen e konferencës për sistemin e Drejtësisë, të organizuar nga EURALIUS, për të përçuar mesazhin e bashkëpunimit, si detyrim ndaj vendit dhe detyrim ndaj zgjedhësve, për dy forcat politike kryesore në vend. “Dihet qartë se vetëm bashkëpunimi mes forcave politike do të realizojë ligjet për Gjyqësorin. Nuk dëshiroj t’u rikthehem apeleve frekuente që kam bërë. Nuk dua ta teproj në këtë sens, sepse janë vetë forcat politike që dalin para publikut dhe një herë në 4 vite të votëbesohen nga publiku. Është një ballafaqim i forcave politike me publikun edhe në funksion të reformave të Drejtësisë. Por e vërteta është se reforma në Drejtësi në disa raste ecën me intensitet, në disa raste ndërpritet”, - deklaroi dje presidenti.
Marrëveshjet
Sipas kreut të shtetit, sjellja e partive politike në Shqipëri është paradoksale, pasi shpesh ato gjejnë konsensus edhe për ndryshime apo lëvizje që kanë rëndësi thelbësore dhe, në raste të veçanta, vazhdojnë të mos lëvizin nga llogoret e tyre. “Ka raste kur politika bie dakord brenda 24 orësh për ndryshime shumë të rëndësishme, të cilat mund të konsiderohen të karakterit akut dhe me interesa të veçanta, ndërsa reforma në Gjyqësor kërkon patjetër bashkëpunim të pandërprerë. Edhe një herë bëj thirrje për të gjitha partitë politike të rikthejnë në vëmendje këtë proces të rëndësishëm, i cili nuk kërkon fjalë, por kohezion politik, profesionalizëm, monitorim”, - nënvizoi presidenti Bamir Topi në fjalën e tij të hapjes. Sipas tij, për të pasur një sistem gjyqësor të pavarur, pa dyshim që duhen nocionet bazë, por duhet edhe buxhetimi i sistemit të Drejtësisë. “Ne, në kuptimin figurativ, nuk mund të shkojmë në Strasburg në rast se kemi karburant deri në kufijtë administrativë të territorit tonë. Pra, sistemi i Drejtësisë kërkon të ndërtohet me seriozitet, të buxhetohet me seriozitet dhe gjithçka të realizohet brenda detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, por edhe brenda nevojës për ceremonial”, - deklaroi kreu i shtetit.
Gjyqësori
Kreu i shtetit, njëkohësisht me detyrë dhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u ndal dhe në sistemin gjyqësor. Topi vlerësoi se ndonëse janë bërë hapa para, ka ende shumë probleme në pavarësinë e Gjyqësorit, duke kërkuar transparencë ekstreme në emërimin e gjyqtarëve. “Disa gjyqtarë e kërkojnë karrierën në rrugë jo të ndershme. Disa gjyqtarë kërkojnë të jenë protagonistë në linja sekondare, jo nëpërmjet ballafaqimit me përmbajtjen e profesionit të tyre. Procesi i emërimit të gjyqtarëve duhet të jetë ekstremisht transparent. Që të gjithë të jenë pjesë e një konkurrence të lirë, ku të vlerësohen CV-të e secilit gjyqtar", - tha ai. Sipas kreut të shtetit, pavarësia e Gjyqësorit nuk duhet kërkuar thjesht te politika, nuk duhet kërkuar thjesht tek institucionet, pasi pavarësia fillon te pavarësia individuale. “Në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit, duhet patjetër që çdo individ, së pari, të jetë i lirë në vetvete, nuk duhet të jetë i kompleksuar, sepse po të jetë i tillë, nuk është i lirë dhe po nuk qe i lirë, do të thotë është i varur. Pavarësia vjen pastaj nëpërmjet rritjes së standardeve profesionale, të kurrikulumit të gjithsecilit, sepse, po e përsëris disa herë shprehjen, por për hir të së vërtetës, disa gjyqtarë e kërkojnë karrierën e tyre nëpërmjet rrugëve jo të ndershme. Kërkojnë të jenë protagonistë në linja sekondare, dhe jo nëpërmjet ballafaqimit me përmbajtjen e profesionit të tyre”, - nënvizoi dje Topi.
23 Tetor 2009