Lohan: “Reformat për integrimin kërkojnë votat e opozitës në Kuvend”
Shefi i Delegacionit të Komisionit Europian, Helmut Lohan, u bën sërish apel partive për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe nisjen e bashkëpunimit, si e vetmja mënyrë për vazhdimësinë e reformave. Lohan është shprehur dje se reformat që duhet të ndërmarrë Shqipëria, me synim integrimin europian, kërkojnë shumicë të cilësuar votash, që do të thotë se është e nevojshme pjesëmarrja e opozitës në Kuvend. “Ne do të sugjeronim që dialogu politik të zhvillohet në Parlament, sepse reformat që duhet të ndjekë Shqipëria kërkojnë legjislacion të ri dhe një pjesë e mirë e këtij legjislacioni kërkon maxhorancë të kualifikuar në Parlament. Po nëse ndodh ndryshe, nëse asnjëra palë nuk pranon kërkesat e palës tjetër? Nuk mund ta imagjinoj që asnjëra palë nuk do të lëshojë pe për ecjen përpara të Shqipërisë”, - është shprehur ambasadori i KE-së në Tiranë. Këto deklarata diplomati i bëri gjatë një turi në qarkun e Dibrës e të Mirditës, ku ambasadori Lohan u njoh nga afër me investimet e kryera nga Komisioni Europian, ndër të cilat përfshihet rindërtimi i zyrës se Thesarit në Burrel, rindërtimi i Gjykatës së Dibrës, si dhe investimet në pikën kufitare të Bllatës. Gjatë vizitës së tij, ambasadori Lohan do t’u kushtojë vëmendje komuniteteve lokale, në mënyrë që të marrë përshtypjet e tyre dhe të diskutojë me ta mbi ndikimin e këtyre projekteve në fusha të ndryshme, si pastrimi i mjedisit, infrastruktura gjyqësore dhe administrative, menaxhimi i kufijve etj. Gjatë turit të tij në Veri, ambasadori i KE-së do të vizitojë disa qytete, ku Komisioni Europian ka financuar projekte në fusha të ndryshme, si në Rubik, në Burrel etj. Ndërsa në ndalesën në qytetin e Peshkopisë, Lohan do të vizitojë Gjykatën e rindërtuar të rrethit, Zyrën e Regjistrimit të Pronave, si dhe Zyrën e Gjendjes Civile. Në të gjitha këto objekte zyra e KE-së ka financuar projekte që synojnë rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e cilësisë së punës.
Berisha merr mesazh urimi nga homologu i tij sllovak
Kryeministri Berisha ka marrë një mesazh urimi nga kryeministri i Republikës së Sllovakisë, Robert Fico, me rastin e riemërimit të tij në postin e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë. Në këtë mesazh, kryeministri sllovak Fico e uron Berishën me rastin e rizgjedhjes në postin e kryeministrit dhe shpreh besimin për intensifikimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. “Republika e Sllovakisë gjithmonë ka mbështetur përpjekjet e Shqipërisë për një pozitë të qëndrueshme në bashkësi vlerash euroatlantike. Me kënaqësi dua të konstatoj që vendimi i NATO-s për të pranuar Shqipërinë në radhët e Aleancës u bë edhe me kontributin e Republikës së Sllovakisë. Më lejoni të përfitoj nga ky rast që të inkurajoj personalisht Ju dhe kabinetin Tuaj qeveritar në ruajtjen e dinamizmit të drejtimit të vendit drejt reformave, të cilat janë parakusht për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Jam thellësisht i bindur që të gjitha përpjekjet Tuaja dhe përvoja e politikanit dhe zyrtarit të shtetit në këtë periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme në miratimin e vendimit historik, fokusohen në përmbushjen e objektivave të synuar, në forcimin e stabilitetit politik dhe të sundimit të ligjit, në sigurimin e zhvillimit ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së shtetasve të vendit Tuaj. Republika e Sllovakisë ka interes të sinqertë për zhvillimin dhe thellimin e marrëdhënieve me Republikën e Shqipërisë, në nivelin dypalësh dhe gjithashtu ndërkombëtar, përfshirë edhe bashkëpunimin e ngushtë në çështjet e integrimit europian”, - ka shkruar në mesazhin e tij kryeministri i Sllovakisë, në letrën drejtuar kryeministrit shqiptar, Berisha.
24 Tetor 2009