E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në ditën e 12 të grevës, 2 të dërguar në spital, Besnik Bare kthehet në çadër



Në ditën e 12-të të grevës së urisë, nisur nga 20 deputetë të Partisë Socialiste dhe 180 mbështetës të saj, dy grevistë i janë drejtuar spitalit, duke e çuar në 27 numrin e grevistëve që largohen nga çadra. Afrim Syla nga Kukësi dhe Astrit Sefekolli, nga Korça ka lënë grevën pas rëndimit të gjendjes shëndetësore dhe komplikacioneve në stomak. Mësohet gjithashtu që Sefekolli vuante edhe nga tensioni, probleme këto që kanë detyruar stafin mjekësor pranë grevës ta nisin atë urgjentisht drejt Qendrës Spitalore Universitare, QSUT, ku pritet të marrë edhe ndihmën e parë në spitalin Infektiv. Por edhe gjendja e grevistëve të tjerë në ditën e saj të 12 po ndiqet me shumë kujdes nga stafi mjekësor, pasi shumë prej tyre konsiderohen të rënduar në shëndet. Por dje në çadrën e grevës së urisë është rikthyer për të rinisur ngujimin e urisë kreu i PS Tiranë dhe njëkohësisht deputet i këtij qarku, Besnik Bare, i cili tre ditë më parë u largua nga greva. Pasi ka zhvilluar dje paradite një konsultë me mjekët që e monitoruan ditët e fundit në spital, Bare ka marrë garancitë se mund të rikthehet në grevën e urisë, pasi kjo ka qenë këmbëngulja e tij. “Gjendja ime shëndetësore është përmirësuar dhe jam i vendosur të rikthehem në grevën e urisë. Mjekët ende nuk më japin garanci për këtë veprim, por unë jam i vendosur për të mos iu ndarë sakrificës sonë”, u shpreh Bare dy ditë më parë nga ambientet e spitalit. Ndërkaq kreu socialist Rama në fjalën e tij dje pasdite, falënderoi aktin e Bares që iu rikthye grevës së urisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›