Rama: Nuk tërhiqemi. Të hapen kutitë
Kryetari i PS-së, Edi Rama, siguroi dje se protestat do të përshkallëzohen në të gjithë vendin
"Sali Berisha, ka një arsye të madhe për ta bërë këtë; arsyen e atij që ka vjedhur dhe kërkon që kjo vjedhje të mos dalë në dritën e diellit"
TIRANË- Partia Socialiste nuk do të reshtë së kërkuari hapjen e kutive të votimit të përdorura në zgjedhjet e 28 qershorit. Është kryetari socialist, Edi Rama, ai që ka theksuar sërish dje vendosmërinë e socialistëve, për t'i shkuar deri në fund kërkesave të tyre, për të bërë transparencën e procesit të zgjedhjeve parlamentare dhe për t'i kthyer Kuvendit të Shqipërisë legjitimitetin e munguar.
Gjatë një bashkëbisedimi të kryer dje me gazetarët, shefi i selisë rozë, ka akuzuar kreun e qeverisë Sali Berisha se me vendimin e tij për të mos hapur kutitë e votimit, po u fsheh shqiptarëve të vërtetën për verdiktin e tyre. "Kryeministri, i cili pasi i ka vjedhur zgjedhjet e 28 qershorit, kërkon që me pushtetin e grabitur, të mbajë në burg të vërtetën, duke këmbëngulur se kutitë e 28 qershorit nuk mund të hapen", - u shpreh Rama.
Duke i kthyer përgjigje pretendimit të kundërshtarit të tij politik se, parlamenti nuk mund të hetojë një çështje për të cilën është shprehur gjykata, Rama ka theksuar edhe një herë se hetimi kuvendor nuk do të thotë mbivendosje pushtetesh. Madje, sipas tij, bëhet fjalë për dy gjera të kundërta, dhe që nuk e përjashtojnë njëra tjetrën.
Sipas tij, është e drejta e Kuvendit që të hetojë çdo çështje për të cilat ka dyshime për shkelje të ligjit, ashtu siç është edhe kërkesa për hapjen e kutive të votimit. "Ne kërkojmë hapjen e kutive të votimit për të bërë transparencë përmes Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili nuk është absolutisht një shkallë tjetër gjykimi dhe nuk ka të bëjë fare me procesin juridik, që u mbyll me vendimin e Kolegjit elektoral.
Janë dy gjëra të ndryshme që s'kanë lidhje me njëra-tjetrën, por që Kryeministri i bashkon sepse kërkon t'i ikë me çdo kusht të vërtetës, që fshihet në kutitë e 28 qershorit, të vërtetës së madhe, se zgjedhjet janë grabitur, se vullneti i shqiptarëve është deformuar dhe se mekanizmi i deformimit ka qenë i orkestruar nga vetë pushteti", - u shpreh kryesocialisti më tej në fjalën e tij. Ai i ka kujtuar kryeministrit Berisha se gjatë qenies
së tij në pushtet nuk ka nguruar që të hetojë edhe çështje, që gjendeshin në dosjet e prokurorisë. Sipas kreut socialistë, është e qartë se mazhoranca kërkon të ngrejë tymnaja për t'iu shmangur kërkesës legjitime të opozitës për të parë sesi kanë votuar shqiptarët.
"Sigurisht, që Sali Berisha, ka një arsye të madhe për ta bërë këtë; arsyen e atij që ka vjedhur dhe kërkon me çdo kusht që kjo vjedhje të mos dalë në dritën e diellit", - tha Rama.
Por, ai ka paralajmëruar Berishën se duke iu shmangur transparencës së procesit zgjedhor të 28 qershorit, nuk e zgjidh, por përkundrazi e thellon krizën politike në Shqipëri.
Ky qëndrim ka bërë të ditur Rama largon edhe më shumë pikën e kompromisit mes dy palëve dhe rendon më shumë situatën e përgjithshme në vend. Prandaj, ai i ka bërë thirrje mazhorancës, që të reflektojë dhe të marrë me seriozitet kërkesat e opozitës pasi në të kundërt do të mbajë përgjegjësinë e përkeqësimit të situatës në vend.
"Nuk ka asgjë përfundimtare në këtë çështje, e cila është një çështje e hapur dhe një çështje që ne do të bëjmë çmos që të mos mbyllet si një kapak që mbulon të vërtetën, por të mbyllet vetëm atëherë kur e vërteta të dal në pah", - theksoi Rama, duke bërë të ditur gjithashtu se nuk mund të ketë kurrë në Shqipëri një proces tjetër zgjedhor pa mbyllur një proces hetimor për zgjedhjet që shkuan.
Në të kundërt, ai ka paralajmëruar se opozita jo vetëm që s'do të heqë dorë nga qëndrimi i saj, por do të përshkallëzojë edhe më tej reagimin e saj për të vënë në vend institucionin e votës.
"Ne jemi këtu për ta bërë të mundur atë gjë, përmes aksionit politik, që pa asnjë dyshim nuk do të ndryshojë trajektoren e vet. Ne nuk do të hyjmë në Parlament. Ne do t'i përshkallëzojmë protestat tonë dhe do t'i japim përgjigjen e merituar Sali Berishës dhe vartësve të tij, sa në Ministrinë e Jashtme, sa në karrige të tjera të qeverisë, që përpiqen më kot të bëjnë sikur kjo çështje është e mbyllur apo ekziston vetëm për opozitën",- u shpreh Rama.
Ai nuk ka lënë pa komentuar as raportin e "Raporterëve pa Kufij" duke theksuar se gjendja e medias në vend është tepër më e keqe sesa ajo që evidentohen në këtë vëzhgim. "Kryeministri nuk i padit dhe nuk ka nevojë t'i padisë gazetarët, sepse kërcënon vijimësisht pronarët, që më pas ata bëhen barrë mbi gazetarët.
Ky kërcënim më pas është i orkestruar sipas modeleve më kërcënuese për demokracinë, që janë modelet të aplikuara në vende gjysmë demokratike dhe në vende ku liria është e administruar nga pushteti", - pohoi Rama, duke garantuar shqiptarët se për të gjitha këto arsye është i vendosur për t'i shkurtuar jetën kësaj qeverie.