Lohan: Shqipëria më pranë se kurrë më parë liberalizimit të vizave

Basha dhe Lohan inspektojnë Zyrën e Gjendjes Civile në Peshkopi dhe Pikën e Kalimit Kufitar në Bllatë-
"Shqipëria shumë shpejt do të përmbushë të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave," u shpreh të premten në Pikën e Kalimit Kufitar në Bllatë, të Peshkopisë , (Shqipëri-Maqedoni ) , Shefi i delegacionit të Komisionit Europian Z. Helmut Lohan, gjatë një inspektimi në këtë pikë kufitare me Ministrin e Brendshëm Z. Lulzim Basha. Zëdhënësi i ministrisë së Brendëshme, Fatmir Konja, bëri të ditur sot se kreu i ministrisë së Brendëshme e informoi Shefin e KE-së, z. Lohan mbi instalimin e sistemit TIMS, integrimin me sistemin e analizës së informacionit MEMEX, lidhjen me bazën e të dhënave të INTERPOL-it, realizuar kjo edhe në PKK Bllatë. “Brenda muajit, -bëri të ditur ministri Basha,- procesi do të përfundojë edhe për pesë pika të tjera, duke bërë kështu që të 26 pikat e kalimit kufitar në Shqipëri, të plotësojnë të gjitha kushtet e krijimit të një sistemi unik dhe solid të menaxhimit të integruar të kufirit.". Basha deklaroi se me të njëjtin përkushtim do të vazhdojë puna për të përmbushur edhe atë pjesë të detyrave që përcakton udhërrëfyesi në mënyrë që brenda një kohe të shkurtër, ekspertët e Komisionit Europian të mund të verifikojnë plotësimin e kritereve nga Shqipëria për liberalizimin e vizave. Basha dhe Lohan inspektuan në Bllatë edhe qendrën e Grupit Operativ Special(GOS) të kontrollit të kufirit, ku Lohan bëri të ditur, se edhe në këtë qendër ishin përmbushur plotësisht detyrat e vëna nga inspektimi i mëparshëm i ekspertëve të Komisionit Europian. Ministri i Brendshëm dhe Shefi i Delegacionit të Komisionit Europian, zhvilluan një takim edhe me kryebashkiakun e Peshkopisë si dhe inspektuan zyrën e gjendjes civile për të parë nga afër funksionimin e procesit të aplikimit për letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike. Duke përmendur faktin se për projektet e menaxhimit të integruar të kufirit dhe modernizimin e shërbimit të gjendjes civile dhe sistemit të adresave janë dhënë financime nga Bashkimi Europian, ambasadori Lohan vlerësoi angazhimin e të gjitha strukturave qeverisëse qendrore dhe vendore për progresin e qëndrueshëm të këtyre projekteve me BE.
...