E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan: Të miratohet sa më parë Kodi Zgjedhor

Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, bëri dje thirrje që partitë politike të kalojnë sa më shpejt Kodin Zgjedhor në Kuvend. Lohan u shpreh se me Kodin janë lidhur një sërë procesesh të rëndësishme për administrimin e zgjedhjeve, të cilat janë të rëndësishme për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme vitin e ardhshëm. Ai nuk komentoi debatin politik për sa i përket propozimeve të LSI-së, por thjesht shtoi se pavarësisht debateve, Kodi është mirë që të hyjë në fuqi sa më parë. “Kodi duhet të miratohet sa më shpejt”, - tha Lohani për median. Zyra e Komisionit Evropian në Tiranë nuk ka dashur të komentojë më tej në lidhje me debatin e nxehtë politik për dosjet. Presioni i KE-së ka qenë për realizimin e procesit normal të administrimit të zgjedhjeve. Kodi duhet të miratohet sa më shpejt në mënyrë që të gjendet kohë për të aplikuar elementët administrativë të tij. Me Kodin janë lidhur një sërë procesesh administrative që nga ngritja e KQZ-së e deri në miratimin e fletëve të votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›