E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: PS do të reflektojë

Tiranë -Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ritheksoi se Kodi i ri Zgjedhor duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe hodhi poshtë çdo mundësi për të bashkuar votat me kryeministrit Berisha në mënyrë të njëanshme duke lënë jashtë këtij procesi socialistët.

"Jemi për gjithëpërfshirje, nuk dua ta besoj se PS nuk do të reflektojë dhe do të këmbëngulë që Kodi të kalojë me cene serioze dhe ndëshkuese për zgjedhjet e ardhshme"-deklaroi Meta.
Kreu i LSI-së, shprehu sigurinë se socialistet do të reflektojnë për të mos u bërë përgjegjës të miratimit të një kodi që nuk do të garantonte - sipas tij - standardet e duhura të kërkuara nga ndërkombëtarët.

"Unë nuk kam asnjë arsye që të paragjykoj në mënyrë përjashtuese çdo njeri, çdo forcë politike që reflekton", -vijoi më tej kreu i LSI-së. Ai kërkoi "që të ketë reflektim nga të gjithë aktorët e rëndësishëm dhe që kanë përgjegjësi në këtë proces-pasi-Shqipëria nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa të garantojë zgjedhje të ndershme dhe të pakontestuara".

Lidhur me çështjen e administrimit të zgjedhjeve, Meta tha se LSI ka propozuar që të arrihen standardet e administrimit të vitit 2005 dhe të evitohet një kthim mjaft i kontestueshëm mbrapa në standardet e administrimit të zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›