E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, OSBE: Projekti të certifikohet nga ekspertët e huaj



OSBE-ja i bashkohet shqetësimit të ambasadës amerikane për projektligjin e pastërtisë së figurave, duke kërkuar diskutim më të madh dhe marrjen e ekspertizës së huaj.

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, reagoi dje për projektligjin e hapjes së dosjeve, duke kërkuar që projekti të mos kalojë në Kuvend pa u parë fillimisht nga ekspertë ndërkombëtarë. Boshi u shpreh se janë ngritur shqetësime për shkelje të Kushtetutës me këtë projekt, ndaj dhe kërkoi që ekspertët e OSBE/ODIHR-it dhe ekspertët e Këshillit të Evropës të japin një mendim të specializuar të tyrin për projektin në fjalë. “Projekti duhet të miratohet pasi është shumë i rëndësishëm. Por ai duhet parë fillimisht nga Këshilli i Evropës dhe OSBE/ODIHR-i për të parë shqetësimet që ngrihen me këtë projekt”, - tha dje në Durrës ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, i cili ishte i ftuar në një tryezë të Këshillit të Rregullim-Territorit. Ai u shpreh se OSBE-ja mban të njëjtin qëndrim si ambasada e SHBA-së, për të parë më me kujdes projektin në fjalë. Robert Bosh nuk vuri në diskutim rëndësinë e këtij ligji, madje bëri thirrje të kalojë sa më shpejt, por sipas tij, gjërat duhen peshuar mirë përpara se të kalojë një ligj me një rëndësi të tillë. Nga ana tjetër, ambasadori i OSBE-së hodhi edhe idenë e një diskutimi të gjerë të këtij projekti me ekspertë të huaj si dhe me ekspertë nga vendet të cilat kanë një përvojë me një ligj të tillë. Vetëm dy ditë më parë, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës reagoi nëpërmjet një deklarate për shtyp në të cilën përshëndesnin vendimin e mazhorancës për të shtyrë miratimin vetëm me votat e saj, të projektligjit për hapjen e dosjeve. “Ne jemi të inkurajuar që ky hap i rëndësishëm do të japë kohë për reflektim të matur dhe debat të hapur publik, të nevojshme për një projektligj që ngre pikëpyetje serioze kushtetuese dhe ligjore. Gjithashtu, nxisim fuqimisht që shqyrtimi i mëtejshëm i këtij projektligji të përfshijë pikëpamjet e ekspertëve ligjorë ndërkombëtarë për të siguruar përputhjen e tij të plotë me standardet ndërkombëtare”, - thuhej në reagimin e SHBA-së. Nga ana tjetër, qëndrimi zyrtar i mazhorancës u bë nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili deklaroi se të hënën, në seancën plenare të datës 22 dhjetor ligji i dosjeve do të miratohet. “Ne i kemi ezauruar të gjitha format e kompromisit gjatë këtyre ditëve dhe viteve që ky ligj ka qenë në shqyrtim. Ne kemi bërë që në thelbin e tij të prevalonte varianti çek, ndërkohë që ka pasur shumë zëra brenda PD-së që kanë çuar në një variant më radikal, të ngjashëm me atë polak”, - deklaroi Patozi në konferencën për shtyp. Gjithsesi, qëndrimi i mazhorancës do të shihet në seancën e datës 22 dhjetor, ku do të vendoset në rast se do të kalojë ligji apo do të shtyhet më tej.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›