E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Drejtësisë: Ja korrespodenca me KLD-në

KLD-ja dhe Ministria e Drejtësisë kanë shënuar një tjetër përplasje mes tyre për reformën ligjore të drejtësisë. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, deklaroi dje në Komisionin e Ligjeve, i cili nisi diskutimin për projektligjin “Për gjykatat administrative”, se ky projekt nuk është diskutuar me KLD-në. Ai tha më tej se nuk ka pasur asnjë korrespondencë serioze me ministrinë në lidhje me këtë projekt. Por Ministria e Drejtësisë ka publikuar korrespondencën zyrtare mes Ministrisë së Drejtësisë dhe KLD-së. Me një shkresë zyrtare që mban numrin e protokollit 6808, ministri i Drejtësisë i kërkon mendime KLD-së për projektligjin në fjalë. Nga ana tjetër, në përgjigjen zyrtare, nënkryetari i KLD-së Spahiu falënderon ministrinë për këtë proces, ndërsa në Komisionin e Ligjeve deklaroi të kundërtën. Por në këtë shkresë ai kërkon më shumë kohë për shqyrtimin e projektit nga ana e KLD-së, duke dhënë si pretekst se nuk është mbajtur një qëndrim zyrtar për shkak të një vizite jashtë shtetit. Por përkundjet korrespondencave zyrtare, në Komisionin e Ligjeve Spahiu mbajti një qëndrim të kundërt me shkresat zyrtare, duke thënë se ka pasur një komunikim me version jozyrtar. “Shkresa që Ministria e Drejtësisë i ka përcjellë KLD-së, është shoqëruar me versionin jozyrtar të projektligjit “Për gjykatat administrative”. Në mungesë serioziteti të plotë, KLD-ja është detyruar të diskutojë jo mbi projektin final, por mbi një projekt fillestar në prezencë edhe të ekspertëve ndërkombëtarë, pasi ministria e kishte kaluar draftin në qeveri”, - tha nënkryetari Spahiu. Por përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësinë në Komisionin e Ligjeve, Marsida Xhafkollari, deklaroi se ky qëndrim i nënkryetarit të KLD-së nuk është serioz, pasi ka pasur një komunikim zyrtar korrekt. “Drafti i është dërguar për të marrë mendim KLD-së, sikundër u është përcjellë edhe gjithë subjekteve të tjera të interesuara. Ministria e Drejtësisë nuk ka kthyer mbrapsht asnjë mendim, madje është munduar t'i reflektojë ato në projektligj. Përgjigja nga KLD-ja ka qenë se “nuk mund të japë mendim brenda afatit të përcaktuar nga ministria” apo se “ndodhemi me shërbim jashtë shtetit”, - tha Xhafkollari. Njëkohësisht, Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur edhe listën e institucioneve dhe grupeve të interesit të cilat kanë marrë në dorë projektin e ministrisë për gjykatat administrative. Në debatin në Komisionin e Ligjeve, Spahiu kundërshtoi këtë projekt duke e cilësuar si joserioz, por përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë e cilësoi projektin si pjesë e përvojave më të mira në BE. “Projektligji “Për gjykatën administrative” parashikon krijimin e një sistemi gjyqësor të gjykimit administrativ jashtë praktikave korruptive, me synim mbrojtjen e individit dhe biznesit ndaj praktikave abuzive të administratës shtetërore. Ai është hartuar nga një grup ekspertësh të sistemit gjyqësor, në bashkëpunim me ekspertë francezë dhe gjermanë”, - tha më tej Xhafkollari.

Bumçi: Deklarata e Spahiut, spekulim

Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, reagoi dje pas deklaratave të nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Bumçi tha se deklarata, sipas të cilës gjyqtarët nuk emërohen nga KLD-ja, është një spekulim. Ai tha më tej se projekti nuk parashikon një gjë të tillë. Zëdhënësi i PD-së shtoi se projektligji i qeverisë për gjykatat administrative rrëzon të gjitha pretendimet e Spahiut. “Disa media që i referohen nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, kanë dezinformuar në lidhje me projektin për gjykatat administrative. Deklaratat janë spekulim, pasi projektligji nuk thotë që gjyqtarët nuk emërohen nga KLD-ja. Ky është një trillim nga ai që parashikon projekti”, - tha Bumçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›