Dy të plagosur në kryeqytet, në kërkim tre persona
Dy net më parë, një i ri u plagos me armë zjarri, ndërsa mbrëmë një tjetër me armq të fothtë në Allias
TIRANE- Një person është plagosur me armë zjarri të hënën në mbrëmje vonë, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia, me akuzën e vrasjes në bashkëpunim. Ilir Male, 18 vjeç, banues në Babrru, mbeti i plagosur rëndë mbrëmjen e të hënës në afërsi të urës së Babrroit, kur dy persona që sipas policisë janë identifikuar të kenë qenë Elis Çoka dhe Edison Cara.
Ngjarja ka ndodhur kur i plagosuri ka qenë duke udhëtuar në drejtim të banesës së tij në këmbë, ndërsa një automjet i markës "FIAT" Punto i ka dalë përpara dhe një person e ka qëlluar me armë. Male është qëlluar me armë zjarri pistoletë e kalibrit 7.25 mm në krah, duke marrë një plagë të lehtë.
Autorët e dyshuar që ndodheshin në automjeti që sipas policisë drejtohej nga Edison Cara në pronësi të të cilit edhe është mjeti, janë larguar në drejtim të paditur. Ndërkaq i dëmtuari ka mbërritur në spital ku pas ndihmës së marrë ka kaluar rrezikun për jetën dhe është pyetur nga efektivët e policisë lidhur me ngjarjen.
Shkak për krimin mësohet të jetë bërë një përplasje mes personave për motive banale, e ndodhur pranë ish- Shkollës së Bashkuar. Policia ka shpallur në kërkim autorët, me akuzën e vrasjes në bashkëpunim dhe armëmbjatjes pa leje ndërsa ata nuk janë gjetur në banesat e tyre ndërsa policia i ka nxjerrë në listat e tyre të kërkimit.
Ndërkaq, mbrëmë një person rreth 17 vjeç, mbeti i plagosur me thikë mbrëmjen e djeshme në Allias, pranë shkollës "Bajram Curri", pranë një parkingu makinash. Policia shpalli në kërkim autorin e dyshuar të krimit ndërsa, në ambientet e komisariatit nr.4, hetuesit shoqëruan më tepër se 10 persona dëshmitarë në vendin e ngjarjes.
Policia nuk bëri të ditur emrat e personave të përfshirë në konflikt ndërsa nga veprimet e para të kryera, policia ka mësuar se ngjarja ka ndodhur pas një sherri banal mes dy të rinjve që mësohet se banonin jo larg vendit të ngjarjes.
Fillimisht është menduar se i plagosuri ka marrë plagë të rëndë, por më pas pas konfirmimit të mjekëve në spital është mësuar se i riu ka vetëm një plagë të lehtë që nuk i ka shkaktuar rrezik për jetën. Pas veprimeve policia ka pyetur edhe të dëmtuarin, ndërsa ka shpallur në kërkim një të dyshuar
Ekstradohen nga Italia dy shfrytëzues femrash
TIRANË- Ekstradohen nga Italia, dy të dënuar nga drejtësia shqiptare, të akuzuar për "shfrytëzim prostitucioni".
Petrit Liçi, 60 vjeç, nga Elbasani, si dhe Ymer Shehaj, 32 vjeç, nga Fieri, janë ekstraduar dje nga Italia, pasi ishin në listat e të kërkuarve të Policisë Shqiptare, ndërsa ndaj tyre kishte vendime dënimi, në bazë të të cilëve ata duhet të vuajnë përkatësisht 15 dhe 12 vite burg.
Sipas policisë, Liçi është dënuar për shfrytëzim femrash për qëllime prostitucioni në bashkëpunim, ndërsa Shehaj, për trafik femrash për qëllime prostitucioni në rrethana cilësuese.
Të dy këta persona janë ekstraduar nga oficerët e Interpolit, nga Roma pasi autoritetet italiane të drejtësisë kanë pranuar kërkesën e palës shqiptare për ekstradimin e tyre në drejtim të vendit tonë. Sipas Policisë, në përfundim të procesit gjyqësor, zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Lushnje, Petrit Liçi është shpallur fajtor, duke u dënuar në mungesë në mars të vitit 2008.
Nga të dhënat në dosjen penale të 60- vjeçarit Liçi, mësohet se ky i fundit në bashkëpunim me Gentjan Liçin, kanë mashtruar dhe detyruar të ushtrojë prostitucion, shtetasen me inicialet I. SH, e cila është shfrytëzuar në shtetin fqinj, në Itali. Edhe i ekstraduari tjetër nga Roma, Ymer Shehaj, lindur në Ballsh, është dënuar po për akuzën e shfrytëzimin të femrave për qëllime prostitucioni.
OSBE: Policia, rol neutral në zgjedhje
TIRANË- OSBE dhe ODHIR vlerëson punën e policisë dhe angazhimin e saj në procesin zgjedhor, duke e cilësuar qëndrimin e policisë gjatë këtij procesi si neutral. Ky vlerësim për punën e efektivëve të policisë në zgjedhje, është paraqitur në një letër që Trevor Harvey, ekspert i sigurisë pranë OSBE/ODIHR, i ka dërguar krerëve të Policisë së Shtetit.
Në letrën që eksperti i misionit ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve, i ka dërguar autoriteteve të Policisë së Shtetit pohohet se: "Profesionalizmi dhe përkushtimi i treguar nga policia gjatë kësaj periudhe ishte i lavdërueshëm, asnjë nga vëzhguesit afat-shkurtër dhe afat-gjatë nuk bëri ndonjë raportim të dëmshëm lidhur me aktivitetin e policisë,".
Më shumë se 5000 policë, u trajnuan nga Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunim Europian, që kishte si qëllim mos dëmtonin procesit zgjedhor nga ndërhyrjet e mundshme të uniformave blu. Policët në procesin zgjedhor të 28 qershorit, luajtën një rol neutral, duke mos qenë prezent në qendrat e votimit, por vetëm duke shoqëruar bazën materiale.