Klosi: Nuk do të lejojmë ndërtimin e TEC-it në Porto Romano
PS e cilëson përbindësh qymyri. PD: Industrializimi nuk ndalet me akuza të sajuara
Partia Socialistë reagoi dje ndaj ndërtimit të termocentralit me qymyr në zonën e Porto Romanos. Deputeti i Qarkut të Durrësit, Blendi Klosi, duke e cilësuar TEC-in, përbindësh qymyri, tha se kjo forcë politike nuk do të lejojë ndërtimin e tij, pavarësisht miliona eurove që do të përfitojë oborri kryeministror.
"Si deputet i qarkut të Durrësit, i them Sali Berishës se nuk do ta lejojmë të ndërtojë përbindëshin e qymyrit në Porto Romano, pavarësisht sesa miliona euro ka futur apo pret të fusë oborri kryeministror në arkën e fitimeve abuzive nga kjo vepër e turpshme dhe pavarësisht sesa kohë do të rrijë Sali Berisha në karrigen ku e mban "krushqia e tij e re" me Ilir Metën.",- tha Klosi.
Ai akuzoi kryeministrin se ka abuzuar në mënyrë të turpshme me pronat e fshatarëve të zonës së Porto Romanos dhe me pasuritë tona të përbashkëta, për qëllime të mirëfillta përfitimi familjar e klanor.
"Ai do ta ndërtojë TEC-in me qymyr, pavarësisht se kjo monstër ekologjike e papranueshme nga asnjë vend evropian mbyll rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm, dëmton ekonominë e një komuniteti të tërë, helmon fëmijët si të demokratëve dhe socialistëve durrsakë dhe bie ndesh me të gjitha standardet europiane",- theksoi ai në deklaratën për shtyp.
Duke iu përgjigjur akuzave të kryeministrit për mafien ambientaliste, Klosi tha se "mund t'i themi Kryeministrit në detyrë se Mafien e ka në ambientet ku jeton dhe punon pandershmërisht".
Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Partisë Demokratike. "Edi Rama sërish për të maskuar humbjen pa u skuqur u deklaroi shqiptarëve se TEC-et me qymyr janë të ndaluara dhe nuk ndërtohen në Europë ndërkohë që në Gjermani janë në ndërtim 3 të tilla, në Itali dy, Hollanda Polonia dhe një sërë vendesh të tjera po i ndërtojnë ato",- tha zëdhënësja Erla Mëhilli.
Sipas saj, kryetari i opozitës nuk do të mund të pengojë industrializimin e vendit, duke sajuar akuza nga hiçi.