PDK: Progres-raporti "nxin" të gjitha institucionet
Demokristianët e cilësojnë progres-raportin e KE-së si një dosje që "nxin" të gjitha institucionet. Përmbajtja e progres-raportit është analizuar publikisht nga funksionarët e PDK-së. "Partia Demokristiane, pasi u njoh me progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë në dymbëdhjetë muajt e fundit, shpreh shqetësimin e saj të thellë për problemet e shumta që ngrihen në këtë progres-raport, probleme që vënë në pikëpyetje funksionimin e demokracisë, të shtetit ligjor dhe të institucioneve të pavarura, duke krijuar një pengesë serioze për proceset e integrimit europian", thuhej në njoftimin për shtyp të kësaj partie. PDK-ja e cilësoi progres-raportin si një ndihmë shumë serioze për Shqipërinë dhe gjykon se mazhoranca, si problem të parë, duhet të zgjidhë legjitimitetin e vet, duke bërë transparencën e kutive të votimit në zonat e kontestuara dhe sipas deklaratës së PDK-së, ajo duhet të ulë kokën e të vazhdojë me kryerjen e detyrave të shumta të shtëpisë. PDK-ja bëri të ditur se e ka të vështirë të besojë se qeveria ka aftësinë dhe legjitimitetin e duhur.