Loja e Salihamixhiqit
I mallëngjyer së tepërmi, piktori Nysret Salihamixhiqi mëzi fliste dhe nuk mund t’i përmbante lotët teksa falënderonte stafin e Galerisë Kombëtare të Arteve si dhe drejtorin e saj Fahredin Spahija për angazhimin dhe hapësirën që ia kanë dhënë piktorit për ta hapur ekspozitën e tij personale në tetëdhjetë vjetorin e lindjes.
“Para kësaj ekspozite kam pasur ekspozita si në Lubjanë, Beograd, Zagreb, Orangjelovac, Holandë. Mirëpo, besoni kjo ekspozitë më ka befasuar totalisht. Jam shumë i kënaqur”, tha piktori Salihamixhiqi, duke mos mundur t’i përmbante lotët.
“S’di si ta falënderoj drejtorin, që e dha një kontribut dhe respekt të madh ndaj meje dhe tërë jetën i falënderohem atij dhe stafit që janë angazhuar për me qenë kjo ekspozitë sa më shumë në nivel artistik dhe profesional”, u shpreh ai, në hapje të kësaj ekspozite personale, të ënjtën mbrëma, duke mos harruar ta falënderonte edhe stafin mjekësor që po kujdeset për shëndetin e tij.
Ndërkaq, Fahredin Spahija, drejtor i Galerisë së Arteve, e vlerësoi piktorin Nysret Salihamixhiqi si njërin nga emrat më të shquar të artit pamor shqiptar.
“Vizatimet dhe pikturat e aranzhuara në dy etazhet e kësaj galerie janë vepra që shpalosën për herë të parë para publikut, i cili ka rastin unik që të shijojë vlerat shumë të larta artistike, të kultivuara nga ky autor gjatë një gjysmëshekulli”, u shpreh, me këtë rast, Spahija. Ai shtoi se hapja e kësaj ekspozite do të duhej të kishte një skenar krejtësisht tjetër nga ky që po përjetohet.
“Sonte do të duhej të na shoqëronin, si zakonisht, tingujt e ndonjë instrumenti muzikor, një koktej rasti, siç ndodhte në hapjet e ekspozitave tjera. Sonte ishte planifikuar që hapjen e kësaj ekspozite ta bënte konceptuesi dhe autori i parathënies së katalogut të saj, profesori i ndjerë Mustafa Ferizi. Të gjitha këto që sapo i përmenda sonte do të mungojnë, siç do të na mungojë edhe profesori shumë i nderuar, i cili, me ikjen e tij të hershme nga kjo botë, krijoi në fushën e kulturës, e veçmas në fushën e artit pamor, një boshllëk që nuk plotësohet lehtë”, tha Spahija, duke i lutur të pranishmit të mbajnë një minutë heshtje për të ndjerin Mustafa Ferizi, i cili në parathënie të katalogut të ekspozitës e ka vlerësuar piktorin Nysret Salihamixhiqi si njërin nga artistët tanë më inventiv dhe më autentik. Ai, sipas Ferizit, bën pjesë midis pishtarëve artistikë të paktë, me të cilët shënohen fillimet dhe zhvillimi evolutiv i artit pamor kosovar.
“Krijimtaria artistike e Nysret Salihamixhiqit është tonalitet me shumë kuptime e karakteristika, prej nga shquhet imagjinata e karakterit kreativ dhe poetik, njëkohësisht. Ajo i referohet shpirtit estetik, për aq sa i dedikohet edhe intelektit dhe gnoseologjizmit inteligjibil, përkatësisht njohjes teoriko-praktike. Dhe, mbi këtë substrat imagjinativo-poetik, Nysreti ndërton universin e tij pikturalo-vizatimor të quajtur ‘Loja’, të cilin po e artikulon tash e gjysmë shekulli”, ka shkruar në parathënie të katalogut, piktori dhe kritiku i artit, Mustafa Ferizi, i cili u nda nga jeta para disa ditëve.