E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eni sipas Enit

Karriera ime në TVSH filloi në vitet ‘95-’96, kur, ndërsa ndiqja Fakultetin, punoja edhe si bashkëpunëtore në programet e kulturës. TVSH ishte i vetmi televizion në atë kohë dhe periudha për të cilën flas përkon me fillimin e transmetimeve në mesditë të TVSH me programe të reja, duke e zhvendosur transmetimin nga ora 18 deri 22.00 dalëngadalë në 24 orë transmetim. Pas gati dy vjetësh në këto emisione, kalova me një konkurs si moderatore e edicioneve të lajmeve, të cilën e përdora më pas si një urë lidhëse për t’u integruar në botën e gazetarisë televizive, botë në të cilën jam dhe sot. Karriera ime në TVSH është rritur natyrshëm. Kam filluar si reportere në terren për ngjarje nga më të ndryshmet. Do më duhej të rrija gjatë të kujtoja momente të punës sime, qoftë si reportere qoftë si moderatore e edicionit qendror të lajmeve të orës 20.00 për vite me radhë në televizionin e vetëm publik në vend, çka e konsideroj një privilegj në karrierën time, pasi jam ulur krah moderatorëve më të rëndësishëm të historisë së televizionit në Shqipëri. Po ashtu edhe sfida e drejtimit të departamentit të informacionit në radiotelevizionin shqiptar ka qenë për mua një shkollë profesionale dhe jetësore. Sot ndihem mirë që të gjitha këto sfida kanë farkëtuar tek unë një ndjenjë përgjegjësie ndaj punës dhe marrëdhënie konstante me teleshikuesin, që më shërben çdo ditë në punën time. E lashë TVSH në vitin 2005, si kryeredaktore e departamentit të informacionit, moderatore e lajmeve të orës 20.00 dhe drejtuese e të vetmit emision politik të televizionit publik. Vendosa të largohem me mendimin se çdo cikël jetësor përfundon një ditë dhe mirë është që dita të jetë kulmore. Dhe në fakt, kur jam larguar kam qenë në kulm të karrierës sime brenda institucionit. Dëshira për një eksperiencë të re më bëri të pranoj ofertën e TV Alsat, ku karriera ime njohu po ashtu atë rritje të natyrshme, që kisha dashur gjithmonë të arrija si rezultat i një formimi dhe konsolidimi si profesioniste dhe kurrë për shkak të rrethanave dhe koincidencave. Jam e lumtur të pohoj se gjithçka në karrierën time e kam fituar me shumë këmbëngulje dhe punë, pa asnjë kompromis me profesionin, duke besuar se një gazetar mbrohet vetëm nga pastërtia e emrit të tij dhe është e vetmja garanci e jetëgjatësisë në këtë profesion. Prej pesë vitesh emisioni politik Studio e Hapur që ideoj dhe drejtoj është një nga forumet më të rëndësishme ku formësohet mendimi dhe debati politik. Çka e bën një markë me garanci këtë emision, është kujdesi për përfaqësimin e çdo këndvështrimi politik, larg shpërfaqjeve partizane të gazetarisë nga të cilat vuan tashmë media në Shqipëri. Bashkëngjitur kësaj filozofie qëndron fort mendimi intelektual i cili gjen në studion e hapur një mundësi për të treguar vetveten dhe për t’u vënë në shërbim të shoqërisë. Aktorët më të rëndësishëm të politikës, nga Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, kryetari i opozitës, ministra e deputetë të çdo kahje intelektuale, mendimtarë, ekspertë dhe teknicienë do vazhdojnë të gjejnë te Studio e hapur një partner serioz dhe profesional për të përçuar realitete.

Televizioni si shtëpi

Një miku im më thotë shpesh që, nëse ka një vend ku ndihem rehat, është përpara kamerave. Ti në televizion, më thotë, je në habitatin tënd natyror. Me pëlqen ky përkufizim dhe e gjej veten në të. Televizioni është shtëpia ime.

Në këto muaj që kam punuar punuar për të krijuar një staf më të madh në Albanian Screen kam takuar shumë profesionistë, kam parë shumë projekte, por kam takuar edhe shumë të rinj që duan të kenë një mundësi për t’u bërë pjesë e botës së televizionit. Kam lexuar shumë cv gjithashtu. Por kam parë me dyshim çdo cv që televizionin e shohin si një mundësi punësimi. Televizioni nuk është kurrë vetëm një punë. Personalisht nuk e konsideroj asfare të tillë. Të punosh në TV, dhe e kam fjalën për stafin kreativ sidomos, është përtej këtyre përkufizimeve. Televizioni është pasion, është ardhmëri. Televizioni është një gjuhë e veçantë, që jo gjithkush mund ta flasë dhe kur vendos ta bësh tënden harron çdo komunikim tjetër.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›