E Shtunë, 31 Tetor 2026

Loja tinëzare me dosjet e Sigurimit të Shtetit

Fillimi i vitit ‘91 e mbas kësaj periudhe, struktura e ish-Sigurimit të Shtetit u trondit aq shumë, sa të gjithë u fshehën skutave. Shumë nga këta persona ikën në vendet komuniste ku filluan lidhjet tregtare. Po të dëgjoje se çfarë thoshte atëherë PD-ja ose e djathta, me të vërtetë duhej besuar se do bëhej “kërdia” ndaj ish-sigurimsave dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Nuk vonuan dhe u krijuan komisione të veçanta shtetërore për pastrimin e figurave. Mirëpo askush nuk u prek nga ky kontigjent, madje u bënë deputetë, ministra, ambasadorë, drejtorë e ku di unë se ku nuk u fut Sigurimi i Shtetit. U nxor dhe një ligj 24/1 për të besuar populli, i interesuar se do të goditeshin vrasësit e tyre. Mbas komisionit të parë u krijua një tjetër komision. Thënë troç: vinin socialistët në pushtet krijonin komisionin e tyre dhe vinin demokratët në pushtet krijonin komisionin tjetër. Secili komision nuk e shkelte marrëveshjen dhe komisionin që u leverdiste të dyja forcave politike.

Po cila ishte kjo marrëveshje? Të dy krahët lëshonin vërtetime për pastërtinë e figurave që u kërkohej, paçka se të tilla figura të përdhosura kishin dalë dëshmitarë, kishin dhënë informacion të vazhdueshëm në dëm të një tjetri apo kishin bërë akt-ekspertiza duke dënuar njerëz të pafajshëm. Partia që e kërkonte e bënte deputet. As nga e majta, as nga e djathta nuk u vu gishti mbi personat përgjegjës të zhytur në gjak. Përkundrazi, këta "të dalluar" dekoroheshin për punë të mirë. Çfarë pune të mirë? Kishin varur njerëz, kishin vrarë njerëz, kishin internuar dhe syrgjynosur familje të tëra. Askush nuk u bë përgjegjës. Po kush i përkrah këta? Kjo dihet, shteti.

Në çdo kohë, kur afrohen zgjedhjet, e djathta çohet e çirret e më shumë ata që janë me damkë (pseudonim), pa krijojnë komisione nga dy partitë e mëdha të garantuar për të mbrojtur njëri-tjetrin ose kompromisi është: Ne duam X-in, - thotë e djathta. Po, - përgjigjet e majta, - dakord, po ne duam Y-in të dalë i pastër. Këto lojëra luhen në kurrizin tonë. Po sa herë luhet kjo valle? Në çdo 4 vjet. Disa njerëz të dyshimtë me pushtet, ministra, për të mbuluar spiunllëqet e njëri-tjetrit, propozohen në komision. Pse nuk propozohen të marrim pjesë dhe ne të dënuarit? Pse ne duhet t'i besojmë ata, kurse ata nuk na kanë në llogari fare? Deputeti çfarë është fundja? Një njeri që sa merr mandatin, fillon e merret me tendera, fillon vilën apo hotelin në bregdet, blen dyqane, rregullon nëpër punëra fitimprurëse të gjithë sojin dhe sorollopin e tij. Farë e fisin, nipër e mbesa me bursa e vende pune të rehatshëm. E pse u dashka besuar ky deputet që duhet të futet në komisionin e pastërtive të figurave? Po këta komisionarë, kush do t'i kontrollojë? Madje tjetra, pse në disa raste e djathta miraton ligje pa e përfillur të majtën. Sa herë kanë interesa personale dhe pa e pasur në kompetencë fare, pa e diskutuar as në grupet parlamentare, bëhet ligji si e duan vetë. Po në këtë rast pse nuk veprohet pa konsensus, pse duhet pyetur opozita kur dihet se ata nuk duan? Në vendet lindore (komuniste) gjithmonë është ngarkuar e djathta për hapjen e dosjeve, ndërsa këtu e djathta pyet të majtët. Çfarë do të thotë kjo? Kjo është e qartë se e djathta nuk do aspak ta bëjë këtë ligj, sepse në mos janë vetë spiunë, kanë miqtë, shokët e tyre, farë e fis.

Shumë herë kam parë në televizion që merren deputetë spiunë apo instituti i të përndjekurve që janë spiunë të ndyrë e pyeten: Çfarë mendimi keni ju, të hapen apo jo dosjet e Sigurimit të Shtetit? Jo, - përgjigjet Preç Zogaj, - të mos hapen dosjet se do bëhet hataja. Dhe spiunët e institutit nuk janë dakord se janë vetë. Ç'është kjo lojë? Po për Diana Çulin çfarë dosjeje do hapni ju zotërinj? Po për Koço Petritin, çfarë dosjeje do të hapet? Të gjithë e dinë se çfarë dëmi ka bërë ky spiun. Apo Myzafer Xhaxhiut kush nuk i ka dhënë dekoratë këtij "mjeshtri" të Sigurimit të Shtetit. Francezi dekoratë, greku dekoratë, Mejdani dekoratë. Çfarë bëhet?! Po ku po vemi!? Sapo zgjidhet Presidenti, punën e parë që bënë dekoron, por kë? Atë më kriminelin, më komunistin, po se po. Kjo ndodh sepse ju të nderuar deputetë apo Presidenti veç lidhjeve miqësore apo të biznesit nuk e njihni dhimbjen dhe as doni ta dini se ne të sakatuarit e braktisurit jemi shqiptarë, e jo vetëm sigurimsat e vrasësit që kanë lidhje komuniste duan të jetojnë, por edhe ne. Si s'menduat një herë për këtë shtresë? Neve na dhemb shpirti nga plagët e marra nga ata që përkrah shteti, kaq dhimbje kemi ne e vuajtje shpirtërore, aq sa ndieni ju zotërinj kur humbisni një tender. Them këtë se të vetmen "dhimbje" që ndieni e njihni ju, është humbja e një tenderi. Ne jua besojmë këtë, gjithsesi, po të doni që t'ia nxirrni lakrat njëri-tjetrit dhe fytyrën e vërtetë se sa nëpunës janë sot të Sigurimit duhet që në komision të marrim pjesë dhe ne. Sigurimi famëkeq ka pjesën e tij të krimit në shtet.

Unë personalisht, kam mbaruar punë me dosjet e Sigurimit. Ua kam dhënë me qindra herë në shtyp dhe shteti s'ka vënë ujin në zjarr fare, por i ka shpërblyer me para e dypunësim vrasësit e Vilsonit dhe Gencit. Dhe as keni menduar të ndërmerrni një veprim të tillë. Djali i kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, Hysen Faqolli, ka firmosur për Gencin dhe Vilsonin, është ulur këmbë kryq në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Të birin e Spiro Lerës nga Korça, që ka torturuar Genc Lekën, e keni çuar atje ku vidhet më shumë (në Ministrinë e Financave). Një nga hetuesit e torturuesit e Vilson Blloshmit, Petrit Azemaj, e ka marrë Ermir Dobjani. Shumë operativë e sigurimsa të tjerë i keni ngjeshur në SHIK e nëpër dogana e komisariate. Kjo tregon qartë se sa të kujdesshëm jeni treguar me bijtë, bijat, nipërit e komunistëve. Janë të gjithë të punësuar e me rroga të majme, nga ana tjetër ne presim duke ndjekur si dhelpra dashin, hë këtu e hë atje. Unë do t'i drejtohem Zotit me një urim për të gjithë ata që kanë grabitur, vjedhur e vënë pasuri të pandershme e pa djersë: Të mos u lejojë kohë e kushte t’i hanë, por i shpenzofshin e mos gjetshin derman! Si të doni luajeni vallen e dosjeve, se dhe ne i kemi thirrur mendjes. Në qoftë se pushteti do merret me vota, ju do ta ndieni se sa jemi ne. Në qoftë se pushteti do merret me marrëveshje, atëherë ne jemi me të vërtetë të pallogaritshëm për ju. Gjithsesi, ju "luajeni" këtë valle, ne ju përgjigjemi.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›