E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojë e rrezikshme me Krizë

Profesorë, rektorë, gazetarë, politikanë, profanë dhe dijetarë kafenesh, ekonomistë me kurse të vonuara dhe “mastera” pa emër, djelmosha të rritur që kush nuk u ka thënë kurrë “puna e mbarë”, në tavolina me “look” në tv dhe faqe gazetash, mesa duket sa herë që flasin për krizën ekonomike botërore nuk duan t’u shpëtojë rasti për të bërë profesionistin dhe profetin e zi. Duke kërkuar jo rastësisht në internet, që në klikimet e para hasa në shumë faqe interesante mbi krizën botërore ekonomike, por askund nuk gjeta diçka që të mund të justifikonte gjithë çka thuhen këtu brenda për përfshirjen e vendit tonë në këtë krizë dhe në fakt nuk ishim të vetmit. Ndërmjet faqeve, për ilustrim, zgjodha më të thjeshtën që vërtetë do të kisha dëshirë ta pasqyroja vizualisht në këtë shkrim, por për shkak të përmasave, po jap vetëm linkun dhe cilido mund ta shohë vetë si kuriozitet (http://en.wikipedia.org/wiki/Financial_Crisis_2008 ). Me pak fjalë në këtë faqe ndër të tjera paraqitej një hartë bote, ku të gjitha shtetet tregohen me ngjyra të ndryshme sipas shkallës së përfshirjes në krizë. Ngjyrat varionin nga e kuqja e ndezur deri tek bluja e ftohtë. Për çudi Shqipëria ishte e ngjyrosur me blu, me shpjegimin e vendit të papërfshirë në krizë, me rritje dhe jo rënie ekonomike. Por megjithatë le ta bëjmë pyetjen, a jemi në krizë dhe nëse nuk jemi, pse? Nga argumentimet e ndryshme nga ana e atyre që përmenda në fillim të këtij shkrimi përgjithësisht nuk jepet argument tjetër veç atij të zvogëlimit të remitancave që e kanë burimin në vendet e zhvilluara ku ka me shumicë emigrantë shqiptarë dhe bashkë me këtë fenomen kemi një prishje të balancës në bilancin valutor. A mjafton vetëm kjo për t’u zhytur vendi në krizë? Mendoj që jo, për arsyen e thjeshtë se edhe vetë ky argument nuk është i plotë, pa ditur mirë strukturën e burimeve të këtyre të ardhurave, pasi e dimë po aq mirë që sado në krizë të jenë evropianët ata përsëri do të vazhdojnë që punët e rëndomta të shërbimit t’ua lënë emigrantëve të huaj. Por edhe sikur për një moment ta marrim të mirëqenë zvogëlimin e kësaj kategorie të ardhurash në valutë, mund të themi se ky nuk është blloku i vetëm dhe më i rëndësishëm i hyrjeve në valutë në rang republike dhe nuk mund të përmbysë tendencën e rritjes ekonomike. Po aq sa nuk besoj se në vend nuk prodhohet asgjë dhe për rrjedhojë shqiptarët janë të varur totalisht nga puna e njerëzve të tyre që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit, të thuash këtë do të thotë të mohosh pa argument faktin që shqiptarët harxhojnë energji, punojnë dhe derdhin djersë duke qënë të përgjegjshëm për veten e tyre, familjet dhe shoqërinë. Edhe globalizmi në këtë kontekst nuk mund të jetë argument kryesor i krizës, pavarësisht se si koncept njihet në të gjithë planetin, por nuk do të ishte e drejtë të thuash që globalizmi sot së bashku me efektet e tijë është i pranishëm dhe faktor përcaktues njësoj si në vendet e zhvilluara ashtu dhe në ato në zhvillim. Duam apo nuk duam ne, ekonomia shqiptare që përfaqëson në vetvete jo vetëm pjesën formale të saj, në pjesën më të madhe është e vetëmjaftueshme për shkak të pamundësisë për tu influencuar, për shumë arsye, jashtë komuniteteve të mbyllura brenda vendit. Mjafton të përmendim fshatin shqiptar në zonat e varfra që duke qenë relativisht më i varfër dhe i pazhvilluar në raport me qytetin, shumicën e produkteve dhe të shërbimeve i plotëson në cikël të mbyllur me influenca minimale ndaj goditjeve që mund të vijnë nga jashtë. Bota është në krizë dhe për këtë nuk ka koment, por sistemi bankar i sofistikuar amerikan që e nxori në shesh fenomenin nuk ka asgjë të përbashkët me sistemin bankar në Shqipëri i cili falë kritereve të rrepta në kredidhënie dhe thjeshtësisë të produkteve të tij paraqitet i shëndetshëm, likuid dhe me një portofol shumë të mirë të kredive të këqia. Pra me pak fjalë atë defiçit valutor që krijohet objektivisht për shkak të uljes së remitancave do të mund të plotësohej në masën më të madhe edhe me anë të kreditimit nga ana e bankave në vend për biznesin dhe huave qeveritare nga jashtë për nevojat e investimeve publike, pasi nevojat tona për valutë në shkallë kombëtare janë të papërfillshme qoftë edhe për një bankë të vetme të huaj. Nëse do të merrnim si të vërteta thashethemet se bankat në vend janë banka me pronarë të huaj dhe si të tilla do të arrinin të transferonin shuma të mëdha valute në rrugë joligjore me arka e valixhe do të ishte naivitet, pasi një fenomen i tillë do të vihej re menjëherë nga ana e supervizionit të Bankës së Shqipërisë që padyshim do ta ndalonte këtë rrjedhje me mjetet që i jep ligji, por edhe për faktin se bankat mëma të bankave të huaja rezidente në Shqipëri i kanë të papërfillshme këto shuma dhe vështirë se luajnë ndonjë rol të qënësishëm në mbarëvajtjen e tyre. Jo rrallë si shkak i krizës përmëndet edhe prishja e ekuilibrit në bilancin import-eksportit; rritet relativisht importi në raport me eksportin dhe valuta për përmbushjen e nevojave të importit mungon, si pasojë valuta rivlerësohet në krahasim me monedhën vendase. OK, e drejtë po qe se do ta konsideronim Shqipërinë një vend të zhvilluar konsumist, por fakti është e kundërta. Konsumet tona janë modeste, përgjithësisht janë importe ose të lëndëve të para për prodhime të exportit, ose për produkte të nevojës së parë në sasirat e një konsumi të domosdoshëm. Po eksporti? Në këto kushte, kur kriza botërore godet konsumin, çmimet e produkteve të importuara ulen dhe rrjedhimisht ulet kostua e produkteve për export ashtu dhe kostoja e jetesë së masës së popullit për produktet e domosdoshme. Në anën tjetër kemi ndërmarrjet e exportit që për shkak të uljes së kostos të lëndëve të para të importuara prodhon me kosto më të ulët dhe rrjedhimisht bëhen më konkurruese, aq sa siç kemi dëgjuar kohët e fundit mund të bëhen atraktive në atë masë, sa prodhues deri tani me fason të kalojnë me cikël të mbyllur (duke përjashtuar dinamikën e natyrshme të vetë biznesit). Në momentin që treguesit ekonomikë dhe financiarë fillojnë e ndryshojnë edhe indikatorët e aktivitetit duhen “lexuar” pak më ndryshe se më parë. Në këtë rast mjafton të përmëndim vetëm një shëmbull të kuptueshëm për të gjithë; megjithëse volumi i importit/exportit në natyrë mund të rritet ose të ulet, vlera monetare e tij mund të variojë në kahje të kundërt në krahësim me periudhat e mëparshme për shkak të ndryshimit të çmimeve. Një specialist i ekonomisë që njeh teknikat e llogaritjes dhe interpretimin e shifrave mund ta thellojë arsyetimin edhe më shumë duke treguar realisht që ekonomija është një shkencë e cila në të vërtetë e ka të ndrydhur përmbajtjen, pavarësisht nga larmia e formave që mund të paraqitet dhe se krizat, si rregull, përfshijnë vëndet e zhvilluara që i nënshtrohen plotësisht rregullave të lojës të ekonomisë së tregut në të gjithë gamën e produkteve dhe dukurive. Do të ishte mungesë modestie të pretendohej që brenda një shkrimi të thuheshin të gjitha ose ndonjë gjë që nuk është thënë diku më parë, por sidoqoftë, e them me siguri se deklaratat politike për paketa masash imagjinare apo ndryshime sistemesh të shoqëruara me emra ekonomistësh të mëdhenj prorregullatorë apo derregullatorë, jo vetëm që do të ishte pretendim i tepërt nga autorët, por mund të konsiderohet si shantazh ndaj një populli të tërë. Përsa i përket indikatorit të vërtetë jemi apo nuk jemi në krizë edhe pse është një mjet politik, do t’i lihet popullit ta gjykojë më 28 Qershor. Deri atëhere është e mira që krijimi i psikozave të një të nesërmeje të pasigurtë të evitoheshin, pasi është një lojë e rrezikshme antikombëtare dhe se ky popull boll ka vuajtur dhe po vuan dhe nuk ia ka borxh askujt që t’i vrasë shpresën europiane dhe t’i prishë gjakun për interesat politike meskine të një grupi çfarëdo.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›