Çfarë duhet të na kujtojë anëtarësimi i Shqipërisë në NATO
Në Prill të vitit 1949, 60 vjet më parë, u formua Aleanca e Atlantikut të Veriut, si përgjigje ndaj kërcënimit dhe ekspansionit komunist. Kur akoma nuk ishin ftohur grykat e armëve nga Lufta e Dytë Botërore kundër fashizmit, një kërcënim tjetër real po i kërcënohej botës. Në pothuajse gjysmën e Europës një sistem tjetër akoma më mizor se fashizmi, ai komunist, kishte vendosur regjimin e diktaturës dhe nga dita në ditë po bëhej një rrezik real për shtrirjen dhe pushtimin e të gjithë botës. Bashkimi Sovjetik që doli nga lufta si palë fituese po e shtrinte hegjemoninë e tij agresive në Azi, Afrikë, Amerikën Latine dhe po kërcënonte edhe vendet e tjera të Europës Perëndimore. Ndërmjet lindjes komuniste dhe vendeve demokratike të Perëndimit u vendos e ashtuquajtura “perde e hekurt”.
Në këto kushte u formua NATO, aleanca më e fuqishme mbrojtëse në botë. Qëllimi për të cilën ajo u krijua është “të jetë ruajtëse e lirisë, civilizimit dhe trashëgimisë së përbashkët të anëtarëve duke promovuar stabilitet dhe mirëqenie”. Misioni i kësaj aleance ishte sigurimi i anëtarëve të saj përmes mjeteve ushtarake dhe politike. Një sulm i armatosur ndaj njërit vend konsiderohej si një sulm ndaj të gjithëve. Në krijimin e saj, Aleanca përfshinte 12 vende demokratike të Perëndimit dhe drejtohej nga fuqia më e madhe ekonomike dhe ushtarake e botës, njëkohësisht edhe vendi më demokratik në rruzullin tokësor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 1952 në NATO u pranuan edhe Greqia e Turqia, ndërkohë shumë shpejt anëtare e saj do të bëhej edhe Gjermania Perëndimore. Në këtë kontekst “bota e lirë” po intensifikonte veprimet e veta, jo vetem në mbrojtje të lirisë dhe sovranitetit të vendeve anëtare, por po shikonte mundësinë e çlirimit të kombeve të robëruara të lindjes nga regjimet barbare komuniste.
Për fatin e keq tonin, Shqipëria kishte mbetur nën pushtimin e një regjimi diktatorial, më të egrin në historinë e saj. Enver Hoxha, diktatori komunist po ushtronte kundër popullit një gjenocid të shfarosjes masive të atyre që ai në paranojën e tij prej krimineli i konsideronte si kundërshtarët e tij politik. Qindra mijëra të tjerë ishin ndjekur nga regjimi dhe kishin gjetur strehë në vendet demokratike të Perëndimit. Në këtë pikëpamje Shqipëria konsiderohej si vendi që regjimi komunist po eksperimentonte krimet makabre për të nënshtruar popujt nën diktaturë. Nga ana tjetër Shqipëria konsiderohej edhe si porta hyrëse në “perden e hekurt” dhe si bazë për çlirimin e popujve të tjerë të robëruar të lindjes komuniste. Në Europën Përendimore ishin të strehuar qindra emigrantë antikomunistë, ajka e djalërisë dhe e inteligjencës së kombit shqiptar, të gatshëm për sakrificat më sublime për të çliruar Atdheun e tyre nga diktatura komuniste. Ishin këto arsyet që SHBA dhe Anglia projektuan dhe filluan të zbatonin një plan për çlirimin e popujve të pushtuar nga komunizmi. Dhe ky plan filloi të implementohej pikërisht me Shqipërinë. Paralelisht me krijimin e NATO-s, në vitin 1949 u formua në Romë, Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. Në krye të këtij Komiteti u zgjodh Mit’hat Frashëri, patrioti dhe nacionalisti i dalluar në përpjekjet e tij për lirinë e Shqipërisë, pinjolli i derës së madhe të Frashërllinjve dhe i biri i Abdyl Frashërit. Me mbështetjen, financimin dhe drejtimin e qeverive të Anglisë dhe SHBA-së u projektuan dhe filloi zbatimi konkret në drejtim të planeve për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri. Në këtë drejtim një ndihmë të veçantë në përzgjedhjen e misionarëve që do të zbarkonin në Shqipëri për të organizuar popullin në një kryengritje të përgjithshme për përmbysjen e regjimit komunist, ka dhënë edhe Komiteti “Shqipëria e Lirë”. Në Mynih të Gjermanisë Perëndimore u grumbulluan më shumë se 250 të rinj nga emigracioni politik shqiptar në Europën Përendimore, çka përbënin atë që u quajt “kompania 4000”. Në një stërvitje intensive nga specialistët më të mire ushtarakë amerikanë, ata po përgatiteshin të zbarkonin nga toka dhe ajri në Shqipëri. Qendra të tilla rekrutimi dhe stërvitjeje kishte edhe në Maltë etj. Në këtë kuadër filloi zbatimi konkret i planit me zbarkimin e desantëve nga ajri dhe toka. Në kohën për të cilën po flasim, në Shqipëri ishin të vendosur më tepër se 2000 të ashtuquajtur specialistë sovjetikë, të shpërndarë në Ministrinë e Brendshme, atë të Mbrojtjes dhe kudo nëpër institucione, por që në fakt ishin agjent të shërbimit sekret sovjetik që drejtonin dhe kontrollonin të gjith veprimtarinë e shtetit komunist. Infiltrimi i agjentit sovjetik Kim Filbi në shtabin e operacionit anglo-amerikan, bëri atë që të gjitha zbarkimet nga ajri dhe toka të raportoheshin në Moskë dhe të njoftoheshin agjentët sovjetikë në Shqipëri. Duke ditur vendin dhe orën e zbarkimit,lehtësisht u bë i mundur kapja dhe asgjesimi i grupeve si edhe loja e organizuar nga shërbimet sekrete sovjetike në Shqipëri. Si rezultat i tradhtisë së Filbit, u kapën dhjetra luftëtarë antikomunistë dhe dhjetëra të tjerë u nxorën përpara gjyqeve që ia kalonin nga terrori edhe gjyqeve të inkuizicionit mesjetar në britmat histerike të turmave dhe të xhelatëve komunist. Ata iu nënshtruan torturave më çnjerëzore të xhelatëve të ish-Sigurimit komunist që mendja e njeriut nuk mundet t’i imagjinojë dhe vdiqën si heronj. Por nga ana tjetër me qindra e mijëra njerëz të tjerë të familjeve dhe të afërmve të këtyre u burgosën, u internuan dhe vdiqën nga vuajtjet dhe urija. Për afro një gjysmë shekulli kundër këtyre familjeve u eksperimentua e ashtuquajtura “luftë e klasave”,një vuajtje e tmerrshme pa kufi dhe çnjerzore.
Këto po më kujtohen sot, kur Shqipëria në 60-vjetorin e NATO-s po bëhet anëtare e saj. Dhe shtroj disa pyetje për historianët e politikanët, deri te Presidenti i Republikës. A ishin vallë këta njerëz që u vranë mizorisht këtu në Shqipëri dhe të tjerë që po përgatiteshin në Gjermaninë Perëndimore dhe kudo gjetkë misionarët e demokracisë? A mund të konsiderohen ata ushtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) që dhanë jetën dhe derdhen gjakun për çlirimin e popullit shqiptar nga diktatura? A është i njejtë vallë misioni i ushtarëve tanë në Irak, Afganistan etj? A ishin këta njerëz që dhanë jetën për të sjellë këtu në Shqipëri demokracinë dhe lirinë që po e gëzojmë sot, këtu e përpara 60 vjetëve? I bie që demokracia në Shqipëri të kishte ardhur në vitin 1949, 43 vjet përpara vitit 1992. Sa kohë kemi humbur! Në festën e kësaj ngjarjeje të madhe historike, kur Shqipëria e vuajtur gjatë gjithë historisë së saj, në përpjekjet e patriotëve dhe bijve të vet, që u sakrifikuan në altarin e lirisë, po rreshtohet në krahun e shteteve demokratike, në Aleancën më të fuqishme të botës, veçanërisht ne, ish-të përndjekurit politikë, jemi krenarë për vuajtjet tona në emër të lirisë. Ne jemi krenarë për baballarët tanë. Unë jam krenar për babain tim, që atje në Mynih të Gjermanisë Përendimore, ashtu si dhjetëra bashkëkombas të tij, ishte një ushtar i lirisë dhe i demokracisë, të cilën po e gëzojmë ne sot dhe e gëzofshin në shekuj brezat që do të vijnë.
Duke përkujtuar këto ngjarje, sa qesharake janë shkrimet e tipit Tozaj, Dodani&co që mbushin faqet e disa pseudogazetave, duke u thurur lavde kriminelëve dhe agjentëve të ish-Sigurimit komunist. Përpjekjet e tyre për të injoruar trimërinë dhe sakrificat e ushtarëve të lirisë janë të dështuara dhe tregojnë fytyrën e tyre si agjentë të Sigurimit kriminal komunist. Tranzicioni i stërgjatur i Shqipërisë postkomuniste tani ka marrë fund. Politika shqiptare pa humbur kohë duhet të vlerësojë realitetin. Presidenti i Republikës në vend që të dekorojë “shkrimtarët e kompozitorët e realizmit socialist”, në vend që të dekorojë ish-prokurorët, hetuesit dhe gjykatësit e diktaturës komuniste, duhet sa më parë të vlersojë ata që dhanë jetën dhe derdhën gjakun për lirinë dhe demokracinë.
Letra/Bibliotekat e vonuara të Edvin Ramës
Nga Fitnete Gruda
Vitin e kaluar shkollor MASH ka pasuruar bibliotekat e të gjithë shkollave të Tiranës. Këtë ka vazhduar ta bëjë sërish edhe këtë vit shkollor në disa shkolla të tjera. Për çudi pas nismës “Një qytetar-një pemë”, që sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës po arrin shumë suksese, z.Rama ka ndërmarrë një nismë tjetër: - “Dhuro një libër”. Këtë e nisi me ngritjen e bibliotekave në dy shkolla të kryeqytetit. Ndoshta me këtë, kryebashkiaku ka patur parasysh thënien e Gorgit: “Libri është një dritare nëpërmjet së cilës njerëzit shohin botën”. Por, nëse do të ishte kjo, z.Rama duhet ta kishte bërë kohë më parë. Them kështu pasi është i treti mandat që ai po mban si kryebashkiak. Po kujtojmë që në shumë nga shkollat e kryeqytetit nuk është instaluar ngrohja; në shumë shkolla palestrat janë jo funksionale; në shumë shkolla ambientet e jashtme janë të pasistemuara edhe pse ka vend për të krijuar terrene sportive. Në këto vite janë ndërtuar shumë pak shkolla të reja, të cilat janë shumë të nevojshme për të ulur numrin e nxënësve në shkollat e mesme; në disa shkolla mungojnë ambiente për dentistin, mjekun, punonjësin social, Qeverinë e nxënësve që rrjedhimisht flasin për nevojë për shtesa në këto shkolla. Për t’i realizuar të gjitha këto, në tëre këto vite, nuk është menduar. Kësisoj, duke iu referuar kohës së zbatimit të kësaj nisme, me të drejtë mund të mendojmë që kjo (nisma) nuk është gjë tjetër veçse në funksion të fushatës për zgjedhjet e qershorit. Por është për të ardhur keq kur kjo fushatë bëhet me nxënës. Le të bënte z.Rama këto që përmendëm më sipër dhe së bashku me to, le të ngrinte këto biblioteka të ashtuquajtura bashkëkohore, sipas tij, e me të drejtë mund të bënte fushatë duke listuar arritjet për shkollat në një takim me komunitetet.
Teksa u prezantonte gjimnazistëve bibliotekën, z.Rama bëri një humor me vajzat. Vërtet humori është një cilësi për të qenë një politikan i suksesshëm, dhe shpesh ai (humori) u nevojitet për të dalë nga një situatë e “sikletshme”, por aspak me adoleshentë. Tek shihja që humorin e kryetarit, nxënësit e merrnin sipas mënyrës së tyre të çiltër, do t’i thoja z.Rama, që të vazhdonte të bënte fushatë, sepse është detyra e tij si kryetar partie, por jo me fëmijët dhe jo në rolin e kryetarit të Bashkisë, pasi me fëmijët ai mbetet debitor. Po edhe nëse s’do ishte i tillë ,fushatën ta bënte me prindërit e tyre (nxënësve). Si u ndje z.Rama përpara nxënësve, teksa e ndiqnin bisedën e tij, pa menduar qëllimin e tij në atë takim, sepse ato as duan t’ia dinë për politikë?!! Të gjitha këto i rreshtova për t’i përcjell mesazhin në trajtë thirrjeje: - I lini nxënësit në botën e tyre! I lini ta jetojnë adoleshencën në mënyrën e duhur! Mos i ngatërroni fëmijët me politikë!
Autorja e letrës është Drejtoreshë e shkollës “Xhezmi Delli” në Tiranë
Ka rrezik që vetë Fërçkovski t’ia sigurojë zgjedhjet Gruevskit
Nga Branko Geroski
Padyshim se gjithçka është thënë për parashikimet spekulative dhe të rrejshme të një pjesë të agjencive maqedonase për hulumtimin e opinionit publik, anketat e të cilëve duket se ishin paramenduar të ndikojnë në disponimin e votuesve në dobi të partisë në pushtet. Socialdemokratët i ftuan që t'i mbyllin dyqanet e tyre, kurse këta në mënyrë komike u arsyetuan me kinse disponimin e paparashikueshëm të votuesve të luhatshëm. Por, shumica e anketave më bënë të qeshem me interpretimet e "ekspertëve" lidhur me rezultatet zgjedhore që i dëgjojmë këtyre ditëve.
Teza e parë qesharake në të vërtetë është tentimi si lajtmotiv për krahasim dhe përcjellje të ndryshimit të disponimit zgjedhor që të llogariten zgjedhjet presidenciale të vitit 2004 dhe zgjedhjet e vendore të vitit 2005. Natyrisht, kuptimi i kësaj është që të tregohet se VMRO- DPMNE në pushtet triumfalisht fitoi në rrethin e parë të këtyre zgjedhjeve. Analistët që e mbështesin këtë pasqyrë nisen nga paramendimi se ndërkohë, gjatë këtyre katër, përkatësisht pesë vjetëve, në skenën politike maqedonase nuk ka ndodhur asgjë.
Duhet të harrojmë se VMRO-DPMNE fitoi në zgjedhjet e vitit 2006 dhe në zgjedhjet e parakohshme të vitit të kaluar, për të cilat u angazhua vetë. Duhet t'i mënjanojmë nga kujtesa premtimet që gruevskët i shtuan para kësaj kampanjë - se do të shkrijnë opozitën, se Gjorgji Ivanov do të fitojë në rrethin e parë, se Lubomir Fërçkoski do të humbë, se Lube Boshkovski do të përjetojë debakël, se Imer Selmani do të shkelet nga makineria e BDI-së dhe se LSDM-ja do të zhduket nga skena politike.
Ç'ndodhi me rejtingun në ngritje?/Por, edhe anketat e agjencive tona joserioze treguan se rejtingu i partisë në pushtet bie ose stagnon në kohën e kampanjës së shtrenjtë dhe të ashpër, kur në parim pritet që rejtingu të rritet. Sido që të jetë, lajtmotiv i vërtetë për përcjelljen e trendit të besimit të elektoratit në politikat qeveritare mund të jenë vetëm rezultatet nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të vitit 2008. Vetë Gruevski në deklaratën e parë pas "triumfit zgjedhor", këto zgjedhje i quajti si deklarim edhe për politikat e qeverisë. Më këtë, ai qartë e përcaktoi lajtmotivin për krahasim. Kurse shprehja e fytyrës së tij tregoi se vozhdi nuk ishte aq i lumtur nga ajo që u realizua.
E si të jetë? Është fakt se 340 mijë votat e fituara, në krahasim me zgjedhjet e kaluara, Ivanovi i solli një minus prej 140 mijë vota. Agjitpropët e VMRO-DPMNE tani mundohen t'i paraqesin së të "tyre" votat që i fitoi Lube Boshkovski, njeriun të cilin e pështynë kudo që arritën. Bashkë me votat e vëllait Lube, VMRO - DPMNE, do të mund të gëzohet se e ka arritur rezultatin nga zgjedhjet e kaluara parlamentare (480 mijë vota). Atëherë ku është rejtingu në rritje permanente?
Të habitur dhe në panik, megafonat medial të tij, tani përhapin një rrëfim të ri, se gjysma e 150 mijë votave fantastike të Boshkovskit qenë të LSDM-së. Bre! Unë me të vërtetë nuk e kuptoj se pse Gruevski i paguan "analistë" të tillë. Nëse është e vërtetë ajo çka e thonë ata, kjo në mënyrë eksplicite do të thotë se partia në pushtet pranon zvogëlimin prej së paku 70-80 mijë vota, që është një rënie serioze e rejtingut. Dhe ja, Gruevski edhe këtë rezillëk do të duhet ta pranojë vetëm që të shmanget vëmendja e opinionit nga fakti se 150 mijë vmrovcë, të pakënaqur nga politika aventureske e Gruevskit, u përcaktuan për Boshkovskin. Pse? Sepse, për dallim nga Ivanovi perlë, i cili nuk pati qëndrim për asnjë çështje të rëndësishme politike, Boshkovski u paraqit nga një pozitë e arsyeshme dhe shtetërore për çështjen kryesore - kontestin delikat me Greqinë dhe perspektivën tonë euro-atlantike.
Sado që të inkurajohen, vmrovcët nuk mund të fshehin faktin se të gjithë kandidatët tjerë për president, pos legjendës së tyre, qëndruan në pozitë që ishte kundër politikës bukefaliste të Gruevskit. Rreth 550 mijë vota të zgjedhësve për politike realiste aktive proevropiane përballë 340 mijë votave për izolimin dhe përkushtimin deklarativ të procesit euro-integrues - ky është rezultati më i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve.
Grujo, përse i paguajnë "analistët"?/Edhe më argëtuese janë "matematikat" që bëhen për atë se kujt do t'i takojnë ato 300 mijë vota "të lira" nga saldoja e Boshkovskit dhe Selmanit. Me këtë, përballë dilemës së shtruar, plotësisht pajtohem me vlerësimin e Gruevskit se askush nuk i bart votat e fituara në xhep që t'ia ndajë atyre që i dëshirojnë. Gara në rrethin e dytë fillon sërish nga pika zero dhe secili fitues sërish do të mendojë se kujt do t'ia japë votën e tij. Por, për shkak të argëtimit, le ta ndjekim bashkërisht logjikën e "parashikimit" të "analistëve" tanë, të cilët me para të majme janë paguar. Nëse është e saktë se 70 mijë vota të Boshkovskit janë të LSDM-së, atëherë është e logjikshme që ato të përfundojnë në konton e Fërçkoskit. Por, nuk është logjikshme të pritet që të pakënaqurit me Gruevskin të votojnë për Ivanovin, sidomos jo pas ofendimeve të ashpra dhe atakut mbi ta dhe mbi të zgjedhurin e tyre. Edhe 40 mijë votat modeste të Nano Ruzhinit do të duhej ta ndihmonin Fërçkoskin. Shtrohet pyetja se vallë VMRO-DPMNE mund të llogarisë në votat e shqiptarëve - ndoshta një kontingjent prej BDI-së, pak nga Selmani dhe zero nga PDSH-ja e ekzekutuar e Menduh Thaçit. Nga ana tjetër, Fërçkoski me siguri mund të llogarisë në ato 56 mijë vota joshqiptare që i fitoi Selmani edhe në votat e disa shqiptarëve që nuk pajtohen me politikën e dyshes Gruevski-Ivanov.
Nëse tani bëjmë kalkulime të këtilla, duhet thënë edhe ajo se është e mundur që një pjesë e madhe e votuesve fare të mos dalin në ditën e zgjedhjeve. Boshkovski dhe Selmani tanimë janë shprehur se nuk do t'i ftojnë votuesit e tyre të përcaktohen. Agron Buxhaku publikisht e shprehu kushtin e BDI-së për përkrahje të Ivanovit - premtim i fortë nga Gruevski se në vitin 20014 kryetari do të jetë nga radhët e shqiptarëve (t'i fitojë lehtë Gostivarin dhe Tetovën dhe përkrahësit e Ahmetit do të mund të lavdërohen me triumf në zgjedhjet vendore dhe ndoshta do ta linin anash kushtin e rëndë - por, Rufi Osmani i theu në Gostivar, ndërkaq PDSH me forcat e fundit po lufton për Tetovën). Nëse bën tregti me BDI-në, Gruevski do të urdhërojë që shumë vmroistë të ngelin në shtëpi pranë ekraneve televizive. Plotësimi i censusit më së shumti do të varet prej LSDM-së. Është ironike, por afër të vërtetës: ai që me siguri mund ta sjellë në pushtet kandidatin e Gruevskit është pikërisht Fërçkoski. Ndërkaq, është e rendit që t'i shpaguhet më rregullimin e zmadhuesit të zërit.
Selmani dhe Lube duhet të formojnë parti/Objektivisht, bojkoti i zgjedhjeve mund të pengohet vetëm në dy mënyra. Njëra është që Gruevski të ofrojë premtime sekrete në anë të ndryshme, por parasegjithash shqiptarëve (është i paparashikuar, njeriu realizon dhe nuk luan majtap) dhe të zbatojë kampanjë edhe më të ashpër mediale, duke mos e lëshuar lopatën fare nga dora. Mënyra e dytë është që të mos bëjë asgjë të veçantë (lopata mbetet, gjithsesi) dhe të shpresojë se Fërçkoski do të rrezikojë dhe do të mundohet të formojë bllok pro-evropian, i cili do të tentojë ta mundë Ivanovin. Sinqerisht mendoj se koha është shumë e shkurtë dhe urat e besimit janë të shembura për zbatimin e një operacioni të këtillë delikat. Sido që të jetë, rezultati nga rrethi i parë paralajmëron ndryshime të thella në skenën politike maqedonase gjatë periudhës që do të pasojë.
Së pari, me 200 mijë vota në zgjedhjet për president dhe me 300 mijë vota për zgjedhjet vendore, në pritje të kthimit të Branko Cërvenkovskit, LSDM-ja po zgjohet nga letargjia dhe po kthehet në lojë. Me freskim të dukshëm kuadrovik në të gjitha nivelet, me definimin e programit të qartë ideologjik dhe me pasurimin e jetës politike, LSDM-ja prej dite në ditë do ta shtojë rejtingun e saj dhe do të fitojë simpatizantë të rinj, me çka do të verifikohet si udhëheqëse e opozitës maqedonase. Së dyti, Nikolla Gruevski duhet të kuptojë se rejtingu që e merr nga qytetarët është për harxhim, pse jo edhe buxhetin - për politikë dhe projekte. Nëse nuk e di, së shpejti do t'i tregohet se projekti më i rëndësishëm në karrierën e tij do të jetë arritja e kompromisit në kontestin me Greqinë, që ta çojë vendin në NATO, t'i filloje bisedimet me UE dhe ta demokratizojë Maqedoninë. Kohë më parë, përmes një bashkëpunëtori të tij, i dërgova porosi se sinqerisht dëshiroj t'i përgjigjet detyrës. Por, nëse edhe më tej çon inat, do të vazhdojë të bie.
E treta, Boshkovski dhe Selmani, secili me kapital prej 150 mijë vota, duhet të bëjnë parti serioze. Le të më falin për ashpërsinë, por me të vërtetë do t'i konsideroj si joseriozë nëse nuk e bëjnë këtë. PLD e Jovan Manasievskit, me përkrahje prej 40 mijë vota për Ruzhinin, është parti me katër deputetë në parlament. Kjo e dhënë, Lubes dhe Selmanit duhet t'u thotë diçka.
Të përfundoj. Pavarësisht se çfarë mund të ndodhë në rrethin e dytë të zgjedhjeve, është e qartë se në këto zgjedhje votuesit i bënë vërejtje të ashpër Nikolla Greuvskit, duke paralajmëruar rikomponim thelbësor të skenës politike në Maqedoni. Bile, edhe në këso rrethana jodemokratike në të cilat jetojmë, shikoni se çfarë mund të sjellë një ditë e mire e zgjedhjeve! Ndaj, kam frikë se dikush do të mund të mendojë se çfarë mund të ndryshojë një ditë e keqe e zgjedhjeve më 5 prill. Mos thëntë Zoti…
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”