E Diel, 1 Nëntor 2026

Korruptimi i votes...

E gjithë politika shqiptare është sot
dhe pikërisht sot më shumë se
kurrë e impenjuar tërësisht për të
folur mbase edhe për të zgjidhur
çështjen e madhe dhe të mbetur pezull të
reformës zgjedhore.
Këto ditët e fundit ka shpërthyer një
betejë dhe përplasje e pseudoerudicioneve
personale lidhur me çështjet e reformës
zgjedhore. Puna ka arritur deri aty
sa disa personazhe të konsideruar "ustallarë"
të reformave zgjedhore po bërtasin
shumë e më shumë lidhur me besueshmërinë
e ofertës së tyre, duke harruar vazhdimisht
se kanë qenë po të njëjtët protagonistë
të reformave të mëparshme të dështuara
dhe bipartizane me rezultate diskredituese
për ideuesit e zbatuesit e tyre
dhe opinionin e gjerë ndërkombëtar që na
sheh dhe na monitoron.
Është butaforike përcjellja mediatike e
qëndrimeve lidhur me reformën zgjedhore
ku shija e interesit të ngushtë e të vogël
personalo-partiak aspak vizionar është aq
e dukshme saqë nuk përbën më as lajm
dhe as kuriozitet.
Ka një thelb e gjithë kjo çështje e madhe
përtej sistemeve zgjedhore me etiketa të
ndryshme spanjolle, gjermane etj., etj.,
thelb i cili anashkalohet në mënyrë thellësisht
perfide dhe që është miradministrimi
i votës ose thënë më shkoqur zhdukja e
fenomenit shkatërrimtar të procesit të
manipuluar të votimit në Shqipëri dhe që
është korruptimi i numërimit të votës.
I analizuar në të gjithë thellësinë e tij
procesi i votimit ndër ne ka qenë viktimë e
vazhdueshme e korruptimit të numërimit
të votës, korruptim i cili duke abstraguar
sistemin zgjedhor të përdorur në asnjë
rast nuk ka treguar votuesit e vërtetë,
duke zhdukur mundësinë e analizës postelektorale,
targetet që votojnë njërën apo
tjetrën forcë politike etj.
Të gjitha strategjitë elektorale janë zhvilluar
dhe zhvillohen në një mungesë të
plotë të të dhënave të vërteta që përftohen
në mënyrë normale nga një proces
real votimi.
Të ndodhura përpara një situate të tillë,
partitë aplikojnë shpesh në mënyrë të
detyruar strategjinë e marrjes së çdo vote
dhe shpeshherë shpenzojnë shumë energji
për grupe popullate dhe komunitete
që nuk janë targeti i tyre real, ndërkohë që
në mjaft raste të tjera nuk orientojnë dot si
duhet punën dhe veprimin e tyre politikoelektoral
drejt atyre që janë targetet e natyrshme
të tyre, duke humbur kësisoj edhe
shumë nga mbështetja e natyrshme elektorale,
duke u futur për pasojë në qorrsokakun
e votave jopërfaqësuese, shumë
fluide dhe penalizuese për qëndrueshmërinë
e forcave politike.
I gjithë procesi i reformimit në themel
dhe i zhdukjes së fenomenit vrastar për
zgjedhjet, i korruptimit të numërimit të
votës nuk po merr peshën e duhur dhe për
të po flitet fare pak, për të mos thënë fare,
duke mos e konsideruar si një kryesfidë të
procesit zgjedhor.
Është logjike se ndryshimi i sistemit
zgjedhor dhe orientimi i tij kah një proces
më i thjeshtë, më përfaqësues dhe që krijon
ekuilibra dhe mazhoranca më të qëndrueshme
është një objektiv madhor. Por
është gjithashtu lehtësisht e kuptueshme
se në prani të korruptimit të numërimit të
votës, pra numërimit jo të ndershëm të saj
lehtësirat dhe rezultatet e përfituara nga
ndryshimi i sistemit zgjedhor do të ishin
minimale dhe thuajse të pandjeshme.
Është kaq e vërtetë, saqë shprehja e
partive politike sidomos kur ato janë në
opozitë që "do të mbrojmë me çdo kusht
votën" është edhe kuintesenca e procesit
zgjedhor. Sepse natyrshëm lind pyetja nga
kush do ta mbrojnë votën partitë, kush e
kërcënon atë? Përgjigjja është vetëm një.
Duhet mbrojtur votat nga korruptimi i procesit të numërimit dhe aplikuesit e pandershëm
të tij, sepse ky fenomen deformon
thellësisht vullnetin e votuesve, duke
demonstruar një vullnet të rremë dhe inekzistent
që prodhon edhe pushtete të
pavërteta dhe të paafta për të ndërmarrë
reformat që i duhen aq shumë këtij vendi.
Pavarësisht se flitet shumë sot për sistemet
zgjedhore me emra shtetesh gjithfarësh
harrohet që në themel të çdo sistemi
të çdo shteti që i referohen propozuesit,
qëndron një premisë e panegociueshme
ajo e numërimit të ndershëm të votës. Jashtë
këtij konteksti jemi thjesht në planin
që i hedhim hi syve opinionit publik sikur
po bëhet reformë zgjedhore, ndërkohë që
një gjë e tillë nuk realizohet praktikisht.
Kjo harresë apo nxjerrje në plan të dytë
e kësaj problematike shumë kritike të
gjithë reformës zgjedhore është thellësisht
dinake dhe konsoliduese e hierarkisë së
politikës së vjetër të skenës politike shqiptare
të dominuar, ndonëse në zvogëlim
progresiv të peshës së tyre elektorale, të dy
partive PS-PD.
Të gjithë të ashtuquajturit ustallarë të
reformave zgjedhore e kuptojnë fare mirë
se procesi më i gjatë dhe më i komplikuar
nuk është vendosja e një sistemi të ri zgjedhor,
vendim i cili është dhe do të jetë pjellë
e një kompromisi politik, por krijimi i një
sistemi të ndershëm dhe jopolitik të administrimit
të votës.
Do të jetë procesi i zëvendësimit të
shpërdoruesve të votave me numërues të
ndershëm të tyre, të ndërgjegjshëm që
nga ky numërim i ndershëm i tyre do të
lindë një shtet i vërtetë dhe i drejtë edhe
për vetë ata.
Por sa më shumë të shtyhet ky proces,
aq me pak kohë mbetet në dispozicion
dhe për pasojë krijohen në mënyrë diabolike
premisat negative të të vepruarit në
krizë kohë, thënë më thjesht "nuk kemi
kohë, do të administrojmë votën sipas
mënyrës së vjetër", duke konsoliduar pra
korruptimin kronik të numërimit të votës
e duke bërë thuajse zero çdo efekt pozitiv
eventual që mund të kishte ndryshimi i
sistemit zgjedhor.
Maksimumi i vullnetit politik do të duhet
të tregohet nga të gjithë më së pari për
këtë çështje kyç të reformës zgjedhore. Ky
vullnet do t‘i bënte edhe qytetarët të kishin
më shumë shpresë vota e tyre nuk shpërdorohet,
si dhe do të ishte një motiv i rëndësishëm
për ta për të mos bojkotuar më tej
proceset e votimit, bojkotime që ligjërojnë
procesin e legjitimimit të pushtetit të minorancës.
Krijimi i një administrate zgjedhore jopolitike
me një status dhe përgjegjësi në
përputhje me procesin shumë të rëndësishëm
që ajo administron si dhe
teknologjia e domosdoshme, që shoqëron
këtë proces administrimi janë dy etapa të
një objektivi që nuk mund të anashkalohet
kurrsesi.
Të dy këto momente do të krijonin më
së fundi premisën bazë të mosprodhimit
të mëtejshëm të pushteteve të pavërteta,
të ndalimit të vjedhjes dhe shpërdorimit të
votës së qytetarëve duke i dhënë kuptimin
e duhur reformës zgjedhore dhe duke
eliminuar realitetet politiko-partiake fiktive
pjellë e korruptimit të numërimit të
votës së shqiptarëve.
Çdo ditë e humbur në debate shterpë
do të ishte kohë e vjedhur për krijimin dhe
konsolidimin e administratës së re zgjedhore
të ndershme dhe jo shpërdoruese e
votave. Do krijonte mundësi për trajnimin
e saj, për konkurrimin e saj, si dhe për të
mundësuar përdorimin korrekt të
teknologjisë së re në vend të primitivizmit
të numërimit masakrues ditë-natë dhe me
ngarkesa të larta korruptive.
Nuk ka më kohë për të humbur dhe për
t‘ia dhënë këtë dimension evropian votës
së shqiptarëve në vend të dimensionit të
turpshëm të diktaturave afrikane që ka
administrimi i saj deri më sot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›